Raporti i Politikës Monetare për tremujorin e parë të vitit 2014

Authori: Departamenti i Politikës Monetare
Data e prodhimit: 07.05.2014
Data e shtypjes: 07.05.2014
Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Raport i Politikës Monetare
Të dhënat e tremujorit të parë të vitit 2014 janë përgjithësisht në linjë me vlerësimet tona të mëparshme mbi gjendjen e ekonomisë dhe të sistemit financiar shqiptar. Ekonomia shqiptare vazhdon të karakterizohet nga dobësia e kërkesës agregate, e cila ndikon më tej thuajse të gjithë parametrat ekonomikë e financiarë të vendit. Kështu, në përgjigje të kërkesës së dobët agregate, rritja ekonomike mbetet e ulët dhe ekonomia shqiptare vazhdon të operojë nën potencialin e vet. Kapacitetet e pashfrytëzuara të prodhimit, si në tregun e punës ashtu dhe në atë të kapitalit, reflektohen në rritje të ulët të punësimit e të kostove të prodhimit, duke u shoqëruar më tej me presione të dobëta inflacioniste. Në aspektin financiar, rritja e dobët ekonomike ushtron presion për rritje të deficitit buxhetor e të borxhit publik, si dhe krijon vështirësi financiare për bizneset. Këto vështirësi janë pasqyruar në rritjen e kredive me probleme në ekonomi dhe ndikojnë negativisht gatishmërinë e bankave për t’u angazhuar në kredidhënie.