Raporti i Politikës Monetare për tremujorin e katërt të vitit 2013

Authori: Departamenti i Politikës Monetare
Data e prodhimit: 07.02.2014
Data e shtypjes: 07.02.2014
Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Raport i Politikës Monetare
Aktiviteti ekonomik ka vijuar të shfaqet i dobët dhe tendenca rënëse e inflacionit është forcuar në gjashtëmujorin e dytë. Të dhënat zyrtare tregojnë rënie vjetore me 2.3% të prodhimit të brendshëm bruto në tremujorin e tretë. . Konsumi dhe investimet vazhdojnë të vuajnë nga shkalla e ulët e besimit si dhe nga kushtet e shtrënguara të financimit. Politika fiskale përballet me një nivel të lartë borxhi publik, i cili ka kufizuar mundësitë e saj për stimul makroekonomik. Ambienti i jashtëm është karakterizuar nga vazhdimi i problemeve në Eurozonë, çka kufizon rritjen e eksporteve tona por edhe iu imponon tregjeve financiare ndjekjen e politikave konservatore të kreditimit. Inflacioni vjetor u luhat në kufijtë e poshtëm të tolerancës së Bankës së Shqipërisë në tremujorin e katërt, ecuri e cila u përcaktua nga kërkesa e dobët agregate, nga rënia e inflacionit të importuar dhe nga pritjet e kontrolluara për inflacionin. Mbështetur në perspektivën e zhvillimeve të pritura ekonomike dhe duke synuar nxitjen e kërkesës agregate, Banka e Shqipërisë reduktoi me 0.5 pikë përqindje normën bazë të interesit gjatë tremujorit të katërt, duke e zbritur atë në nivelin 3.0%. Kjo politikë ka arritur të kontrollojë primet e likuiditetit dhe të inflacionit, duke ndihmuar në reduktimin e normave të interesit në tregjet ndërbankare, në tregun e letrave të borxhit të qeverisë, në tregun e depozitave dhe në atë të kredive në lekë. Në reflektim të dinamikës së dobët ekonomike dhe monetare në vend, presionet inflacioniste pritet të jenë të dobëta. Pas katër tremujorëve, inflacioni pritet të luhatet brenda intervalit 0.7% – 3.8% me probabilitet ndodhjeje 90%, duke sugjeruar ruajtjen e kahut stimulues të politikës monetare edhe gjatë periudhës afatmesme.