Raporti i Politikës Monetare për tremujorin e dytë të vitit 2013

Authori: Departamenti i Marrëdhënieve me Jashtë, Integrimit Evropian dhe Komunikimit
Data e prodhimit: 23.08.2013
Data e shtypjes: 23.08.2013
Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Raport i Politikës Monetare
Muajt e parë të vitit 2013 kanë konfirmuar vlerësimet tona për rritje të ngadaltë të ekonomisë shqiptare dhe për presione të ulëta inflacioniste në të. Aktiviteti ekonomik në vend vazhdon të vuajë nga ecuria e dobët e kërkesës agregate, e cila nga ana e saj reflekton pasigurinë e agjentëve ekonomikë mbi të ardhmen, kushtet relativisht të shtrënguara të financimit, si dhe dobësinë ekonomike të partnerëve tanë kryesorë tregtarë. Megjithatë, ndonëse në një kontekst makroekonomik sfidues, stabiliteti ekonomik e financiar i vendit mbetet i qëndrueshëm. Inflacioni qëndroi në nivele të ulëta gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, si pasojë e presioneve të dobëta nga ana e kërkesës, por edhe në reflektim të pritjeve të ankoruara për inflacionin. Këto të fundit pasqyrojnë politikën e kujdesshme monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Kjo politikë ka bërë të mundur uljen e normave afatgjata të interesit dhe ka ndihmuar në ruajtjen e parametrave të shëndetit të sistemit bankar. Rritja nën potencial e ekonomisë do të shoqërohet me presione të ulëta inflacioniste nga kahu i kërkesës, dhe, në mungesë të goditjeve të paparashikuara të ofertës, çmimet e konsumit pritet të rriten me norma të ulëta. Inflacioni vjetor pritet të luhatet në intervalin 1.1% - 3.8% pas 12 muajve, me një probabilitet ndodhjeje 90%. Në këto rrethana, politika jonë monetare do të vazhdojë të ruajë natyrën e saj stimuluese edhe përgjatë tremujorëve në vijim. Po kështu, ne do të vazhdojmë të furnizojmë sistemin bankar me të gjithë likuiditetin e kërkuar për funksionimin normal të tregjeve financiare.