BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Banka e Shqipërisë bëhet pjesë e aktiviteteve të Samitit II të Diasporës Shqiptare

Data e publikimit: 04.03.2019

 

Në datat 28 shkurt - 2 mars 2019 zhvilloi punimet Samiti II i Diasporës Shqiptare. Ky aktivitet u organizua nga Qeveria Shqiptare me pjesëmarrjen e personaliteteve shqiptare të biznesit, shkencës, artit e kulturës, të cilët jetojnë jashtë vendit.

DSC 3177 - Copy 498

Ky samit mundësoi një hapësirë diskutimi për çështje të ndryshme të politikëbërjes së shtetit shqiptar, përfshirë qasjen e re të bashkëpunimit me Diasporën dhe njëkohësisht këndvështrimin e Diasporës mbi ndikimin e këtyre politikave, duke evidentuar sukseset e arritura dhe vështirësitë e hasura gjatë këtij bashkëpunimi.

Pjesë e aktiviteteve të organizuara në kuadër të Samitit II të Diasporës Shqiptare u bë dhe Banka e Shqipërisë.

DSC 3149 - Copy 498

Me ftesë të organizatorëve, në datë 1 mars 2019, Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Luljeta Minxhozi, mbajti një fjalë në panelin “Zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm – Vendlindja dhe Diaspora”.

Në fjalën e saj, zj. Minxhozi u shpreh se diaspora shqiptare karakterizohet nga lidhja e fortë që ka me vendin e origjinës dhe kontributin e rëndësishëm që jep në rritjen ekonomike të vendit. Në këtë kuadër, ajo theksoi rolin e rëndësishëm që luajnë në ekonominë e vendit remintancat, dhe masat që po ndërmerren nga Banka e Shqipërisë për të nxitur dhe lehtësuar procesin e transferimit të remintancave në ekonominë vendase.

Në këtë drejtim, Zëvendësguvernatorja Minxhozi shprehu rëndësinë e zbatimit të projektit të përbashkët të Bankës së Shqipërisë më Bankën Botërore për formalizimin e fluksit hyrës të dërgesave nga jashtë përmes kanaleve bankare. Një tjetër hap i rëndësishëm në këtë proces është dhe hartimi i projektligjit të ri për shërbimet e pagesave me vlerë të vogël, pjesë e të cilit janë dhe remitancat.

Banka e Shqipërisë ishte gjithashtu pjesë integrale e panairit së çelur në ambientet ku u mbajtën punimet e samitit, në datë 1 mars 2019, në Tiranë. Në stendën e Bankës së Shqipërisë u prezantuan botime periodike dhe joperiodike të Bankës, materiale numizmatike, si dhe dy filma me temë: “Roli dhe funksionet e BSH-së” dhe “Momentet kryesore të bankingut dhe historisë së Lekut në rreth 100 vite”.

DSC 3437 498

Gjithashtu, në këtë aktivitet të u prezantua edhe skulptura e Bankës së Shqipërisë dedikuar Diasporës. Faqja dhe shpina e kësaj skulpture janë konceptuar si dy pjesë që i japin kuptim njëra-tjetrës: në të parën ndjehet drama që ka brenda largimi; ndërsa në të dytën trajtohet tema e kthimit, një kthim idealist, me kontribute, me dashuri e me trashëgimi vlerash.

DSC 3322 - Copy 498

Stenda e Bankës së Shqipërisë ishte e hapur për publikun edhe në Lezhë, në datën 2 mars 2019, në ambientet e bibliotekës së këtij qyteti, në kuadër të kremtimeve të 575 vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës.

 Video

 Foto