Traktati i Amsterdamit

Funksionimi i Bashkimit Europian është rregulluar me një traktat të nënshkruar nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian, i cili përcakton në mënyrë shumë të qartë kompetencat, që vendet anëtare u kanë dhënë institucioneve europiane.

Traktatin e Maastrihtit parashikohej rishikimi i traktateve, me qëllim që të sigurohej një efikasitet më i mirë i institucioneve komunitare në kuadrin e zgjerimit të ardhshëm të BE-së. Ai u pasua nga një periudhë e vështirë për integrimin europian, një periudhë, e cila gjithsesi pak nga pak dhe me sakrifica u kapërcye. Kur përfundimisht u pranuan dispozitat e Traktatit të Mastrihtit, nisën punimet për krijimin e një traktati të ri, i cili do të shënonte një hap të ri përpara në rrugën e integrimit.

Kështu, në Amsterdam, më 16-17 qershor 1997, kryetarët e shteteve dhe të qeverive të 15 vendeve të Bashkimit Europian arritën në një marrëveshje politike për një traktat të ri për Europën, Traktatin e Amsterdamit. Ndoshta falë eksperiencës së Maastrihtit, Traktati i Amsterdamit, prej të cilit shumëkush priste zhvillime të reja, u paraqit si traktat modest, i realizuar me kujdes. Megjithatë, ai mbetet një traktat shumë i rëndësishëm, pasi forcoi objektivat e arritura nga traktatet e tjera dhe, megjithëse jo në mënyrën që pritej, hodhi hapat për një bashkëpunim më të fuqishëm në nivel europian.

Zhvillimi i Bashkimit Europian nuk është më një proces thjesht teknik, që duhet vlerësuar vetëm nga institucionet apo qeveritë. Ai është traktati i të gjithë qytetarëve, pasi siguria, punësimi, politika e jashtme, mbrojtja, legjitimiteti i institucioneve janë çështje e të gjithë qytetarëve europianë.

Me objektivat që përcaktoi, Traktati i Amsterdamit konsolidoi tri shtyllat kryesore mbi të cilat mbështetet veprimtaria e Bashkimit Europian që prej Traktatit të Maastrihtit: Komuniteti Europian, politika e jashtme dhe e sigurisë, bashkëpunimi në fushën e drejtësisë dhe të punëve të brendshme. Ai afirmoi parimet e lirisë, të demokracisë dhe të respektit të të drejtave të njeriut, duke propozuar krijimin e një hapsire lirie, sigurie dhe drejtësie, duke iniciuar reformën e institucioneve europiane dhe zgjeruar listën e të drejtave nëpërmjet garantimit të respektimit të tyre nga të gjitha vendet e BE-së: te drejta sociale, barazia midis burrit dhe gruas, shërbimet publike dhe duke konsoliduar në këtë mënyrë dimensionin social.

Traktati i Amsterdamit përcaktoi katër objektiva kryesore.

PUNËSIMI DHE QYTETARI NË ZEMËR TË BASHKIMIT EUROPIAN.

Traktati përcakton si objektiv të Bashkimit Europian «një nivel të lartë të punësimit», i cili do të arrihet me një bashkërendim të mirë midis politikave kombëtare të vendeve anëtare për luftën kundër papunësisë, si: krijimi i mekanizmave të krahasimit dhe të vlerësimit apo i planveprimeve të përbashkëta. Në këtë mënyrë, Traktati i ri riafirmon përgjegjësinë e vetë shteteve anëtare në fushën e punësimit duke vënë në plan të parë nevojën e bashkëpunimit midis tyre. Kështu, projekte pilote për punësimin dhe masa për krijimin e vendeve të punës do të financohen nga fonde europiane.

Politika sociale (përmirësimi i legjislacionit të punës, lufta kundër diskriminimit) u vendos në rangun e politikës komunitare dhe të gjitha vendet anëtarë duhet ta zbatojnë, përfshi edhe Mbretërinë e Bashkuar.
Traktati parashikon masa për forcimin e të drejtave themelore, ndalon çdo lloj diskriminimi, njeh të drejtën për informim si dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Ai autorizon hartimin e një kuadri rregullator europian për mbrojtjen e e shëndetit të konsumatorëve, në fushën e produkteve shtazore apo të substancave me origjinë njerëzore.

