Çmimi i guvernatorit 2006

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani shpalli gjatë punimeve të Konferencës VI Ndërkombëtare të Bankës së Shqipërisë fituesit e konkursit "Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë".

Dhënia e këtij çmimi synon të nxisë studentët universitarë për të ndërmarrë studime të thelluara në lidhje me ekonomiksin monetar, stabilitetin financiar dhe/ose çështjet e integrimit evropian, fusha këto që paraqesin një interes të veçantë për Bankën e Shqipërisë.

Një numër i madh studentësh të diplomuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e Evropës dhe më gjerë, mori pjesë në këtë konkurs, i cili ofroi edhe shpërblime materiale dhe mundësi trajnimi për fituesit e këtij çmimi.

Pas shqyrtimit të temave të diplomës nga ana e komisionit të posaçëm të vlerësimit u vendos t'i akordohet:

  • Çmimi i parë zj. Gizelda Emini studente e Universitetit të Tiranës
  • Çmimi i dytë z. Arbër Boriçi student i Universitetit të Nju Jorkut në Tiranë
  • Çmimi i tretë zj. Lorena Gega studente e Universitetit të Tiranës

Me nismën e Guvernatorit Fullani, Banka e Shqipërisë synon ta kthejë këtë konkurs në një traditë të përvitshme. Ky çmim u dha gjate panelit te Guvernatorëve ku ishin pjesëmarrës guvernatorët e bankave qendrore te Serbisë, Malit te Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës, Rumanisë, Maqedonisë dhe Autoritetit Qendror Bankar te Kosovës.

Ky panel shërbeu per dhënien e mesazheve nga ana e Guvernatorëve për ruajtjen e stabilitetit financiar duke theksuar gjithnjë e me tepër rolin e bankave qëndrore në këtë kuadër.

Nga diskutimet e guvernatorëve u theksuar domosdoshmëria e bashkëpunimit rajonal midis vendeve te Evropes Juglindore. Megjithëse globalizimi do të cojë përpara bashkëpunimin midis vendeve, përsëri ky nuk është një justifikim që bankat të mos punojnë më shumë në këtë drejtim në rajon.