Java Globale e Parasë, 2018

Në datën 12 mars 2018, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u çel Java e Parasë për vitin 2018 nën sloganin "Paraja: Ç'të mbjellësh, do të korrësh!". Banka e Shqipërisë mori pjesë për herë të pestë në këtë kremtim, ku në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe me mbështetjen e Agjencisë së Sigurimit te Depozitave, dhe Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë, organizuan aktivitete edukative dhe ndërgjegjësuese, duke përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë rreth 5000 fëmijë dhe të rinj, përfaqësues të rreth 55 shkollave 9-vjeçare, 14 shkollave të mesme, 8 universiteteve në 14 qytete. Aktivitetet e organizuara përfshinë: konkurse shkollore, leksione në auditoret e universiteteve dhe në qendra rinore, vizita të nxënësve në Muzeun e Bankës së Shqipërisë dhe në banka tregtare. 

Organizatorë:

Banka e Shqipërisë (BSH) dhe Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), me mbështetjen e: Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD), Junior Achievement (JA).

Tema e këtij viti është:  "Paraja: Ç’të mbjellësh, do të korrësh!"

Aktivitetet e Javës së Parasë

Ceremonia e çeljes së Javës së Parasë u organizua në ambientet e Muzeut të Bankës së Shqipërisë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave në fjalët e tyre të shkurtra përshëndetëse theksuan ndër të tjera misionin e Javës së Parasë, duke promovuar rëndësinë e kulturës financiare për publikun e gjerë dhe në veçanti për brezat e rinj.

Pas fjalëve të rastit, aktiviteti vijoi me shpërndarjen e çmimeve për fituesit e 3 konkurseve të lançuara një muaj më parë nga BSH-ja dhe AAB-ja. Guvernatori Sejko dhe kryetari i AAB-së, Pedrazzi, së bashku me drejtorët e përgjithshëm të bankave tregtare që sponsorizuan çmimet për fituesit e konkurseve, ndanë çmimet dhe bënë foto me nxënësit dhe studentët fitues.

Në konkursin "Paraja: Ç’të mbjellësh, do të korrësh!”, morën pjesë nxënësit e klasave VI të shkollave 9-vjeçare, me projekte kreative, si vizatim, punë dore, të cilat përcollën qartë konceptin e tyre të administrimit të parasë. Në këtë konkurs u paraqitën për konkurrim rreth 70 projekte, të realizuara nga 144 nxënës të 21 shkollave 9-vjeçare.

Konkursi i dytë i organizuar ishte ai i videos më të mirë. Konkursi ftoi nxënësit gjimnazistë të përcillnin me origjinalitet mesazhet e tyre për temën “Paraja: Ç’të mbjellësh, do të korrësh!” përmes një videoje prej jo më të gjatë se 2 min. Videoja mund të ishte produkt i punës individuale ose në grup. Gjithsej në konkurs u paraqitën 24 video, të realizuara nga 40 nxënës të 14 shkollave të mesme të vendit, prej të cilave u shpallën 3 fitues.

 

Konkursi i tretë i organizuar është ai i esesë më të mirë, me temë “A përbën rrezik përdorimi i euros në transaksionet tregtare në Shqipëri?”. Studentët u ftuan t’i përgjigjeshin pyetjes së shtruar përmes realizimit të një eseje argumentuese, jo më të gjatë se 1500 fjalë, duke përmbushur kriteret e shkrimit akademik.

 

Muzeun e Bankës së Shqipërisë e vizituan nxënësit e klasës VI të shkollës 9-vjeçare “Jeronim De Rada”, nxënësit e ciklit fillor të shkollës 9-vjeçare “Servete Maçi”, si edhe nxënësit e ciklit 9-vjeçar të kolegjit “Turgut Ozal”. 

ProCredit Bank vuri në dispozicion për nxënësit shkollës së mesme “Besnik Sykja”, degën e saj tek Tirana e Re për të vizituar Zonën 24/7 të bankës. Nxënësit u njohën konkretisht me shërbimet inovative bankare të ofruara 24/7 dhe mësuan avantazhet që sjell për klientët automatizimi i shërbimeve bankare. 

Ndërkohë, Union Bank mirëpriti fëmijët e stafit në moshë shkollore me qëllim edukimin financiar të brezit të ri lidhur me parimet elementare të bankingut dhe kursimit. Gjatë aktivitetit, fëmijët vizituan degën qendrore të bankës, ku u njohën me procedurat bazë, si dhe produktet e shërbimet kryesore të Bankës. 

Në Universitetin Epoka, Tiranë, u zhvillua një leksion i hapur nga zj. Olta Manjani, ekonomiste pranë Departamentit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, me temë “Sistemi monetar dhe roli i Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e tij” dhe zj. Suela Totokoci, Drejtore e Departamentit të Thesarit, Banka Intesa Sanpaolo, me temë “Roli i bankave në transmetimin e politikës monetare. Përdorimi i monedhës vendase”.

