Raporti Mujor - Qershor '03

Authori: Departamenti i Politikës Monetare
Data e prodhimit: 14.07.2003
Data e shtypjes: 14.07.2003
Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Raport i Politikës Monetare
Inflacioni vjetor i muajit maj rezultoi 4.03 për qind ndërsa ai mesatar 3.49 për qind. Gjatë pesë muajve të parë të vitit 2003, inflacioni vjetor ka shfaqur tendencë rritjeje. Ndërsa mesatarja vjetore ka shfaqur një prirje rënëse dhe është normalizuar brenda intervalit objektiv. Në një situatë të tillë kur inflacioni i importuar mendohet të ketë qenë i ndjeshëm, politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë rezulton e efektshme po të marrim parasysh që inflacioni nuk është shmangur shumë nga intervali i dëshiruar prej 2-4 për qind. Instrumentet, që Banka e Shqipërisë përdor për drejtimin e politikës monetare, duhet thënë se kanë qenë nën kontroll për pjesën më të madhe të periudhës që mendohet të ketë ndikim gjatë muajve të parë të këtij viti. Për realizimin e këtij kontrolli, një rol të rëndësishëm ka luajtur rritja e moderuar e deficitit të qeverisë dhe kontrolli i nivelit të agregatëve monetarë.