Raporti i Politikës Monetare për Tremujorin e tretë të vitit 2011

Authori: Departamenti i Politikës Monetare
Data e prodhimit: 23.11.2011
Data e shtypjes: 23.11.2011
Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Raport i Politikës Monetare
Ekonomia shqiptare ka patur një ecuri përgjithësisht pozitive gjatë vitit 2011, ndonëse në prani të një ambienti të jashtëm të pafavorshëm. Aktiviteti ekonomik në vend ka shënuar rritje, ndërkohë që disa nga balancat kryesore makroekonomike e financiare janë kontrolluar e përmirësuar më tej. Megjithatë, sfidat me të cilat jemi përballur kanë dhënë ndikimin e tyre në ekonominë shqiptare. Më konkretisht, gjatë dy viteve të fundit, rritja ekonomike është ndikuar nga sjellja hezituese e agjentëve ekonomikë në drejtim të konsumit e të investimeve. Gjithashtu, rivlerësimi i rrezikut në tregjet financiare është shoqëruar me kujdes të shtuar dhe prime të rritura rreziku në tregjet e brendshme e të huaja të kreditit. Nga ana tjetër, çmimet e larta të naftës, të ushqimeve e të produkteve të tjera në tregjet botërore, kanë rritur faturën e importit të ekonomisë shqiptare dhe u shoqëruan me presione të forta inflacioniste gjatë gjysmës së parë të vitit.