Godina e Bankës së Shqipërisë ka përfunduar së ndërtuari në vitin 1938. Stili i saj arkitektonik i përket rrymës së "Racionalizmit", rrymë e cila lulëzoi në gjysmën e parë të shekullit XX në Evropë. Projekti i godinës është realizuar nga arkitekti i njohur italian i asaj periudhe Vitorio Marpurgo.

Ky stil shquhet për volumet e mëdha dhe linjat e forta në fasada. Kryesisht ai është aplikuar në ndërtimet shtetërore me karakter zyrtar, me qëllim që të shprehte forcën e qeverive të asaj kohe dhe është përdorur në shumë vende të Evropës Perëndimore. Në këtë këndvështrim edhe godina e Bankës së Shqipërisë bën pjesë në ndërtimet më të spikatura të asaj kohe ne llojin e vet, rrymës Racionaliste.

Në projektidenë e saj, godina është konceptuar me planimetri shumëkëndëshe dhe e ndarë nga ana funksionale në dy pjesë, në korpusin kryesor që do të kryente funksionin përfaqësues të bankës dhe në pjesën operative të saj. Kjo e fundit do të ndërtohej në të dy krahët anësorë të prapëm të korpusit kryesor. Kjo pjesë do të ndërtohej në vitet 40-të, por për arsye të Luftës së Dytë Botërore nuk u realizua ndërtimi i saj.

banka ne sfond 1939 44 4471 1
Korpusi kryesor i saj është i ndërtuar në formën e një harku, i detyruar nga pozicioni i saj në sheshin kryesor të qytetit. Hyrja e saj kryesore është realizuar nga një portal madhështor që përfshin të gjithë lartësinë e fasadës dhe i mbështetur në kolona të forta si dhe e zbukuruar me relievë muralë në argjil të pjekur në ngjyrën karakteristike të saj që në kompleks i jep një paraqitje shumë dinjitoze godinës.

Krahas godinës së bankës me të dy pjesët e saj kompleksi ishte parashikuar të plotësohej edhe me pallatin e banimit për punonjësit e bankës. Edhe ky objekt ishte në stil arkitektonik të njëjtë me bankën dhe ishte parashikuar të ndërtohej afër bankës, përbri godinës së Parlamentit Shqiptar të viteve 30-të (sot Teatri i Kukullave).

banka mbrapa 1938 big 4469 1