Raporti i Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2022

Raporti i Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2022
Authori: Departamenti i Stabilitetit Financiar
Data e prodhimit: 29.09.2022
Data e shtypjes: 29.09.2022
Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Raporti i Stabilitetit Financiar

Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme dhe rreziqet mbetën në nivele të kontrolluara. Depozitat dhe kreditë u zgjeruan me ritme më të ngadalësuara dhe disa tregues të veprimtarisë shfaqën një luhatshmëri më të lartë. Rezultati financiar mbeti pozitiv dhe nivelet e kapitalizimit të veprimtarisë u përmirësuan. Zhvillimet ekonomike në vend ishin pozitive, por efekti i zhvillimeve ndërkombëtare në çmimet e larta të energjisë dhe rritjen e inflacionit, u bë më i dukshëm. Politika monetare dhe politika fiskale kanë ndërmarrë masa për të zbutur problematikat e rritjes së inflacionit, për të siguruar energji elektrike me kosto të pranueshme dhe për të forcuar kapacitetet për mbrojtjen e shtresave më nevojtare të shoqërisë. Zhvillimet e ardhshme ekonomike do të mbeten sfiduese, ndaj nevojitet që bankat të rrisin vëmendjen drejt identifikimit dhe administrimit të rreziqeve të veprimtarisë, si edhe për ruajtjen e niveleve të mira të treguesve të rezistencës. Si gjithmonë, Banka e Shqipërisë nëpërmjet instrumenteve që ka në dispozicion për ushtrimin e politikave të saj si autoritet monetar dhe mbikëqyrës, do të mbështesë mirëfunksionimin e veprimtarisë bankare dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.