Vlerësimi Tremujori I '02

Authori: Departamenti i Politikës Monetare
Data e prodhimit: 14.04.2002
Data e shtypjes: 14.04.2002
Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Vleresimi tremujor i gjëndjes ekonomike
Ekonomia shqiptare gjatë vitit 2002, parashikohet të ecë pothuajse brenda së njëjtës kornizë si edhe viti i kaluar, e përcaktuar nga këta objektiva kryesorë: rritja ekonomike në masën 6 për qind, norma vjetore e inflacionit në kufijtë 2-4 për qind, deficiti buxhetor në masën 8 për qind të PBB-së, deficiti i llogarisë korente në rreth 8.2 për qind të PBB-së dhe financimi nëpërmjet huamarrjes së brendshme në masën 3.1 për qind të PBB-së. Rritja ekonomike e vendit gjykohet të ketë si bazë kryesore, rritjen e pritshme të prodhimit në degën e bujqësisë e për pasojë edhe të kontributit të saj në PBB. Në kushte të tilla, objektivat për inflacionin dhe për rritjen e PBB-së, konsiderohen realistë. Këtë gjykim e mbështesin, në pjesën më të madhe, edhe zhvillimet në ekonominë e vendit në tremujorin e parë të vitit. Megjithatë, në këtë periudhë vepruan disa ngjarje të rëndësishme, të cilat krijuan vështirësi për ecurinë ekonomike: situata kritike e fundmarsit në sektorin bankar, situata politike problematike dhe kriza energjitike.