Deklarata e politikës monetare për gjashtëmujorin I '00

Authori: Departamenti i Politikës Monetare
Data e prodhimit: 13.07.2000
Data e shtypjes: 13.07.2000
Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Raporti gjashtemujor i Politikes Monetare
Qëndrueshmëria relative në zhvillimin ekonomik, sidomos në pjesën e dytë të vitit 1999, u shoqërua me një kërkesë më të madhe për kredi në gjysmën e parë të vitit 2000. Vetëm në pesë muajt e parë janar - maj, portofoli i kredive të bankave të nivelit të dytë është rritur me 2,6 miliardë lekë nga 2,2 miliardë lekë që u rrit në vitin 1999, ndërkohë që kredia e re, e dhënë gjatë kësaj periudhe, është rreth 600 milionë lekë më pak se ajo, që është dhënë gjatë gjithë vitit 1999. Heqja e kufirit të kreditit në fundin e vitit 1999 ishte akti formal për eliminimin e barrierës psikologjike të kontrollit direkt mbi masën e kreditimit të ekonomisë. Rritja e numrit të bankave dhe zgjerimi i rrjetit të atyre ekzistuese, konsolidimi në kohë i marrëdhënieve të bankave me biznesin, rritja e përpjekjeve të biznesit për aktivitete prodhuese e të shërbimeve dhe "harrimi" i fitimit të parave nga piramidat ishin ndër aktorët, që çuan në rritjen e kredive gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, Banka e hqipërisë mendon që niveli i kreditimit të ekonomisë është ende i ulët dhe për këtë arsye organizoi takime me bankat e nivelit të dytë, me biznesmenë, me shoqata kredituese dhe biznesi, duke synuar gjetjen e "gjuhës së përbashkët" për "formulën e artë" të kreditimit.