Deklarata e politikës monetare për gjashtëmujorin II '02

Authori: Departamenti i Politikës Monetare
Data e prodhimit: 14.01.2003
Data e shtypjes: 14.01.2003
Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Raporti gjashtemujor i Politikes Monetare
Të dhënat e tremujorit të tretë të vitit 2002 konfirmojnë edhe një herë se për këtë vit do të sigurohet rritja ekonomike brenda objektivit të rishikuar (5 për qind). Megjithëse informacioni i disponueshëm për ekonominë reale nuk të lejon që të arrish në konkluzione sasiore të sakta mbi rritjen ekonomike dhe të sektorëve të veçantë, përsëri është e mundur të kuptohen disa nga tendencat. Në tërësi, ecuria e disa sektorëve të ekonomisë në tremujorin e tretë është më e mirë se në tremujorin e dytë, gjë që flet për rigjallërim të aktivitetit ekonomik. Por, krahasuar me një vit më parë, ritmet e rritjes janë disi më të ulëta. Këto të çojnë në konkluzionin që rritja ekonomike në vitin 2002 do të jetë më e ulët se një vit më parë.