Deklarata e politikës monetare për gjashtëmujorin I '01

Authori: Departamenti i Politikës Monetare
Data e prodhimit: 15.07.2001
Data e shtypjes: 15.07.2001
Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Raporti gjashtemujor i Politikes Monetare
Fundi i gjashtëmujorit të parë të vitit 2001, tregoi se ekonomia shqiptare vazhdon lëvizjen drejt konsolidimit të ekuilibreve të vendosura në periudhat e mëparshme. Sipas vlerësimeve më të fundit, aktiviteti ekonomik njohu gjallërim të mëtejshëm gjatë kësaj periudhe, duke e bërë të besueshme arritjen e objektivit për rritjen e PBB-së në masën 7,3 për qind në fund të vitit 2001. Edhe zhvillimet në tregun e punës, sipas të dhënave disponibël, mbështesin këtë realitet optimist për gjallërimin e aktivitetit ekonomik të vendit. Më konkretisht, numri i të papunëve deri në fund të muajit maj ka regjistruar shifrën 190.7 mijë vetë, duke shënuar nivelin e tij më të ulët për katër vjetët e fundit. Së fundi, duhet shtuar se edhe aktiviteti tregtar i Shqipërisë me botën gjatë pesë muajve të parë të vitit ka njohur rritje, ku sidomos duhet përmendur rritja e eksporteve, të shprehura në dollarë, ndaj së njëjtës periudhë të vitit të kaluar me 36 për qind.