Raporti i Politikës Monetare për tremujorin e tretë të vitit 2008

Publikuar nga: Monetary Policy Department
Authori: Departamenti i Politikës Monetare
Data e prodhimit: 04.12.2008
Data e shtypjes: 04.12.2008
Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Vleresimi tremujor i gjëndjes ekonomike
Aktiviteti ekonomik i tremujorit të tretë është vendosur në sfondin e zhvillimeve të trazuara në tregjet financiare dhe ekonomitë e vendeve të zhvilluara. Problemet që përjetuan tregjet financiare po reflektohen në frenimin e konsumit dhe të investimeve, duke sjellë ngadalësimin e aktivitetit ekonomik dhe rritjen e papunësisë në shumë vende të zhvilluara. Megjithë tronditjet e tregjeve financiare dhe shenjat e para të ngadalësimit ekonomik në rang botëror, ekonomia shqiptare ka rezultuar relativisht e paprekur gjatë këtij tremujori. Nga të dhënat e disponueshme, aktiviteti ekonomik në vend ka ecur sipas parashikimeve, inflacioni shfaqet në nivele të kontrolluara dhe brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë, ndërsa sistemi bankar shqiptar paraqitet i shëndetshëm dhe i aftë për të zhvilluar funksionin e tij të ndërmjetësimit financiar. Përkundrejt interesimit të rritur të publikut për qëndrueshmërinë e sistemit tonë financiar, Banka e Shqipërisë konstaton se besimi i agjentëve ekonomikë në institucionet tona financiare dhe produktet e tyre, nuk është lëkundur.