Seria e Re e Kartëmonedhave

Në përmbushje të misionit të saj kushtetues dhe ligjor për hedhjen në qarkullim të monedhës kombëtare dhe ruajtjen e besueshmërisë së saj, Banka e Shqipërisë ka vendosur të nxjerrë në qarkullim serinë e re të përmirësuar të kartëmonedhave shqiptare me kurs ligjor.

Seria e re e kartëmonedhave Lek do të përmbajë 6 prerje: 200, 500, 1000, 2000, 5000 dhe prerjen e re 10000 Lekë. Kjo seri do t’i prezantohet publikut gradualisht gjatë disa viteve, duke nisur nga viti 2019.

Kartëmonedhat 200 dhe 5000 Lekë do të jenë dy prerjet e para që do të hidhen në qarkullim nga kjo seri, më 30 shtator 2019.

Kalendar i hedhjes në qarkullim

  • kartëmonedhat 200 Lekë dhe 5000 Lekë do të hidhen në qarkullim duke filluar nga data 30 shtator 2019;
  • kartëmonedhat 10000 Lekë dhe 1000 Lekë do të hidhen në qarkullim duke filluar nga viti 2020;
  • kartëmonedha 2000 Lekë do të hidhet në qarkullim duke filluar nga viti 2021;
  • kartëmonedha 500 Lekë do të hidhet në qarkullim duke filluar nga viti 2022.

Shënim: Prodhimi i një serie të re kartëmonedhash është një proces kompleks, gjatë të cilit mund të hasen vështirësi teknike që mund të shkaktojnë ndryshime në afatet e planifikuara për hedhjen në qarkullim të kartëmonedhave.

Përse një seri e re?

Banka e Shqipërisë është banka qendrore e vendit. Një nga rolet më të rëndësishme të bankave qendrore kudo në botë është emetimi i kartëmonedhave kombëtare, duke pasur përgjegjësinë që ato të shërbejnë si mjete pagese të sigurta dhe të gëzojnë besimin e publikut.

Kartëmonedhat përmbajnë një sërë elementesh sigurie që i mbrojnë nga falsifikimi dhe ruajnë besueshmërinë e publikut tek paraja.

Përmirësimi i serive të kartëmonedhave me qëllim forcimin e elementeve të sigurisë dhe njëkohësisht përmirësimin e dizajnit është një praktikë e njohur në bankat qendrore, që përgjithësisht zbatohet çdo 15-20 vjet.

Të gjitha prerjet e serisë aktuale të kartëmonedhave dhe monedhave shqiptare, përveç asaj 2000 Lekë janë miratuar në vitin 1995 dhe janë hedhur në qarkullim në vitin 1996. Ndërkohë, në vitin 2008, serisë iu shtua kartëmonedha 2000 Lekë dhe në fund të vitit 2011 përfundoi kursi ligjor për kartëmonedhën 100 Lekë.

Pavarësisht se gjatë këtyre viteve, shkalla e falsifikimit të kartëmonedhave ka qenë e ulët, Banka e Shqipërisë duhet të qëndrojë gjithmonë një hap përpara për sa i takon studimit dhe përmirësimit të elementeve të sigurisë, për t’i bërë sa më të thjeshta për t’u identifikuar dhe sa më të vështira për t’u falsifikuar.

Gjithashtu, në këto 20 vite kanë ndodhur ndryshime të vazhdueshme në teknologji, si për sa i përket elementeve të sigurisë që mund të dallohen nga publiku i gjerë pa përdorimin e makinerive të posaçme, ashtu edhe për sa i përket atyre që njihen nga makineritë e përpunimit dhe numërimit të kartëmonedhave.

Çfarë ndodh me kartëmonedhat e vjetra?

Kartëmonedhat ekzistuese, të të gjitha prerjeve, do të vazhdojnë të qarkullojnë paralelisht me kartëmonedhat e reja. Ato do të vijojnë të kenë kurs ligjor dhe të shërbejnë si mjet pagese.

Banka e Shqipërisë do të njoftojë publikun në kohën e duhur mbi datat kur secila nga prerjet ekzistuese prej 200, 500, 1000, 2000 dhe 5000 lekësh nuk do të ketë më kurs ligjor. Gjithsesi, edhe pas humbjes së kursit ligjor, kartëmonedhat ekzistuese do të ruajnë vlerën e tyre dhe do të mund të shkëmbehen me të rejat për të njëjtën vlerë.

Tematika dhe elementet e dizajnit      

Seria e re e kartëmonedhave shqiptare ruan të njëjtën tematikë me kartëmonedhat ezkistuese, si një tematikë e gjithëpranuar nga publiku.

Kjo tematikë evokon disa prej momenteve më të rëndësishme të historisë së kombit, zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe politik të vendit, përfaqësuar nga personalitete të spikatura, me kontribute të rëndësishme për Shqipërinë. Portretet e këtyre personaliteteve janë kombinuar në kartëmonedha me motive që lidhen me jetën, veprën, vendin dhe epokën në të cilën secila figurë ka jetuar.

Ndërkohë, pamja e serisë së re përfaqëson evoluim dhe përmirësim të dizajnit të përgjithshëm dhe elementeve specifike të paraqitura në to. Koncepti kryesor, për sa i përket paraqitjes së tyre, ka qenë krijimi i një serie kartëmonedhash bashkëkohore, pamja e të cilave mbështetet në një ekuilibër ndërmjet të resë dhe traditës.

E besueshme dhe e sigurt

Seria e re e kartëmonedhave është prodhuar me teknologjitë më të fundit në fushën e prodhimit dhe elementeve të sigurisë së kartëmonedhave, me qëllim që ato të jenë më të sigurta, duke ia bërë “më të vështirë jetën” falsifikatorëve.

Më të forta dhe rezistente

Seria e re e kartëmonedhave është prodhuar me teknologjitë më të fundit dhe elemente inovative. Në rastin e kartëmonedhës 200 Lekë, materiali prej polimeri, i përdorur është më i qëndrueshëm fizikisht, i sigurt dhe ndihmon në pastërtinë e kartëmonedhës.