Java Globale e Parasë, 2019

Në datën 25 mars 2019, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u çel Java e Parasë për vitin 2019 nën sloganin “Tepër i ri për të folur me Lekë të vjetër!”. Banka e Shqipërisë mori pjesë për herë të gjashtë në këtë kremtim, ku në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe me mbështetjen e Agjencisë së Sigurimit te Depozitave, dhe Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë, organizuan aktivitete edukative dhe ndërgjegjësuese, duke përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë rreth 4000 nxënës dhe studentë, nga më shumë se 90 shkolla të të gjitha niveleve, në mbi 5 qytete. Aktivitetet e organizuara përfshinë: konkurse shkollore, leksione në auditoret e universiteteve, vizita të nxënësve në Muzeun e Bankës së Shqipërisë dhe në banka tregtare. 

Organizatorë:

Banka e Shqipërisë (BSH) dhe Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), me mbështetjen e: Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD), ANFE.

Tema e këtij viti ishte: “Tepër i ri për të folur me Lekë të vjetër!”

Aktivitetet e Javës së Parasë

Ceremonia e çeljes së Javës së Parasë u organizua në ambientet e Muzeut të Bankës së Shqipërisë. Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Zëvendësministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, dhe Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave në fjalët e tyre të shkurtra përshëndetëse theksuan ndër të tjera misionin e Javës së Parasë dhe promovuan rëndësinë e kulturës financiare për publikun e gjerë dhe në veçanti për brezat e rinj.

Pas fjalëve të rastit, aktiviteti vijoi me shpërndarjen e çmimeve për fituesit e 3 konkurseve të lançuara një muaj më parë nga BSH dhe AAB. Zëvendësguvernatorja Minxhozi, Kryetari i AAB Pedrazzi, Zëvendësministrja Haxhiu, së bashku me drejtorët e përgjithshëm të bankave tregtare që sponsorizuan çmimet për fituesit e konkurseve, ndanë çmimet dhe bënë foto me nxënësit dhe studentët fitues. 

Video live e ceremonisë:    
https://www.facebook.com/Bank.of.Albania/videos/404049950407136/

Në konkurrim u paraqitën rreth 110 projekte, të realizuara nga 275 nxënës të 25 shkollave 9-vjeçare. Fitues u shpallën 5 projekte, çmimet për të cilët u sponsorizuan nga BKT.

Gjithsej në konkurs u paraqitën 17 fotomontazhe, të realizuara nga 20 nxënës të 10 shkollave 9-vjeçare të vendit. Fitues u shpallën 5 fotomontazhe, çmimet për të cilët u sponsorizuan nga Credins Bank.
 

Gjithsej në konkurs u paraqitën 13 video, të realizuara nga 24 nxënës të 10 shkollave të mesme të vendit. Fituese u shpallën 3 video, çmimet për të cilat u sponsorizuan nga ABI Bank.
 

Me rastin e Javës së Parasë 2019, nxënës të klasës II të shkollës “Vatra e Dijes” vizituan Muzeun e Bankës së Shqipërisë. Gjatë vizitës, nxënësit u njohën edhe me temën “Tepër i ri për të folur me Lekë të vjetër”.

 

Me rastin e Javës së Parasë, nxënës të shkollës së mesme Hoteleri-Turizëm vizituan Muzeun e Bankës së Shqipërisë. Gjatë vizitës në muze, nxënësit u njohën me koleksionin numizmatik, me historinë ekonomike dhe monetare të vendit, si dhe me temën “Tepër i ri për të folur me Lekë të vjetër”.

 

Në ditën e tretë të Javës së Parasë, nxënës të klasave III të shkollës 9-vjeçare jopublike “Don Bosko” vizituan Muzeun e Bankës së Shqipërisë. Fëmijët u njohën me koleksionin numizmatik, me temën e Javës “Tepër i ri për të folur me Lekë të vjetër”, si dhe shpenzuan kohë të vlefshme në ambientet e muzeut dedikuar edukimit financiar të më të vegjëlve.

 

 

Me rastin e Javës së Parasë, ekspertë të Bankës së Shqipërisë mbajtën, më 27 mars, një leksion për studentët e viteve të dyta dhe të treta të Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Fan S. Noli”, Korçë.