QARKULLIMI I LIRË DHE SIGURIA.

Traktati krijon "një hapsirë lirie, sigurie dhe drejtësie" brenda Bashkimit Europian. Konventa e Shengenit, në bazë të së cilës, lejohet qarkullimi i lirë i njerëzve pa kontrolle kufitare dhe organizohet bashkëpunimi policor midis 10 vendeve është përfshirë në këtë Traktat, duke qenë e zbatueshme kështu, nga të gjitha vendet e BE-së (me kushte të veçanta për Mbretërinë e Bashkuar, Irlandën dhe Danimarkën).

Kontrolli i imigracionit, vizat, e drejta e azilit, bashkëpunimi gjyqësor në fushën civile lidhen me vendime komunitare, që janë miratuar me unanimitet gjatë pesë vjetëve pas hyrjes në fuqi të Traktatit me përjashtime për vendet e sipërpërmendura.

Në kuadrin e bashkëpunimit ndërqeveritar, vendet do të përforcojnë veprimet e tyre në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, pedofilisë, trafikut të drogës dhe të armëve, mashtrimit e korrupsionit.

DREJT NJË POLITIKË TË JASHTME DHE TË SIGURISË TË PËRBASHKËT.

Me Traktatin e Amsterdamit, politika e jashtme dhe e sigurisë së përbashkët pajiset me instrumenta të rinj, por ajo do të varet gjithnjë nga vullneti i vendeve anëtare për të zbatuar me një marrëveshje unanime. Kjo do të thotë që një vend mund të vendosë të abstenojë dhe të mos marrë pjesë në një veprim të përbashkët me vendet e tjera, duke e bllokuar kështu këtë iniciativë të përbashkët.

Traktati parashikon emërimin e «një Përfaqësuesi të lartë të politikës së jashtme dhe sigurisë së përbashkët», i cili asistohet nga një njësi e planifikimit të politikës dhe e alarmit, e përbërë nga specialistë të vendeve të ndryshme anëtare, të Këshillit të ministrave të Bashkimit Europian, të Komisionit Europian dhe të Bashkimit të Europës perëndimore (OEU - organizata e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes).

REFORMA E INSTITUCIONEVE EUROPIANE PARA ZGJERIMIT.

Traktati i Amsterdamit u njeh kompetencën për trajtimin e çështjeve lidhur me qarkullimin e lirë të njerëzve, policinë dhe punësimin, katër aktorëve kryesorë: Këshillit të Bashkimit europian, Parlamentit europian, Komisionit europian dhe Gjykatës së Drejtësisë.

Ai rishikoi pjesërisht sistemin e vendimmarrjes në këto drejtime:

  • forcoi në mënyrë të konsiderueshmë pjesëmarrjen e Parlamentit europian në procedurat legjislative të BE-së, nëpërmjet përgjithësimit dhe thjeshtësimit të procedurave të "bashkë-vendimmarrjes". Parlamenti europian dhe Këshilli i ministrave të BE-së i marrin vendimet së bashku dhe janë të barabarë këtë proces vendmmarrje për shumicën e akteve ligjore e kryesisht ato që lidhen me qytetarin: punësimi, shëndeti, qarkullimi i lirë, kërkimet, mjedisi, barazia në shpërblim etj..
  • në gjirin e Këshillit, unanimiteti kërkohet vetëm për çështjet kushtetuese dhe temat e ndjeshme si për shembull fiskaliteti, dhe kuadri rregullator për emigracionin dhe vizta për 5 vjet.

Në perspektivën e hyrjes së vendeve të reja në Bashkimin Europian, u vendos që të kufizohej numri i përfaqësuesve për secilin vend, me qëllim që të lehtësohej vendimmarrja. Si rrjedhojë, u vendos që të jenë 20 komisarë dhe 700 deputetë.

Traktati i Amsterdamit parashikon një sistem bashkëpunimi sipas të cilit disa vende mund të angazhohen në "në aleanca bashkëpunimi" me njëri-tjetrin, duke u lënë mundësinë vendeve të tjera që dëshirojnë të bashkëpunojnë me ta në këtë drejtim.