Arkitektura e ndërtesës qëndrore

 

Vlerat arkitektonike të kësaj ndërtese janë të një rëndësie të veçantë në aspektin kulturor, si një përfaqësuese e spikatur e rrymës së “racionalizmit”, e cila përveç kësaj ndërtese ka edhe përfaqësuese të tjera në Shqipëri.

Solide dhe e rëndë në pamjen e parë, godina rrethohet nga një ngrohtësi origjinale, e cila buron nga ngjyra e kuqërremtë e fasadës dhe forma e zbutur e gjysmërrethit. Hyrja e saj kryesore me kolonat gjigande tepër të larta gjen një harmoni të plotë me qeramikën me të cilën është dekoruar. Shkrirja e përkryer e materialit dhe ngjyrës që është përdorur aty, e veshin këtë godinë me një karakter monumental.

banka para

Madhështia, elementet artistike të saj, fasada e veshur me terrakotë, basorelievet në fasadën kryesore dhe në veçanti mozaiku në hollin kryesor të ndërtesës i japin një rëndësi të jashtëzakonshme kësaj vepre.

Në relievet e ulëta të hyrjes kryesore të godinës së bankës janë gdhendur figura të çmuara, vepra të skulptorit të famshëm italian Alfredo Biagini, të cilat simbolizojnë burimet e jetës e të pasurisë së kombit. Ato thyejnë lartësinë e mureve dhe figurat e gdhendura aty përshtaten me ato të sallës së brendshme të publikut, të cilat janë vepër e piktorit italian Giulio Roso. Elementet arkitektonikë të fasadave dhe të interierëve, si elementë të dritareve, dyerve dhe dekoracioneve në vetvete të thjeshta, por që në linjën e përgjithshme të ndërtesës, qëndrojnë në unitet të plotë.

banka

Për më shumë se 70 vjet kjo ndërtesë ka strehuar brenda saj shumë prej institucioneve më të rëndësishme financiare të vendit, si Banka e Shtetit, Ministria e Financave apo dhe si filial i B.K.T.-së  për qytetin e Tiranës.

Gjatë këtyre viteve deri në projektin e ri, për këtë ndërtesë nuk është ndërmarrë ndonjë iniciativë për rikonstruksione të thjeshta ose të plota për ta rikthyer atë në gjendjen fillestare. Ka patur tentativa për projekte rikonstruksioni, por nuk është mundur të realizohen.

Ndërkohë ka pasur mirëmbajtje të thjeshta, të cilat janë parë si domosdoshmëri për të mos e lënë ndërtesën të degradohet, kjo derisa të niste realizimi i projektit të plotë i ndërhyrjes së rikonstruksionit.

Kështu, pas më shumë se 70 vjetësh godina mbeti po ajo, Ndërkohë që Banka e Shqipërisë zhvillohej me ritmin e kohës, godina ku ajo ushtronte aktivitetin për fat të keq vazhdonte të ishte ajo e 70 viteve më parë. Një godinë me arkitekturë unike, me vendodhje të përkryer, por që nga këndvështrimi i hapësirave të punës dhe funksionaleteve kishte mbetur mbrapa me kohën.

banka hyrja

Në kuadër të strategjisë së saj së zhvillimit, aktiviteti i Bankës së Shqipërisë zgjerohet dita-ditës dhe kualifikohet vazhdimisht. Si rrjedhim, ndërtesa nuk mund të plotësonte edhe kërkesat më minimale: akomodimin në ambiente pune të punonjësve të saj, për të mos thënë që për aktivitete të tjera të natyrës parësore, përfaqësuese dhe ndihmëse, si salla mbledhjesh, konferencash, bibliotekë, muze si dhe ambiente të tjera të natyrës sociale as nuk mund të bëhej fjalë.

Pra, domosdoshmëria e rikonstruksionit dhe restaurimit të ndërtesës lindi si realizim i kërkesës kryesore për rritjen e funksionalitetit të ambienteve në ndihmë të aktiviteteve të Bankës së Shqipërisë, e cila mbështetej dhe në një parim tjetër, atë të kthimit në origjinalitet të ndërtesës ekzistuese.

Për këtë arsye, u shfrytëzua ideja e Morpurgos: të ndërtohej një shtesë në krahët jugorë dhe perëndimorë të oborrit, të një ndërtese ose të një kompleksi të ri, lartësia e të cilit duhet të ishte sa ajo e ndërtesës ekzistuese. Kjo kërkesë e Bankës së Shqipërisë, gjeti mbështetje dhe në planin rregullues të qendrës së qytetit të Tiranës.

basoreliev peshkimi 4473 0