BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Ceremonia e hapjes së Javës së Parasë, 25-31 mars 2019

Data e publikimit: 25.03.2019

 

Në datën 25 mars 2019, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u çel Java e Parasë për vitin 2019, gjatë së cilës do të organizohen aktivitete të ndryshme edukative për nxënës dhe studentë.

Kjo Javë është një festë mbarëbotërore e parasë, e cila ka për qëllim ndërgjegjësimin e brezit të ri për të qenë në të ardhmen qytetarë të përgjegjshëm dhe të aftë për të marrë vendime financiare të mirëmenduara.

Ky është viti i gjashtë që Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe partnerëve të tjerë, bëhen pjesë e këtij kremtimi, duke synuar si përherë të ofrojnë një program sa më interesant e tërheqës për përfshirjen e një numri sa më të madh nxënësish dhe studentësh në aktivitetet edukuese.

DSC 3239 498

Në thelb të këtyre aktiviteteve qëndron edukimi financiar, më konkretisht si ata të kujdesen për paratë, si të kursejnë, si të fitojnë të ardhura nëpërmjet sipërmarrjes dhe të vendosin bazat për të ardhmen e tyre. Këto do të realizohen nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre në leksione, konkurse, vizita në Muzeun e Bankës së Shqipërisë dhe në banka tregtare dhe orë të hapura mësimore.

Këtë vit Banka e Shqipërisë ka vendosur të zgjedhë një temë e cila lidhet me historinë ndër vite të nocionit të gabuar të leximit të lekut. Tema e sivjetshme: “Tepër i ri për të folur me Lekë të vjetër!”, synon të shtrihet më gjatë se Java e parasë, duke u fokusuar në edukimin e shoqërisë në përdorimin e saktë të termit “lek” në marrëdhëniet e  përditshme financiare.

Aktivitetin çelës të Javës së Parasë 2019 e përshëndetën Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Luljeta Minxhozi, Zëvendësministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, zj. Lorena Haxhiu, dhe Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Silvio Pedrazzi.

Në fjalën e saj përshëndetëse, zj. Minxhozi theksoi se viti 2019 shënon vitin e 12 të përfshirjes të Bankës së Shqipërisë në përpjekjen për edukimin financiar të publikut në përgjithësi, me fokus të veçantë tek më të rinjtë.

Ajo shtoi se ky angazhim i Bankës së Shqipërisë përputhet plotësisht me frymën e transparencës ndaj publikut e të rritjes së nivelit të ndërgjegjësimit të tij mbi çështje ekonomike e financiare që ndikojnë në jetën e përditshme të gjithsecilit. Në këtë kuadër, Java e Parasë përmbledh më së miri të gjitha përpjekjet tona në këtë fushë.

Zj. Minxhozi nënvizoi gjithashtu moton e aktivitetit “Tepër i ri për të folur me Lekë të vjetër!”, duke adresuar një çështje specifike për vendin tonë, siç është përdorimi i gabuar, prej më shumë se 5 dekadash, i termave “lek i ri” dhe “lek i vjetër” në marrëdhëniet tona të përditshme financiare.

Në përfundim të fjalës së saj, zj. Minxhozi falenderoi pjesëmarrësit e konkurseve, si dhe i inkurajoi ata, si pjesë e brezit të ri, të përpiqen të flasin gjithnjë në mënyrë korrekte, duke ndihmuar ndarjen nga kjo terminologji e gabuar njëherë e përgjithmonë.

Më tej, aktiviteti vijoi me ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit e tre konkurseve të organizuara nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave me rastin e Javës së Parasë, me pjesëmarrjen e rreth 340 nxënësve nga 40 shkolla të ndryshme 9-vjeçare dhe gjimnaze.

DSC 3726 498

Konkursi i parë i organizuar në kuadër të kësaj jave mbante temën “Mëso. Kurse. Fito” dhe Banka e Shqipërisë i ftoi nxënësit e klasave VI të shkollave 9-vjeçare të merrnin pjesë me projektet e tyre origjinale.

Konkursi i dytë ishte ai me fotomontazhe me temë: “Tepër i ri për të folur me Lekë të vjetër: një 0 më shumë bën diferencën", në të cilën morën pjesë nxënësit e klasave IX të shkollave 9-vjeçare.

Ndërsa konkursi i tretë i organizuar ishte ai i videos më të mirë. Nxënësit gjimnazistë u ftuan të përcillnin me origjinalitet mesazhet e tyre për temën: “Tepër i ri për të folur me Lekë të vjetër”.

Fituesit e konkursit për esenë më të mirë me temat “Ridenominimi i Lekut: vështrim socio-linguistik mbi një gabim 55-vjeçar” (Dega Gjuhë-Letërsi) dhe “Ridenominimet: shembuj nga historia dhe rasti shqiptar” (Dega Financë-Bankë), do të shpallen gjatë Javës së Parasë.