Deklarata e politikës monetare për gjashtëmujorin I '08

Authori: Departamenti i Politikës Monetare
Data e prodhimit: 08.10.2008
Data e shtypjes: 08.10.2008
Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Raporti gjashtemujor i Politikes Monetare
Zhvillimet e kohëve të fundit dëshmojnë për një përshkallëzim të mëtejshëm të krizës financiare në SHBA, duke kulmuar javët e fundit me falimentimin e një prej bankave më të mëdha të investimeve Lehman Brothers. Pak më parë këtij falimentimi të bujshëm, dy gjigandet e financimit të hipotekave në Amerikë, Freddie Mac dhe Fannie Mae, iu nënshtruan një plani të pazakontë dhe të kushtueshëm shpëtimi, të ideuar nga ana e Departamentit të Thesarit të SHBA-së. Në fakt, ky veprim përbën vetëm një nga ndërhyrjet e autoriteteve amerikane në këtë situatë, për t’i lënë vendin një sërë të tjerave më pas, si në rastin e kompanisë së sigurimeve AIG, bankës Merryl Lynch dhe veçanërisht planit, të bërë publik më 21 shtator 2008, për krijimin e një fondi 700 miliardë dollarë, për blerjen e aktiveve me probleme.