 

Më 13 mars 2018, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u zhvillua një leksion i ciklit “Netët e Muzeut”, me temë “Rëndësia e kulturës financiare për sipërmarrësit e rinj dhe për mirëqenien personale”. Leksioni u mbajt nga z. Dritan Mezini, Drejtor i Përgjithshëm i DM-consulting dhe portalit Duapunë.com, i cili iu drejtua një publiku të përbërë kryesisht nga studentë dhe sipërmarrës të rinj, për t’i ndërgjegjësuar mbi rëndësinë e kulturës financiare si pjesë e formimit të përgjithshëm të tyre dhe çelës i suksesit të sipërmarrjes.

 

Në mjediset e Qendrës Rajonale Rinore të Tiranës, me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave të mesme, u zhvillua një orë e hapur mësimore, nën titullin "Mendoj për nesër". Zj. Najada Xhaxha, Drejtore e Departamentit të Pagesave, pranë Tirana Bank dhe Kryetare e Komitetit për Sistemet e Pagesave në AAB, mbajti një referatë me temë, “Kultura financiare mbi të ardhurat personale“. Ndërsa zj. Gentiana Duka, Drejtore e njësisë për kredinë personale dhe konsumatore, Alpha Bank Albania, mbajti një referatë me temë “Kreditë e buta për studentët".

Me rastin e Javës së Parasë, një nga aktivitetet e organizuara ishte edhe konkursi me projekte për nxënësit e klasave VI, me temë “Paraja: Ç’të mbjellësh do të korrësh”. Me këtë rast, u organizua edhe një ekspozitë e përkohshme me projektet e nxënësve pjesëmarrës në konkurs. Autorët e vegjël së bashku me mësuesit dhe prindërit e tyre u ftuan në një ceremoni, gjatë së cilës u shpërndanë edhe certifikata pjesëmarrjeje.

 

Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, u zhvillua një leksion i hapur nga zj. Juna Bozdo, Përgjegjëse e Sektorit të Vlerësimit Sistemik, të Departamentit të Stabilitetit Financiar në Bankën e Shqipërisë, me temë “Stabiliteti financiar, roli i Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e tij dhe paketa e deeuroizimit”; zj. Artiola Agalliu, Drejtore e Departamentit të Menaxhimit të Riskut, Union Bank, me temë “Stabiliteti financiar, roli i bankave”; si dhe Marilda Shkurti nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD), me temë “Stabiliteti financiar, roli i skemave të sigurimit të depozitave në ruajtjen e stabilitetit financiar”.

 

Në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës, u zhvillua një leksion i hapur nga zj. Ela Golemi, anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe njëkohësisht Zëvendësdekane në Fakultetin e Kërkimit Shkencor të Biznesit në Universitetin "Aleksandër Moisiu" Durrës, me temë "Rëndësia e përdorimit të monedhës sonë kombëtare në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit"; si dhe nga zj. Joarda Mema, Përgjegjëse e Sektorit të Zhvillimit të Segmenteve dhe Produkteve në Credins Bank, me temë “Veprimtaria bankare me pakicë (retail): dhënia e kredive dhe depozitave në monedhën vendase”.

 

Në Universitetin Evropian të Tiranës u zhvillua një leksion i hapur nga zj. Ediola Biçaku, Drejtuese e Departamentit të Auditit të Brendshëm në Intesa Sanpaolo Bank Albania, me temë “Internal Audit in Banking Sector & Future Challenges”.

 

Në Protik Innovation Center, u zhvillua një leksion i hapur nga zj. Linda Shomo, CE O & themeluese e EasyPay, me temë “Paraja elektronike dhe pagesat në 2020”. Leksioni u drejtohej nxënësve të shkollave të mesme të Tiranës dhe studentëve të universiteteve të ndryshme në vend dhe u pasua nga një quiz i shkurtër që testoi dijet financiare të të rinjve.

Një version i lojës së Tregtisë Ndërkombëtare u organizua nga Junior Achievement, në sallën e konferencave Protik me pjesëmarrjen e 30 nxënësve (17-18 vjeç) nga Tirana. Nxënësit u ndanë në ekipe të përbëra prej pesë personash duke vepruar si një “vend” i veçantë. Vendet, të   klasifikuara sipas nivelit të të ardhurave (të larta, mesatare dhe të ulëta), konkurruan me njëri-tjetrin “për të prodhuar” forma letre (rrethore, trekëndësha, drejtkëndësha, etj.) me qëllim shitjen e tyre tek një tregtar që operon në treg ndërkombëtar, me çmime që variojnë sipas kërkesës dhe ofertës. Ekipi fitues u shpall bazuar në të ardhurat e grumbulluara.