Vlerësimi Tremujori I '01

Authori: Departamenti i Politikës Monetare
Data e prodhimit: 15.04.2001
Data e shtypjes: 15.04.2001
Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Vleresimi tremujor i gjëndjes ekonomike
Tremujori i parë i vitit 2001 pritej të ishte kompleks për nga vetë zhvillimet e fundvitit 2000. Dilema kryesore qëndronte në faktin nëse do të kishim një vazhdimësi të fenomeneve të evidentuara sidomos në muajin dhjetor 2000, apo treguesit do të ktheheshin përsëri në shtegun e tyre historik, duke i dhënë fund paqartësive të momentit. Në realitet u vërtetua skenari i dytë, gjë që tregoi se Banka e Shqipërisë kishte të drejtë kur “kërcimin” e inflacionit në muajin dhjetor e vlerësoi si një spekulim me intensitet të lartë. Ndoshta vetë struktura e ekonomisë bëri që efektet negative të krizës energjitike dhe asaj të çmimeve të naftës të zbeheshin ndjeshëm në muajt e parë të vitit 2001. Megjithatë, në hartimin e programit monetar për vitin 2001, Banka e Shqipërisë jo vetëm që ka pasur në vëmendje zhvillimet e sipërpërmendura por, nga ana tjetër, nuk ka lënë jashtë konsideratës së saj dhe zhvillimet ekonomike dhe politike që po karakterizojnë pjesën e parë të vitit 2001.