BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Banka e Shqipërisë inauguron Ndërtesën e saj të Rikonstruktuar dhe Muzeun e Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 30.10.2015

 

Pas 77 vjetësh, në një datë të përzgjedhur simbolikisht, sot më 30 tetor 2015, Banka e Shqipërisë organizoi Ceremoninë e Inaugurimit të Ndërtesës së saj të Rikonstruktuar, e cila përkon dhe me hapjen për herë të parë të Muzeut të Bankës së Shqipërisë.

Në këtë ceremoni, merrnin pjesë Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, guvernatorë dhe përfaqësues të lartë të bankave qendrore të rajonit, trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, titullarët e institucioneve të pavarura të vendit, përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare financiare, drejtorët e bankave tregtare dhe institucioneve të tjera financiare që operojnë në vend. Natyrisht nuk mungonin dhe përfaqësues të shumë institucioneve të fushës së arkitekturës, historisë dhe kulturës, koleksionistë shqiptarë e të huaj, si dhe ish-punonjës të Bankës së Shqipërisë.

E inauguruar në 30 tetor 1938, ndërtesa e Bankës së Shqipërisë përbën një nga veprat më të spikatura të kryeqytetit, me një arkitekturë unike që i përket rrymës së racionalizmit. Ajo u projektua nga arkitekti i mirënjohur italian Vittorio Ballio Morpurgo dhe falë bukurisë së saj artistike dhe solemnitetit të fasadës u kthye në një pikë të rëndësishme referimi për qytetarët, historinë arkitekturore dhe planet urbanistike të mëvonshme të këtij qyteti.

Gjurmët e kohës, zgjerimi i vazhdueshëm i funksioneve dhe punonjësve, si dhe kërkesat e shtuara për standarde teknologjike sollën nevojën për rikonstruksionin e ndërtesës, të cilat u materializuan në projektin e arkitektit Marco Petreschi.

Projekti u përzgjodh në përfundim të një konkursi ndërkombëtar, bazuar në detyrën e projektimit të Bankës së Shqipërisë e cila kërkonte zgjidhje për ambiente bazuar në dy parime kryesore: ruajtjen e vlerave arkitektonike dhe kthimin në origjinalitet të ndërtesës.

Këto kërkesa u realizuan, nëpërmjet restaurimit të ndërtesës ekzistuese dhe krijimit të një ndërtese të re. Ky projekt shfrytëzoi idenë origjinale të Morpurgos që parashikonte shtesën e ndërtesës në pjesën e pasme të saj (në krahët jugorë dhe perëndimorë të oborrit) pa ndërhyrë në fasadën monumentale.

Me projektin e rikonstruksionit, ndërtesa ekzistuese qëndron e njëjtë në fasadë, eliminon çdo ndryshim, shtesë apo ndërhyrje të realizuar në brendësi të saj ndër vite si dhe vjen e restauruar në tërësinë e elementëve të ndryshëm arkitekturorë, duke ruajtur origjinalitetin e saj.

Ndërtesa e re përveç 4 kateve mbi tokë shtrihet në thellësitë e nëntokës me 4 kate të tjera, të cilat ofrojnë mundësi për shërbimet teknologjike dhe parkimin e automjeteve të punonjësve. Katet nëntokësore, nga pikëpamja inxhinierike, përbënin një pikë të veçantë dhe kritike në realizimin e projektit, duke qenë se parashikoheshin gërmime nëntokë pranë themeleve të një objekti ekzistues.

Ajo ndërthuret artistikisht me ekzistuesen nëpërmjet përdorimit të elementëve të njëjtë karakteristikë të kësaj të fundit siç janë tulla e kuqërremtë dhe guri i Tranit (mermeri i përdorur në kolonat e fasadës dhe në brendësi të ndërtesës ekzistuese). Lidhja midis ndërtesës së vjetër dhe asaj të re realizohet nëpërmjet një kupole të qelqtë, e cila krijon një atrium të brendshëm mjaft interesant duke vënë ballë për ballë e në dialog dy projektet e realizuara në kohë të ndryshme.

Tashmë, ndërtesa e Bankës së Shqipërisë vjen si një kompozim i tërë, si një ndërtim i vetëm, ku shkrihet e reja me të vjetrën. Ajo do të përfaqësojë në mënyrë dinjitoze bankën qendrore, një nga institucionet më të rëndësishme të vendit tonë, autoritetin e vetëm monetar dhe mbikëqyrës të sistemit bankar.

Në aspektet strukturore, mekanike, teknike, ajo është përditësuar me teknologjitë më të fundit të fushave përkatëse, duke garantuar plotësisht zbatimin e standardeve bashkëkohore sidomos në lidhje me kushtet e punës së personelit.

E pajisur me salla mbledhjesh, sallë konference, si dhe me ambiente të tjera të natyrës sociale dhe edukative, ajo mundëson kryerjen e aktiviteteve të natyrës parësore, përfaqësuese dhe ndihmëse.

Për nder të kësaj ceremonie, Banka e Shqipërisë përgatiti librin "Arkitektura e Bankës së Shqipërisë", i cili e trajton ndërtesën në këndvështrimin historik, arkitektonik dhe ndërtimor. Libri është një dokument fotografik kronologjik që prezanton gjithë historinë e ndërtesës nga idetë fillestare të projektimit deri në rikonstruksionin e plotë të saj.

Duke qenë ndërtesa simbol e sheshit kryesor të kryeqytetit, ajo ka qenë dëshmitare e të gjitha ngjarjeve dhe momenteve historike të zhvillimit ekonomik dhe politik të shtetit shqiptar. Po aq histori ajo mbart edhe brenda mureve dhe dhomave të "fshehta" të saj, të cilat tashmë do të jenë të hapura për publikun si pjesë e Muzeut të Bankës së Shqipërisë.

I konceptuar si një ndërthurje midis muzeales dhe didaktikes, midis të prekshmes dhe virtuales, midis prehistorikes dhe teknologjisë moderne, Muzeu i Bankës së Shqipërisë synon të informojë publikun mbi të gjitha aspektet e parasë si dhe fijet e dukshme dhe të padukshme me të cilat ajo ndikon, mbi të gjitha, jetën tonë të përditshme.

Në katin e parë të tij ofrohet informacion për botën fizike të parasë, ajo pjesë e saj që është e prekshme për vizitorin, në një trajektore ekspozitorësh që arrin kulmin në Dhomën e Thesarit ose siç njihet ndryshe Rotondo (dhoma rrethore kasafortë e ndërfutur në një dhomë pesëkëndore sipas projektit origjinal të Morpurgos). Në Dhomën e Thesarit paraqitet pamja maksimale e parasë, përmes ekspozimit të një Lingote të Artë.

Ekspozita e përhershme e katit të parë, prezanton koleksione të monedhave që kanë qarkulluar në territoret e vendit tonë në këto dy mijë vjet. Ato janë pjesë e koleksionit numizmatik të Bankës së Shqipërisë dhe janë përzgjedhur e studiuar me një kujdes të veçantë përmes një bashkëpunimi të gjatë me arkeologë, numizmatë, historianë e etnografë të mirënjohur të vendit.

Falë dhe mbështetjes së Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Ministrisë së Kulturës, koleksioni i këtij Muzeu prezanton objekte unikale dhe mbresëlënëse, si 4 sëpata bronzi, pjesë e Thesarit të Torovicës, të cilat i përkasin shekullit të X p.e.s dhe dëshmojnë mbi këmbimin paramonetar në territoret historike të vendit.

Kati i dytë paraqet edhe anën tjetër të botës së parasë, formën e saj dixhitale. Itinerari i vizitorëve vijon në hapësirën e hologramit,  duke shfaqur për vizitorin një rrëfenjë monedhash antike, të projektuar në hapësirë, në 3 dimensione, në 360 gradë, si pjesë e gjuhës më të sofistikuar të procesit të dixhitalizimit.

Në këtë pjesë të Muzeut prezantohet historia e institucionit të bankës qendrore në Shqipëri, roli i saj në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe garantimin e stabilitetit financiar të vendit, funksionet e saj kushtetuese për hartimin dhe zbatimin e politikës monetare, për emetimin e parasë, për administrimin e rezervës valutore, për ofrimin e sistemeve të pagesave, e kështu me radhë.

Me një fokus të veçantë për edukimin e publikut, ky Muze vjen i pajisur me hapësira të dedikuara për ciklin e ulët dhe atë të mesëm arsimor. Trupa pedagogjike së bashku me nxënësit mund të zhvillojnë orë mësimore, leksione dhe aktivitete të tjera didaktike në fushën e parasë dhe të ekonomisë.

Muzeu i Bankës së Shqipërisë përfaqëson edhe një destinacion të ri turistik në zemër të Tiranës si dhe një qendër të përhershme informacioni ku publiku i gjerë mund të mësojë më shumë mbi të gjitha aspektet e parasë dhe të ekonomisë, si dhe të kuptojë më mirë funksionin e Bankës Qendrore.

Me rastin e organizimit të ceremonisë së inaugurimit, Muzeu shpalosi për herë të parë nëpërmjet një ekspozite të përkohshme objekte të veçanta të trashëgimisë kulturore, pjesë e thesarit të Bankës së Shqipërisë të ruajtur ndër vite.

Për realizimin me sukses të këtyre projekteve të cilësuara me karakter strategjik, Banka e Shqipërisë falënderon grupin e projektimit të rikonstruksionit të ndërtesës përfaqësuar nga Studio Petreschi: Marco Petreschi, Nilda Valentin, Giulio Amadei, Francesco Ciresi, Antonio Archiletti, grupin e projektimit të Muzeut përfaqësuar nga Studio Rebus sh.p.k., Arkipost Engineering, Museum Engineering, Goppion, si dhe institucionet shqiptare dhe të huaja, arkitektët, historianët, numizmatët, koleksionistët, etnografët dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë të angazhuar në këto projekte.

Një falënderim i veçantë shkon edhe për të gjithë punonjësit e Bankës së Shqipërisë që punuan me përkushtim dhe dhanë kontributin e tyre për realizimin e rindërtimit të ndërtesës dhe krijimit të Muzeut të Bankës së Shqipërisë.