BANKA E SHQIPËRISË

Procedura që ndjekin funksionarët e lartë të Bankës së Shqipërisë për të marrë vendime

Data e publikimit: 23.06.2021

 

Ligji  për Bankën dhe rregullorja e funksionimit të Këshillit Mbikëqyrës përcaktojnë mënyrën e organizimit të mbledhjeve dhe vendimmarrjen e Këshillit. 

Mbledhjet e Këshillit zhvillohen sipas kalendarit të miratuar prej tij në fillim të vitit. Ai mblidhet jo më pak se një herë në muaj.

Neni 49 i ligjit për Bankën parashikon se çdo anëtar i Këshillit Mbikëqyrës ka të drejtën e një vote. Mbledhja zhvillohet me praninë e më shumë se gjysmës së anëtarëve, duke përfshirë Kryetarin (Guvernatori) ose Zëvendëskryetarin (Zëvendësguvernatorin e  Parë) të tij.

Përveç rasteve kur është parashikuar ndryshe në ligj, vendimet e Këshillit Mbikëqyrës miratohen me shumicën e thjeshtë të votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje.

Neni 50 përcakton se procedurat dhe rezultatet e mbledhjeve janë konfidenciale. Këshilli Mbikëqyrës mund të vendosë për të bërë të njohura publikisht një pjesë ose të gjitha vendimet e tij.

Rregullorja e funksionimit të Këshillit Mbikëqyrës parashikon se Këshilli vendos mbi projektvendimet e paraqitura  për shqyrtim në mbledhje. Për çdo projekt të paraqitur duhet të  marrë vendim më vete. Votimi është i hapur. Në rast barazie vote, kryetari i mbledhjes ka votën përcaktuese.

Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të pranishëm në mbledhje duhet të votojnë vetëm “pro” ose “kundër”.

Referenca:

Ligji 8269/1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar (neni 50)

Statuti i Bankës së Shqipërisë Miratuar me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë 90/2015.

Kodi i Procedurave Administrative