Raporti i Politikës Monetare për tremujorin e tretë të vitit 2013

Authori: Departamenti i Politikës Monetare
Data e prodhimit: 21.11.2013
Data e shtypjes: 21.11.2013
Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Raport i Politikës Monetare
Ekonomia shqiptare është karakterizuar nga rritja e ngadaltë ekonomike dhe nga presione të ulëta inflacioniste gjatë vitit 2013. Rritja ekonomike u ngadalësua në 1,1% në tremujorin e dytë të vitit, ndërkohë që informacionet e disponuara sugjerojnë për një aktivitet të dobët ekonomik edhe gjatë tremujorit të tretë. Ecuria e dobët e kërkesës private ka kompensuar impulset pozitive në rritje të gjeneruara nga stimuli fiskal dhe nga kërkesa e huaj në gjashtëmujorin e parë. Konsumi dhe investimet e sektorit privat vlerësohen të kenë pasur një ecuri të dobët, ndërsa kërkesa e huaj ka vijuar të frenohet nga situata ekonomike e partnerëve tanë tregtarë. Pasiguria e agjentëve privatë mbi të ardhmen është reflektuar në gatishmëri të ulët për të shpenzuar dhe në kërkesë të ulët për kredi. Kjo pasiguri ka penguar përcjelljen e stimulit monetar në ekonomi. Gjithashtu, edhe politikat konservatore të sistemit bankar kanë ruajtur kushte të shtrënguara kreditimi dhe kanë penguar funksionimin normal të mekanizmit të transmeti it të politikës monetare.