Konferenca VI e Bankës së Shqipërisë
Tregjet financiare rajonale dhe stabiliteti financiar në rajon - Një koncpet midis sovranitetit dhe globalizimit

30 - 31 TETOR 2006
HOTEL "SHERATON", TIRANË

Konferenca e VI Ndërkombëtare e organizuar nga Banka e Shqipërisë në ambientet e hotel Sheraton "Tregjet financiare rajonale dhe stabiliteti financiar - një koncept midis sovranitetit kombëtar dhe globalizimit" zhvilloi ditën e parë të punimeve.

Punimet u përqendruan në diskutimet që lidhen me stabilitetin financiar dhe rolin e bankave tregtare në arritjen e këtij stabiliteti. Konferenca ofroi mundësinë e shkëmbimit të pikëpamjeve ndërmjet aktorëve të ndryshëm në tregun financiar të rajonit të Evropës Juglindore dhe më gjerë si dhe diskutoi disa nga prirjet më të reja financiare ne rajon.

konferenca30tetor2006

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Ardian Fullani mbajti fjalën e hapjes së Konferencës gjatë së cilës theksoi se gjatë viteve të fundit, sektori financiar ka njohur rritje, në çdonjërin prej vendeve të rajonit kryesisht për meritë të zhvillimit të sistemit bankar dhe privatizimit të shpejtë të tij. Sipas Guvernatorit Ardian Fullani: "Ky proces i ka hapur rrugë depërtimit të bankave të njohura, duke sjellë kapitale të huaja, ekspertizë dhe konfidencë në rajon."

Përjashtim nuk bën edhe sistemi bankar shqiptar. Guvernatori ka vlerësuar se transformimi i sistemit bankar ka qenë një element i rëndësishëm në rrugën e gjatë të tranzicionit, që ka ndikuar në përforcimin e stabilitetit makroekonomik, ka sjellë ndikime në ndërtimin dhe forcimin e institucioneve, si dhe ka kontribuar në përshpejtimin e reformave strukturore.

Gjatë vitit 2006 janë regjistruar zhvillime të rëndësishme në sistemin bankar. Aktivet e tij gjatë tetë muajve të parë të vitit janë rritur me 12 për qind dhe vlerësohen të jenë rreth 60 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Sistemi bankar rezulton me fitim, është likuid dhe i kapitalizuar. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Ardian Fullani gjatë fjalës së tij veçoi hyrjen në tregun shqiptar bankar të Bankës San Paolo Imi. Kjo hyrje e re, sipas tij, i hap rrugën një konsolidimit të mëtejshëm të sistemit bankar në Shqipëri.

Ai gjithashtu theksoi rëndësisë e mbikëqyrjes nëpërmjet së cilës do të garantohet vendosja dhe konsolidimi i stabilitetit financiar. Këtij konsolidimi do t'i shërbejë edhe krijimi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. "Ne si Bankë e Shqipërisë jemi thellësisht të hapur për të dhënë ndihmesën tonë, në mënyrë që vigjilenca financiare t'i paraprijë zhvillimit. Jam i bindur se kjo do t'i paraprijë zhvillimeve të pritshme në shoqëritë e sigurimeve, në fondet e pensioneve, në ndërmjetësit dhe në ndihmësit financiarë në përgjithësi."- tha Guvernatori Fullani.

Në fjalën e tij Z. Fullani përforcoi idenë se integrimi i tregjeve financiare dhe zhvillimi i sektorit financiar janë pararendës të Integrimit Evropian. Ndërkohë që shanset për integrim të shpejtë rriten në qoftë se vendet e rajonit veprojnë në grup.

Konferencën VI Ndërkombëtare të Bankës së Shqipërisë e përshëndeti edhe Kryeministri i vendit Sali Berisha. Në fjalën e tij kryeministri u zotua të kontribuojë në lehtësimin e pengesave ligjore, rregullatore, konkurrenciale dhe të politikës fiskale, me të cilat ndeshen institucionet financiare në vendin tonë si dhe në aktivitetin e tyre ndërajonal.

Konferencën e përshëndeti edhe z. Lorenzo Bini Smaghi Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane. Në prezantimin e tij "Mbi sfidat e stabilitetit financiar dhe monetar ne Evropën Juglindore" z. Smaghi vlerësoi se prania e bankave të huaja në rajon është shoqëruar më një mjedis më të qëndrueshëm të kreditimit, sikurse edhe me një qeverisje dhe administrim më të mirë të rrezikut. "Politikat e kujdesshme fiskale dhe të rritjes së mirëqenies sikurse reformat strukturore mund të japin një kontribut të rëndësishëm në stabilitetin monetar veçanërisht në kushtet e regjimit të inflacionit të shënjestruar dhe politikëbërësve duhet t'u kërkohet të ndërmarrin këtë përgjegjësi."-deklaroi Lorenzo Bini Smaghi.

Në konferencë morën pjesën përfaqësues të nivelit të lartë nga bankat qendrore të rajonit dhe më gjerë, nga bankat tregtare që zhvillojnë aktivitetin e tyre në rajonin tonë si dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Evropiane, Banka Botërore, Banka për Rregullime Ndërkombëtare (BIS), Komisioni Evropian etj.

Gjatë ditës së dytë të punimeve të Konferencës diskutimet u përqendruan në lidhjet e stabilitetit financiar me mbikëqyrjen dhe politikën monetare si dhe në çështjet që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen e institucioneve financiare.

Bashkëpunimi rajonal në prizmin e stabilitetit financiar ishte boshti i tryezës së rrumbullakët, e cila mblodhi guvernatorët e bankave të rajonit (konkretisht, Rumanisë, Serbisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës) në panelin e gjashtë.

Gjatë punimeve të ditës së dytë të Konferencës, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani shpalli edhe fituesit e konkursit "Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë".

Kliko këtu për të lexuar Programin e Konferencës VI