Akti Unik Europian - 1986

Akti Unik Europian (AUE) u nënshkrua në Luksemburg dhe u ratifikua nga parlamentet e vendeve anëtare në 1986. AI hyri në fuqi në 1 korrik 1987. Rëndësia e këtij dokumenti qëndron ne faktin se ai i dha dinamizëm ngrehinës europiane nëpërmjet krijimit të tregut të brendshëm më 1 janar 1993. Akti Unik pati gjithashtu rëndësi në forcimin e rolit të Parlamentit europian, duke mbushur atë deficit demokratik që ishte vënë re në Komunitet. Veç kësaj, Akti Unik i dha një shtysë të fuqishme aftësisë vendimmarrëse të Këshillit të Ministrave.

Akti Unik Europian ka gjithashtu rëndësi jo vetëm për faktin se amendoi shumë nga dispozitat e Traktatit të Romës, por edhe se institucionalizoi një formë të re të bashkëpunimit midis vendeve në fushën e politikës së jashtme.

NGRITJA E TREGUT TË BRENDSHËM

Qëllimi i Aktit Unik Europian ishte të siguronte krijimin e një tregu të brendshëm para vitit 1992, që nënkuptonte «një hapsirë pa kufi brenda së cilës të sigurohej qarkullimi i lirë i produkteve, i njerëzve, i shërbimeve dhe i kapitaleve» (Neni 7 A).

Për arritjen e këtij objektivi tashmë të shpallur në Traktatin e Romës më 1957, Këshilli i Ministrave i Bashkimit Europian përcaktoi me shumicë votash drejtimet strategjike nëpërmjet të cilave do të arrihej ngritja e tregut të brednshëm : tarifa doganore të jashtme, liria e shërbimeve, liria e lëvizjes së kapitaleve, transporti detar dhe ajror, harmonizimi i legjislacioneve.

Pavarësisht kësaj, vendeve anëtare iu dhanë disa garanci, që kishin të bënin me :
- disa dispozita derogatore (përjashtuese) të përkohshme, të cilat iu njohën vendeve më pak të zhvilluara ;
- disa klauzola mbrojtëse në kuadrin e përafrimit të dispozitave legjislative të jashtme.

POLITIKA TË REJA TË PËRBASHKËTA

Me nënshkrimin e Aktit Unik Europian, vendet anëtare të Bashkimit Europian i deleguan një pjesë të fuqisë së tyre vendimmarrëse institucioneve europiane në disa fusha të reja. Kështu:

  • u zgjerua kompetenca komunitare në fushën e kërkimeve dhe të zhvillimit teknologjik, të mjedisit dhe të politikave sociale.
  • u kodifikua bashkëpunimi në fushën e politikave ekonomike dhe monetare dhe u parashikuan reforma institucionale të cilat do të çonin më pas në Traktatin e Maastrihtit, i cili do të institucionalizonte bashkimin monetar;
  • u parashikua me qëllim arritjen e objektivit të kohezionit ekonomik e social, që të reformoheshin Fondet strukturore të cilat mbështesnin financiarisht zhvillimet rajonale dhe nismat në favor të publikut (si për shembull, FEOGA - Fondi Europian i orientimit dhe i garancive bujqësore, FEDER - Fondi Europian i zhvillimit rajonal, FSE - Fondi social europian) ;
  • u miratua, me shumicë votash, kuadri ligjor e rregullator në fushën e shëndetësisë dhe të sigurisë së punonjësve.

