Raporti Mujor - Shkurt '03

Authori: Departamenti i Politikës Monetare
Data e prodhimit: 16.03.2003
Data e shtypjes: 16.03.2003
Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Raport i Politikës Monetare
Zhvillimet monetare të muajit janar tregojnë për një përmirësim të shpejtë të situatës, pas çrregullimeve në treguesit monetarë që jemi mësuar të shohim në muajin dhjetor. Paraja jashtë bankave u kthye me ritme të shpejta në sistem. Në muajin janar, paraja jashtë bankave u ul me 5 miliardë lekë nga 5.1 miliardë lekë të dalë në qarkullim në muajin dhjetor. Ulja e parasë jashtë bankave në janar, në terma absolutë, ishte mjaft e ngjashme me janarin e kaluar. Norma e rritjes vjetore të saj, e cila pësoi një ulje të ndjeshme në muajin dhjetor, qëndroi pothuaj në të njëjtin nivel edhe në muajin janar. Kthimi i parasë në sistem është shoqëruar me një rritje të shpejtë të depozitave në lekë dhe një qetësi në nivelin e normave të interesit. Megjithëse mungojnë ende të dhënat e plota të sistemit bankar për të gjykuar mbi gjendjen monetare në ekonomi, këta tregues flasin për një përmirësim të kushteve monetare në ekonomi. Ulja e vazhdueshme e parasë gjatë pjesës së dytë të vitit 2002 ka ushtruar ndikimin e saj në uljen e inflacionit.