Leksioni filloi me prezantimin e z. Eris Sharxhi, Përgjegjës i Sektorit të Mbikëqyrjes së Rreziqeve, në Departamentin e Mbikëqyrjes, Banka e Shqipërisë, me temë: “Historiku dhe zhvillimet kryesore në sistemin bankar shqiptar” dhe vijoi me prezantimin e mbajtur nga z. Andi Habilaj, Përgjegjës i Zyrës së Mbikëqyrjes së Rreziqeve të Tregut dhe të Likuiditetit, në Departamentin e Mbikëqyrjes, Banka e Shqipërisë, me temë: “Administrimi i bankave dhe funksioni mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë”.

Në ditën e tretë të Javës së Parasë, nxënës të ciklit të ulët të shkollës 9-vjeçare jopublike “Udha e Shkronjave” vizituan Muzeun e Bankës së Shqipërisë. Fëmijët u njohën me koleksionin numizmatik, me temën e Javës “Tepër i ri për të folur me Lekë të vjetër”, si dhe shpenzuan kohë të vlefshme në ambientet e muzeut dedikuar edukimit financiar të më të vegjëlve.

 

Kuizi Evropian i Parasë (European Money Quiz). Me rastin e Javës së Parasë, për të dytin vit radhazi, Shoqata Shqiptare e Bankave dhe Banka e Shqipërisë organizuan Kuizin Evropian të Parasë. 350 nxënës, nga 59 shkolla 9-vjeçare nga i gjithë vendi konkurruan në skuadra prej 2 personash në një garë të organizuar nëpërmjet platformës online Kahoot!.

Fituese u shpall skuadra e shkollës 9-vjeçare “Emin Duraku” në Tiranë, e përbërë nga: Almira Tota dhe Hana Spahia. Fituesit do të përfaqësojnë Shqipërinë në finalen evropiane, më 7 maj, në Bruksel, ku do të garojnë përfaqësues të 30 vendeve. Për fituesit e tre vendeve të para të konkursit, Banka e Shqipërisë shpërndau dhurata.

 

Në përfundim të Javës së Parasë, më datë 29 mars, me ftesë të Dekanes së Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën, Dr. Ela Golemi, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mbajti një leksion të hapur në Universitetin "Aleksandër Moisiu", në qytetin bregdetar të Durrësit.

Leksioni me temë “Roli i Bankës së Shqipërisë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit – stabiliteti financiar, një parakusht i domosdoshëm në zhvillimin ekonomik” paraqiti një përmbledhje të shkurtër të historikut të BSH-së si një bankë qendrore moderne, si dhe u fokusua në funksionet dhe detyrat e përcaktuara në ligj, objektivat dhe instrumentet kryesore të saj, si dhe në kontekstin ekonomik ku ajo operon. Ai u ndoq me interes nga studentë të Fakultetit të Biznesit dhe jo vetëm, të cilët u treguan tepër aktivë dhe e shfrytëzuan rastin për t’i drejtuar Guvernatorit pyetje të shumta.   

Në përfundim, Guvernatori Sejko u uroi studentëve suksese në studimet e tyre, si dhe i siguroi ata se Banka e Shqipërisë është përherë e hapur për praktikat mësimore dhe punësimin e studentëve ekselentë!

Me rastin e Javës së Parasë, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, z. Perjan Duro mbajti prezantimin “Financat personale: Jeta e një aplikacioni financiar”.

Si krijues i aplikacionit MoneyCoach, Perjan Duro prezantoi procesin e krijimit të aplikacionit me qëllim promovimin e ideve novatore në funksion të edukimit financiar dhe përfshirjes financiare. Ky aplikacion mund të shkarkohet pa pagesë në Apple dhe Play Store, për të ndihmuar në administrimin e financave personale. Midis të tjerash, vlen të përmendet që Apple ka instaluar se fundi MoneyCoach në të gjithë iPhone e rinj në çdo Apple Store në Gjermani, si një nga aplikacionet më të mira të platformës iOS.


Me rastin e Javës së Parasë, ekspertë të Bankës së Shqipërisë mbajtën, më 4 prill, një leksion për studentët e viteve të dyta dhe të treta të Fakultetit Ekonomik në Universitetin "Luigj Gurakuqi", Shkodër. Leksioni filloi me prezantimin e zj. Juna Bozdo, Përgjegjëse e Sektorit të Vlerësimit Sistemik, të Departamentit të Stabilitetit Financiar në Bankën e Shqipërisë, me temë “Stabiliteti financiar, roli i Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e tij dhe paketa e deeuroizimit” dhe vijoi me zj. Milena Panajoti, Eksperte nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, me temë “Skema e sigurimit të depozitave për bankat dhe SHKK-të në vendin tonë. Roli dhe funksionet e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave”.