RREGULLIME INSTITUCIONALE

Arritja e objektivave dhe ndërmarrja e veprimeve konkrete, kërkonte zhvillimin e një reforme institucionale. Në këtë drejtim, hapat më të spikatur kanë të bëjnë me:

  • Rritjen e fuqisë votuese të Këshillit, duke kaluar në shumicë votash : Kalimi në këtë mekanizëm e bënte më të lehtë miratimin e vendimeve të Këshillit të ministrave të Bashkimit Europian, ndërkohë që unanimiteti nuk kërkohej më në çështjet e tregut të brendshëm. Në sektorët e tjerë, vendimet fillestare ose në parim miratoheshin me unanimitet, ndërsa ato të zbatimit me shumicë votash.
  • Forcimin e pushtetit të Parlamentit Europian, nëpërmjet zgjerimit të kompetencave të Parlamentit. Nga njëra anë, miratimi në parim i Parlamentit Europian ishte i rëndësishëm në momentet e miratimit të marrëveshjeve të zgjerimit apo të asocimit të Komunitetit me vendet e tjera. Ndërsa, nga ana tjetër, fillimi i një procedure të re të quajtur "procedurë bashkëpunimi", e rriti pushtetin e Parlamentit duke forcuar njëkohësisht rolin e Komisionit europian si arbitër dhe duke ruajtur fuqinë vendimmarërse përfundimtare të të Këshillit të Bashkimit Europian. Kjo procedurë ka të bëjë me tregun e brendshëm, politikën sociale, kohezionin ekonomik e social, kërkimet dhe me zhvillimin teknologjik.
  • Institucionalizimi i Këshilli europian: Akti Unik ligjëroi ekzistencën e Këshillit europian. Ai përcaktoi se në përbërje të tij ishin kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare, Presidenti i Komisionit europian i asistuar nga ministrat e punëve të jashtme dhe nga një anëtar i Komisionit.
  • Krijimi i Gjykatës së shkallës së parë: u ligjërua krijimi i Gjykatës së shkallës së parë, e cila do të asistonte Gjykatën e Drejtësisë së Komunitetit europian. Kompetencat e kësaj Gjykate shtriheshin në shkallën e parë lidhur me çështjet e anullimeve apo rishikimeve të depozituara nga persona fizikë e juridikë, me çështjet kundër Komisionit europian të depozituara nga ndërmarrjet, konfliktet midis Bashkimit europian dhe funksionarëve e punonjësve të tij. Të gjitha çështjet mund të transferohen në këtë Gjykatë, me përjashtim të çështjeve me paramendim.

FORCIMI I BASHKËPUNIMIT EUROPIAN NË FUSHËN POLITIKE

Vendet anëtare u angazhuan të ndjekin një politikë të jashtme të përbashkët, që nënkuptonte se secili vend në procesin e përcaktimit të politikave të tij dhe të vendimmarrjes duhet të mbante parasysh qëndrimet e anëtarëve të tjerë dhe interesin e përbashkët europian. Kështu, përcaktimi i objektivave dhe i parimeve të përbashkëta do të çonte në mënyrë graduale në lindjen e një politike të përbashkët. Veç kësaj, u parashikua që bashkëpunimi midis vendeve anëtare të shtrihej edhe në fushën e sigurisë, e kryesisht në aspektet politike, ekonomike dhe teknologjike, pa cënuar Bashkimin e Europës perëndimore apo Aleancën e Atlantikut verior.

Bashkëpunimi në fushën politike drejtohet nga shteti i cili kryeson Presidencën e Bashkimit europian. Presidenca së bashku me Komisionin europian siguron koherencën e politikës së jashtme dhe ndërmerr iniciativa bashkërendimi dhe përfaqëson tërësinë e shteteve anëtare.

ZBATIMI I TRAKTATIT

Akti Unik Europian interpretohet si vazhdim i Traktatit të Romës të vitit 1957 që ligjëroi krijimin e Komunitetit ekonomik europian. Ai bëri të mundur kalimin më 1 janar 1993 të Tregut të përbashkët të dalë nga Traktati i Romës, në një treg të vetëm pa kufi të brendshëm.

Akti Unik i hapi rrugën Bashkimit europian, i cili do të marrë formë me Traktatin e Maastrihtit.

Për të lexuar tekstin shqip të Aktit Unik Europian, klikoni mbi linkun përkatës.