Konferenca vjetore të Bankës së Shqipërisë
Harmonizimi i politikës monetare me stabilitetin financiar - objektivat, përgjigjet dhe ndërveprimi mes tyre në periudha pasigurie

Në datën 27 tetor 2016, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve të Evropës Juglindore të Universitetit të Oksfordit, zhvillon konferencën e saj vjetore me temë: "Harmonizimi i politikës monetare me stabilitetin financiar - objektivat, përgjigjet dhe ndërveprimi mes tyre në periudha pasigurie".

Kjo konferencë organizohet nën kujdesin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, përfaqësuesve të Kabinetit qeveritar dhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Të pranishëm janë gjithashtu guvernatorë, zëvendësguvernatorë, anëtarë të bordeve drejtuese dhe përfaqësues të lartë të bankave qendrore, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar e Banka Botërore, rrethe akademike në vend, përfaqësues të sistemit bankar e financiar, përfaqësues të medias, si dhe stafi i Bankës së Shqipërisë. Kjo konferencë realizohet në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit që Banka e Shqipërisë ka nënshkruar me Universitetin e Oksfordit.

27Tetor2017 1

27Tetor2017 2


Konceptuar në tre sesione, punimet e konferencës u çelën me fjalët përshëndetëse të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, dhe Drejtorit të Qendrës së Studimeve të Evropës Juglindore në Universitetin e Oksfordit, z. Othon Anastasakis.

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, bëri një ekspoze të zhvillimeve makroekonomike në vend, ku u shpreh se pavarësisht situatës të pafavorshme ndërkombëtare, ekonomia shqiptare ka ndjekur një trajektore pozitive, duke shtuar se ajo pritet të vijë në përmirësim dhe balancat kryesore ekonomike do të forcohen gjatë viteve të ardhshme. Në këtë kuadër, Guvernatori theksoi se Banka e Shqipërisë do të japë të gjithë kontributin e nevojshëm për t’i garantuar vendit një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe inflacion në objektiv.

Banka e Shqipërisë po ndjek një politikë monetare lehtësuese dhe, krahas saj, ajo i ka kushtuar një vëmendje të madhe reformës në sektorin financiar dhe mbikëqyrjes bankare. Një rëndësi të veçantë në këtë drejtim kanë ndryshimet legjislative, fiskale dhe rregullatore të ndërmarra në bashkëpunim me Kuvendin, Qeverinë dhe institucionet e tjera të linjës, për rigjallërimin e aktivitetit kreditues në vend. Guvernatori Sejko u shpreh se zgjidhja e çështjes së kredive me probleme mbetet prioritet, pasi është e një rëndësie të veçantë, jo vetëm për sistemin bankar, por për të gjithë ekonominë e vendit.

27Tetor2017 3

27Tetor2017 4

Guvernatori Sejko u ndal gjithashtu në zhvillimet më të fundit në Eurozonë dhe në rajon, dhe analizoi ndikimet që ato kanë në ekonominë shqiptare. Në këtë drejtim, Guvernatori Sejko garantoi se, pavarësisht këtyre zhvillimeve, Banka e Shqipërisë është e gatshme të japë të gjithë kontributin e nevojshëm për të mbështetur një rritje ekonomike të qëndrueshme.

Më tej, gjatë fjalës së tij, ai theksoi se koordinimi i politikës monetare me masat e nevojshme për ruajtjen e stabilitetit financiar mbetet një çështje ende sfiduese për politikëbërësit. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, shtoi se në vizionin e Bankës së Shqipërisë, një politikë monetare e orientuar drejt stabilitetit të çmimeve dhe një politikë mbikëqyrëse e rregullatore e orientuar drejt stabilitetit financiar, janë në interes të zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë, dhe komplementare me njëra-tjetrën.

Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori Sejko, veçoi rëndësinë e vazhdimit të reformave strukturore, të cilat do të ndikonin në forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike dhe financiare të vendit.

