Shpallen fituesit e Çmimit të Guvernatorit për Diplomën më të Mirë

Në ditën e dytë të Konferencës VII Vjetore të Bankës së Shqipërisë, u shpallë fituesit e konkursit "Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë", për vitin 2007.

Komisioni i vlerësimit në Bankën e Shqipërisë, pasi shqyrtoi aplikimet e shumta të ardhura nga studentë të diplomuar brenda dhe jashtë vendit, në universitetet më të njohura shqiptare dhe evropiane, ka vendosur të akordojë çmimet e mëposhtme:

  • Çmimi i parë, z. Drini Imami dhe z. Endrit Lami, studentë në Masterin Shkenca Ekonomike Evropiane, Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Bambergut, për temën " Kërkimi për një cikël politik të biznesit në Shqipëri".
  • Çmimi i dytë, zj. Ersida Doçaj, studente në London Metropolitan University, për temën "Cili ka qenë impakti i sistemit bankar në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë në vitet 1992-2006?"
  • Çmimi i tretë, z. Afrim Laçi, student në Universitetin e Shkodrës për temën "Turizmi dhe potencialet e tij në diversifikimin e ekonomisë në zonën e Pukës".

Dhënia e këtij çmimi, e cila tashmë përbën një traditë të përvitshme të Bankës së Shqipërisë, synon të nxisë studentët që të ndërmarrin studime të thelluara në fushën e bankingut qendror dhe të ekonomisë në përgjithësi, duke shërbyer edhe si një mundësi e mirë për Bankën e Shqipërisë për të thithur burime njerëzore të kualifikuara.