Vlerësimi Tremujori II '01

Authori: Departamenti i Politikës Monetare
Data e prodhimit: 15.07.2001
Data e shtypjes: 15.07.2001
Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Vleresimi tremujor i gjëndjes ekonomike
Në tremujorin e dytë të vitit ekonomia shqiptare vazhdon në po ato tendenca të vërejtura gjatë tremujorëve paraardhës. Megjithatë, mbajtja e zgjedhjeve parlamentare ndikoi në zhvillimet e këtij tremujori. Në tërësi, përforcohet tendenca e një sektori shtetëror në tkurrje dhe e një sektori privat në gjallërim (i cili gjykohet ende nga tregues të tërthortë). Është e qartë që dinamika e sektorit privat ndikon në dinamikën e krejt ekonomisë. Përsa i përket zhvillimeve sipas sektorëve të ekonomisë vërehet që jo të gjithë sektorët premtojnë zhvillime optimiste. Ndërkohë që janë rritur aktiviteti industrial, investimet publike, sidomos ato në infrastrukturë apo është gjallëruar sektori i transportit, bujqësia dhe ndërtimi paraqiten më pak optimistë. Prodhimi bujqësor pritet të mos realizohet në masën e parashikuar, ndërsa dega e ndërtimit të reduktojë disi ritmet e rritjes së saj. Duke patur parasysh që bujqësia përfaqëson gati gjysmën e PBB-së, ndërtimi degën më dinamike gjatë dekadës së kaluar, si edhe problemet që do të vijojnë me energjinë elektrike, vlerësohet se është vështirësuar arritja e objektivit për rritjen e PBB-së dhe kjo do të varet ndjeshëm nga ecuria në tremujorët pasardhës.