Në fjalën e tij, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, theksoi se falë koordinimit të politikave u arrit të kapërcehej një moment kritik në vitin 2013 dhe sot pas tre vitesh rimëkëmbjeje të gjithanshme, Shqipëria po ecën drejt një modeli të ri ekonomik. "Gjatë këtyre viteve, politikat e qeverisë dhe ato të Bankës së Shqipërisë kanë qenë në bashkërendim të plotë, duke mundësuar kapërcimin e një gjendjeje kolapsi që kërcënonte ekonominë shqiptare në 2013-ën. Pas tre vitesh rimëkëmbjeje të gjithanshme, financat e shtetit shqiptar janë të konsoliduara, borxhi publik ka hyrë në një trend rënës, ndërsa të ardhurat janë rritur. Sot jemi në kushtet kur ekonomia shqiptare në tremujorin e dytë u rrit me 3,2%, ndërsa vitin e ardhshëm sipas të gjitha parashikimeve do të prekim nivelin e 4%. " - u shpreh Kryeministri.

Më tej, Kryeministri u shpreh se ambienti rajonal dhe ai global shfaqet delikat dhe me shumë pikëpyetje, prandaj për të përballuar rrezikun e çdo krize të mundshme, ne jemi të vendosur të rrisim bashkëpunimin me aktorët lokalë dhe ndërkombëtarë, e mbi të gjitha me sipërmarrjen dhe investitorët aktualë e potencialë.

Në përfundim, Kryeministri Rama përgëzoi Bankën e Shqipërisë për rolin dhe kontributin e saj në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe mbështetjen për zhvillimin e mëtejshëm makroekonomik të vendit. Politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë kanë nxitur formimin e një sektori bankar likuid, fitimprurës, të mirëkapitalizuar dhe të aftë për të përballuar goditje të ndryshme.

27Tetor2017 5

27Tetor2017 6

Sesioni i parë i konferencës do të trajtojë sfidat në rrafshin politik dhe ekonomik, si dhe ndikimet e mundshme të daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian ose i ashtuquajturi fenomeni Brexit. Në këtë kontekst, në qendër të këtij sesioni do të jetë edhe optimizimi i koordinimit të ekonomive të Ballkanit me ekonomitë më të zhvilluara të BE-së për të mbështetur rritjen dhe stabilitetin e vendeve.

Gjatë sesionit të dytë, diskutimet do të fokusohen në ndikimet e zhvillimeve aktuale në realitetin e ri me të cilin po përballet Eurozona dhe rajoni. Si pjesë e diskutimeve do të jenë edhe mënyrat e nevojshme për koordinimin e politikës monetare me atë të stabilitetit financiar, përkthimi që gjen ky koordinim në objektivat e bankave qendrore, si dhe aspektet pozitive dhe negative të këtij koordinimi.

Sesioni i tretë, paneli i Guvernatorëve, mbledh në të një tryeze të veçantë diskutimi: Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko, Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Bedri Hamza, Guvernatorin e Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë, z. Dimitar Bogov, Anëtarin e Bordit Drejtues së Deutsche Bundesbank, z. Johannes Beermann, Zëvendësguvernatorin e Bankës Kombëtare të Kroacisë, z. Michael Faulend, Zëvendësguvernatorin e Bankës së Greqisë, z. John (Iannis) Mourmouras, Zëvendësguvernatorin e Bankës Qendrore të Malit të Zi, z. Nikola Fabris.

Diskutimet në këtë panel përqendrohen mbi përshtatshmërinë e instrumenteve të politikave për trajtimin e problemeve aktuale, si dhe përdorimin e mjeteve dhe instrumenteve të politikës monetare dhe të stabilitetit financiar në mënyrë të këmbyeshme, gjatë të cilit folësit shprehin mendimet dhe opinionet e tyre lidhur me këto çështje.

27Tetor2017 7

27Tetor2017 8

 

 

27Tetor2017 9