Raporti i Politikës Monetare për Tremujorin e katërt të Vitit 2012

Authori: Departamenti i Marrëdhënieve me Jashtë, Integrimit Evropian dhe Komunikimit
Data e prodhimit: 08.02.2013
Data e shtypjes: 08.02.2013
Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Raport i Politikës Monetare
Ekonomia shqiptare ka shënuar një përmirësim të lehtë gjatë gjysmës së dytë të vitit 2012, por aktiviteti ekonomik mbetet nën potencial. Sistemi bankar paraqitet me bilance të shëndosha, por ai vazhdon të karakterizohet nga një kujdes i rritur në financimin e investimeve afatgjata. Në këndvështrimin makroekonomik, të gjithë faktorët përcaktues të inflacionit kanë kontribuar në ruajtjen e tij në nivele të ulëta. Rritja vjetore e çmimeve të konsumit shënoi vlerën 2.4% në fund të vitit, ndërkohë që norma mesatare vjetore e inflacionit ishte 2%. Pavarësisht vlerësimit për rritje pozitive të ekonomisë në vitin 2013, aktiviteti ekonomik pritet të mbetet poshtë potencialit të tij dhe presionet inflacioniste nga ana e kërkesës pritet të mbeten të ulëta. Duke gjykuar mbi zhvillimet e pritura ekonomike dhe monetare, në mbledhjen e tij të datës 30 janar 2013, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit, duke e zbritur atë në nivelin 3.75%. Parashikimi për nivele të ulëta të inflacionit përgjatë horizontit kohor të politikës monetare dikton ruajtjen e natyrës stimuluese të politikës monetare gjatë katër tremujorëve të ardhshëm.