Akte në proces konsultimi

Banka e Shqipërisë, në kuadër të rishikimit të kuadrit rregullativ për kartëmonedhat dhe monedhat metalike, me qëllim forcimin e masave për ruajtjen e integritetit të tyre në qarkullim dhe harmonizimin e vazhdueshëm të kuadrit rregullator me praktikat e njohura të vendeve të BE, ka përgatitur dy projektrregullore si më poshtë:

  1. Projekt-rregullorja “Mbi medaljet dhe xhetonat të ngjashëm me monedhën metalike Euro” synon të rregullojë çështjen e prodhimit, importit, shitjes dhe/ose shpërndarjes së objekteve metalike në trajtën e xhetonave dhe medaljeve që konsiderohen të ngjashme me monedhën metalike euro, me qëllim mbrojtjen e publikut nga rreziku i ngatërrimit të tyre me monedhat e vërteta euro.

Projekt-rregullorja propozohet në kuadër të përfarimit dhe standardizimit të kuadrit rregullativ të Bankës Shqipërisë, me standardet e vendosura nga Komisioni Evropian në fushën e mbrojtjes së monedhave nga falsifikimi. Këto standarde janë të përcaktuara në rregulloren e Këshillit (KE) Nr. 2182/2004 datë 6 dhjetor 2004 “Mbi medaljet dhe xhetone të ngjashëm me monedhat euro”, e ndryshuar me rregulloren nr. 46/2009 datë 18 dhjetor 2008.

  1. Projekt-rregullorja  “Mbi kriteret për riprodhimin e kartëmonedhave dhe/ose monedhave metalike në Republikën e Shqipërisë” synon të rregullojë çështjen e riprodhimit të pamjeve të kartëmonedhave dhe/ose monedhave metalike kur kryhet nga operatorë të ndryshëm ekonomikë për qëllime tregtare, promocioni apo në aktivitete të ndryshme.

Projekt-rregullorja përkufizon riprodhimin si një imazh të prekshëm ose të paprekshëm që përdor tërësinë ose pjesë të një kartëmonedhe/monedhe metalike ose pjesë të elementëve individualë të dizenjos së saj të tilla si ngjyrat, dimensionet, përdorimin e shkronjave dhe simboleve, imazhi i të cilave mund të ngjajë ose japë përshtypjen e përgjithshme të një kartëmonedhe/monedhe metalike të vërtetë, pavarësisht përmasave, materialit apo teknikave të përdorura.

Vlen të përmendet që projekt-rregullorja është realizuar duke u përafruar me standardet e vendosura nga Banka Qendrore Evropiane. Këto standarde janë të përcaktuara në vendimin ECB/2013/10 (2013/211/EU) “Mbi strukturën e prerjeve, specifikimet teknike, rishtypjen, këmbimin dhe tërheqjen nga qarkullimi të kartëmonedhave euro”.

Banka e Shqipërisë do të vlerësonte dhënien e mendimeve ana e subjekteve të ndryshëm ekonomikë por edhe publikut për projekt-rregulloret, brenda datës 11.06.2021 në adresën e postës elektronike nac@bankofalbania.org