Mbledhja e Pestë Vjetore e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave 1 tetor 2019

Në datën 1 Tetor 2019, u zhvillua mbledhja e pestë e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave (KKSP).  Mbledhja u hap dhe drejtua nga Kryetarja e këtij Komiteti, Zj. Luljeta Minxhozi, Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë. Përveç anëtarëve të Komitetit, në mbledhje ishin të pranishëm dhe përfaqësues nga Banka Botërore, ekspertë për sistemin financiar dhe sistemet e Pagesave, përfaqësues të sistemit bankar por jo vetëm; si dhe përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Ernst & Young, AKSHI si dhe kompania MasterCard.

Mbledhja e pestë e KKSP-së u hap me fjalën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Z. Gent Sejko, i cili u ndal në rezultatet e deritanishme të KKSP-së, më i rëndësishmi prej të cilëve vlerësohet të jetë miratimi i Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël.  Guvernatori theksoi se në kuadër të Strategjisë Kombëtare, Banka e Shqipërisë ka hartuar projektligjin “Për shërbimet e pagesave”, i cili synon stimulimin e përdorimit të instrumenteve elektronikë të pagesave nga publiku, uljen e kostos së tyre dhe rrjedhimisht uljen e përdorimit të parasë fizike (cash-it) në ekonomi. Guvernatori Sejko u shpreh se zbatimi i këtyre nismave të rëndësishme kërkon dhe një publik të mirë informuar rrjedhimisht, Banka e Shqipërisë e gjykon si të domosdoshme hartimin e një Strategjie Kombëtare për Edukimin Financiar të Publikut, e cila vlerësohet të sjellë përfitime të shumta në zgjerimin e përfshirjes financiare dhe thellimin e edukimit financiar.

Të pranishmit në mbledhje u prezantuan me fjalimin e mbajtur nga Ministrja e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë Zj. Denaj, e cila u fokusua në angazhimin e qeverisë për të luftuar informalitetin në ekonomi, përmes reformave dhe masave të ndryshme, duke vënë theksin tek projektligji i ri për “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” ose i njohur ndryshe si “Projektligji për Fiskalizimin”.

Për më tepër më poshtë gjenden të listuara prezantimet e mbajtura gjatë mbledhjes së pestë të KKPS-së:

 Prezantime: