BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Çel punimet konferenca vjetore e Bankës së Shqipërisë “Një botë e re e guximshme? E ardhmja e bankingut në vendet evropiane në zhvillim: rikonceptimi i përmasës, strukturës, pronësisë, politikave dhe incentivave të tij”

Data e publikimit: 11.10.2019

 

Më 11 tetor 2019, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shkollën Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës (London School of Economics and Political Science - LSE), organizon konferencën vjetore me temë “Një botë e re e guximshme? E ardhmja e bankingut në vendet evropiane në zhvillim: rikonceptimi i përmasës, strukturës, pronësisë, politikave dhe incentivave të tij”.

DSC 6283 v

Kjo konferencë organizohet nën kujdesin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, me pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Ilir Meta, Ministres së Financave dhe Ekonomisë, zj. Anila Denaj, Kryetarit të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, z. Arben Ahmetaj, përfaqësuesve të kabinetit qeveritar dhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Të pranishëm janë gjithashtu përfaqësues të lartë të bankave qendrore, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, rrethe akademike në vend, përfaqësues të sistemit bankar e financiar, përfaqësues të medias, si dhe stafi i Bankës së Shqipërisë.

DSC 6044 v  DSC 6111 v  DSC 6175  v

DSC 6127 v  DSC 6231 v

Ky është viti i dytë që Banka e Shqipërisë organizon konferencën e saj vjetore në bashkëpunim me Shkollën Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës (London School of Economics and Political Science), një ndër 10 universitetet më të mira në botë në fushat e studimeve sociale, ekonomike, politike, shoqërore e ndërkombëtare.

DSC 6034 v

Konceptuar në tre sesione, punimet e konferencës u hapën me fjalët përshëndetëse të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko; Drejtorit të Institutit për Çështjet Globale në Shkollën Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës, z. Erik Berglof; Kryetarit të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, z. Arben Ahmetaj; Ministres së Financave dhe Ekonomisë, zj. Anila Denaj; dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Ilir Meta.

DSC 6240 v  DSC 6101 v

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë paraqiti një ekspoze të zhvillimeve makroekonomike të vendit tonë. Ai u shpreh se sistemi financiar dhe sektori bankar në qendër të tij, kanë një rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin ekonomik dhe në rritjen e mirëqenies, duke theksuar se eficienca, qëndrueshmëria dhe sofistikimi i sistemit financiar janë parakushte esenciale për një rritje të shpejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. 

Duke u ndalur më gjatë në panoramën ekonomike shqiptare, Guvernatori theksoi se Banka e Shqipërisë ka punuar për përmirësimin e mëtejshëm të arkitekturës rregullatore të sistemit financiar në Shqipëri dhe për forcimin e rrjetave të sigurisë financiare, në bashkëpunim me agjenci të tjera publike dhe institucione ndërkombëtare. 

“Kemi adoptuar një kuadër modern të hartimit dhe zbatimit të politikës monetare, si dhe kemi ruajtur në mënyrë konsekuente një qëndrim stimulues të saj.” – u shpreh Guvernatori Sejko.

Në këtë kuadër, ekonomia shqiptare ka bërë progres të dukshëm drejt rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë, duke u karakterizuar nga përshpejtimi gradual i ritmeve të rritjes, nga zgjerimi i punësimit dhe rënia e papunësisë, si dhe nga shëndoshja e bilanceve të sektorit privat. Në veçanti, sektori bankar shfaqet likuid, i kapitalizuar dhe me tregues të mirë rentabiliteti.

Më tej, Guvernatori nënvizoi se ekonomia shqiptare ka premisa solide për vijimin dhe përshpejtimin e ritmeve të rritjes. Forcimi i stabilitetit financiar, paralelisht me ndjekjen e politikave të kujdesshme monetare, ofron një garanci shtesë për qëndrueshmërinë e saj.

Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori Sejko theksoi se ekonomia jonë duhet t’i kushtojë vëmendje të vazhdueshme inovacionit teknologjik dhe promovimit të shërbimeve financiare në segmente të ndryshme të shoqërisë; zhvillimit të segmenteve të tjera të tregut financiar, si tregu i kapitalit apo fondet e pensionit dhe të investimit. Ajo gjithashtu ka nevojë për një rritje të gjithanshme të shkallës së kulturës financiare si nxitëse në shëndoshjen e financave personale dhe të biznesit, si dhe reduktimin e rreziqeve financiare. 

Duke falënderuar të pranishmit, Guvernatori Sejko u shpreh se konkluzionet e paneleve të konferencës do të ndihmojnë në identifikimin e qasjeve sa më optimale për adresimin e sfidave që na presin. Përmbushja me sukses e këtyre sfidave, theksoi ai,  do t’i mundësojë vendit një rritje të shpejtë e të qëndrueshme, si dhe do të shënojë një hap përpara në rrugën tonë të integrimit drejt Bashkimit Evropian.

DSC 6067 v DSC 6096 v DSC 6089 v

Sesioni i parë i konferencës do të trajtojë luhatjet e vazhdueshme me të cilat po përballet industria bankare, si pasojë e elementeve të ristrukturimit të bankave, ndryshimeve teknologjike, zhvillimeve rregullatore dhe kontekstit të politikës monetare.

Gjatë sesionit të dytë, diskutimet do të fokusohen në mënyrën se si përballen bankat në rajonin e Evropës Juglindore dhe në veçanti në Shqipëri, me sfidat e reja që lindin si nga institucionet rregullatore ashtu edhe nga institucionet financiare jobanka. Në fokus do të jenë gjithashtu dhe sfidat e reja që këto tendenca paraqesin, jo vetëm në drejtim të rregullimit dhe mbikëqyrjes, por edhe në drejtim të zbatimit të politikave. 

Sesioni i tretë, paneli i Guvernatorëve do të mbledhë në një tryezë të veçantë diskutimi Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko; Zëvendësguvernatoren e Bankës Qendrore të Bosnje-Hercegovinës, zj. Želimira Raspudić; Zëvendësguvernatorin e Bankës Kombëtare të Ukrainës, z. Dmytro Sologub; ish-Guvernatorin e Bankës së Estonisë, z. Ardo Hansson; ish-Guvernatorin e Bankës Qendrore të Argjentinës, LSE dhe IDB, z. Mario Blejer; Drejtorin e Institutit për Çështjet Globale në Shkollën Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës, z. Erik Berglof; nën drejtimin e Drejtorit të Programit të Institutit për Çështjet Globale në Shkollën Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës, zj. Piroska Nagy-Mohacsi.

Në këtë panel, punimet do të trajtojnë të ardhmen e bankingut dhe shërbimeve financiare. Diskutimi do të përqendrohet në zgjedhjet e politikave dhe rregullatorëve, si dhe incentivat për të rigjeneruar ndërmjetësimin financiar në Shqipëri, në rajonin e Evropës Juglindore dhe më gjerë.