Elisabeta Gjoni - Zëvendësguvernatore e Parë

guv e gjoni foto

Zj. Elisabeta Gjoni është Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë që prej muajit janar 2012. Ajo është edhe anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që prej muajit nëntor 2011.

Para ushtrimit të këtyre detyrave, Zj. Gjoni ka pasur një karrierë të pasur në sektorin financiar dhe në fushën e rregullimit të tij. Ajo ka shërbyer si Kryetare e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare që prej themelimit të këtij institucioni në 2006 deri në dhjetor 2011. Më herët, ajo ka shërbyer në sektorin e titujve si Kryekomisionere e Komisionit Shqiptar të Letrave me Vlerë.  Gjithashtu, ka qenë anëtare e bordit mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për 8 vjet dhe Zëvendësguvernatore e Bankës së Shqipërisë gjatë viteve 1995 -1997.

Zj. Gjoni ka shërbyer si Guvernatore Alternative për Shqipërinë në BERZh, si këshilltare financiare për financat për Presidentin e Republikës së Shqipërisë gjatë viteve 1992-1996 dhe si anëtare e Komitetit Negociator për Borxhin e Jashtëm. Karrierën e saj tashmë të konsoliduar, ajo e pasuroi duke punuar në sektorin financiar privat pranë Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve.

Pas diplomimit në vitin 1982 për financë në Universitetin e Tiranës, zj. Gjoni pati një karrierë të pasur në fushën akademike. Ajo ishte lektore me kohë të plotë për drejtimin financiar gjatë viteve 1982 – 1992 dhe, aktualisht, është lektore e ftuar për çështje të financës dhe ekonomisë në Universitetin e Tiranës dhe universitete të tjera në Shqipëri.

Gjatë karrierës profesionale, ka marrë pjesë dhe ka dhënë leksione në shumë veprimtari të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare. Zj. Elisabeta Gjoni gjendet në të dhënat biografike Who is who - Global Banking & Finance 2000-2001 International Edition dhe është autore e një sërë studimesh, artikujsh e materialesh kërkimore mbi financën, politikat ekonomike, bankingun, tregjet kapitale, etj.

Përveç kontributit të saj të vlefshëm në sektorin financiar shqiptar, zj. Gjoni jep kontribut aktiv për të ndihmuar njerëzit në nevojë, në veçanti fëmijët. Ajo është anëtare e bordit të Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, një organizatë jofitimprurëse, që punon me përkushtim për të ulur varfërinë dhe për të ndihmuar fëmijët në nevojë. Ajo është edhe anëtare e “Miqtë e Galerisë Kombëtare të Arteve”.
 
Zj. Elisabeta Gjoni është e martuar dhe ka dy vajza.