Traktati i Parisit - 1951

I nënshkruar në Paris , më 18 prill 1951, Traktati i Parisit njihet si traktati që sanksionoi krijimin e Komuneteteve europiane të Qymyrit dhe Çelikut (KEQÇ). Nëpërmjet tij, gjashtë vendet nënshkruese (Belgjika, Franca, Holanda, Italia, Luksemburgu dhe Republika Federale e Gjemranisë), angazhohen të vendosin bashkëpunimin ndërkombëtar mbi baza krejtësisht të reja.

Ky bashkëpunim synonte krijimin e një Tregu të Përbashkët të qymyrit dhe çelikut, nëpërmjet vendosjes së prodhimit të tyre nën një pushtet mbikombëtar, i cili ishte Autoriteti i Lartë i përbashkët franko-gjerman i hapur ndaj pjesëmarrjes së vendeve të tjera të Europës. Në këtë mënyrë, do të hidheshin bazat e përbashkëta të zhvillimit ekonomik, si faza e parë e federatës europiane, për të ndryshuar kështu fatin e këtyre vendeve të cilat për shumë kohë i ishin drejtuar industrisë së prodhimit të armëve.

Krijimi i tregut të përbashkët të qymyrit dhe çelikut presupozonte heqjen e tarifave doganore dhe të kufizimeve sasiore në qarkullimin e lirë të mallrave, heqjen e masave diskriminuese si dhe subvencionimet e ndihmat shtetërore. Ai dominohej nga parimi i konkurrencës së lirë, por ndërkohë Komuniteti kontrollonte furnizimin e tij të rregullt dhe përcaktimin e çmimeve në nivelin më të ulët.

Krijimi i KEQÇ ndikoi pozitivisht në intensifikimin e këmbimeve, modernizimin e prodhimit, rënien e mungesës së qymyrit në treg dhe dyfishimin e prodhimit të çelikut stabilizimin e furnizimit të tregut me produkte çeliku, dhe e gjithë kjo në kushte më të mira të konkurrencës dhe të kontrollit të marrëveshjeve.

Në vitin 1965, institucionet e KEQÇ u shkrinë me ato të Komunitetit ekonomik europian dhe Euroatomit në një Komision dhe një Këshill te Përbashkët.