BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Ceremonia prezantuese e Projektit të Binjakëzimit “Forcimi i kapaciteteve të Bankës së Shqipërisë në kuadër të përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian”

Data e publikimit: 19.12.2019

 

Sot, më datë 19 dhjetor 2019, në ambientet e Bankës së Shqipërisë u zhvillua ceremonia e prezantimit të Projektit të Binjakëzimit “Forcimi i kapaciteteve të Bankës së Shqipërisë në kuadër të përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian (BE)”.

DSC 2115 498

Ky projekt zbatohet me fondet e akorduara dhe monitoruara nga Bashkimi Evropian, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA II) të vitit 2015, në vazhdën e rekomandimeve dalë nga programi i konceptuar dhe i udhëhequr nga Banka Qendrore Evropiane.

DSC 2055 498

Projekti do të zbatohet nga Banka e Shqipërisë, Banka e Italisë dhe Banka e Gjermanisë, ndërsa disa komponentë të caktuar do të zbatohen nga Banka e Francës dhe Banka Kombëtare e Rumanisë. Ai ka si qëllim parësor përmirësimin e praktikave të punës të Bankës së Shqipërisë dhe njëjësimin e tyre me praktikat e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore, dhe falë trajnimit të ekspertëve të Bankës së Shqipërisë, synon të sjellë ekspertizën e BE-së dhe përvojën e dy prej vendeve themeluese të BE-së në dobi të sistemit bankar shqiptar, duke ndihmuar kështu në integrimin ekonomik të vendit me BE-në.

Ceremonia prezantuese u hap nga fjalët përshëndetëse të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe Ambasadorit të Italisë, SH.T.Z Alberto Cutillo.

DSC 2216 498

Në krye të fjalës, Guvernatori Sejko u shpreh se, duke shpresuar që pranvera e 2020 do të hapë dritën jeshile të negociatave, Banka e Shqipërisë mbetet një institucion plotësisht i angazhuar në përmbushjen e prioriteteve që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian.

Ai shtoi se ndërmarrja e projekteve të tilla nënvizon qartazi angazhimin reciprok të BE-së dhe të Shqipërisë në drejtim të thellimit të proceseve integruese me objektiv kryesor përafrimin e kuadrit ligjor, rregullator dhe operacional të Bankës së Shqipërisë, me atë të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore.

Duke shprehur gatishmërinë për të zbatuar me sukses projektin, Guvernatori prezantoi fushat e punës ku do të shtrihet fokusi i tij, i cili përfshin 8 departamente të Bankës së Shqipërisë, ndërkohë që do të adresojë çështje të rëndësishme si: mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar, politika monetare dhe statistika, auditimi i brendshëm, sistemet e pagesave, si dhe funksione të tjera të bankingut qendror, si burimet njerëzore dhe integrimi evropian.

DSC 2034 498

Në përfundim, Guvernatori shprehu falënderimet më të sinqerta për Komisionin Evropian, i cili mundësoi financimin e projektit, Delegacionin Evropian, Drejtorinë e Përgjithshme të Kontraktimeve dhe Financimeve për projektet e BE-së dhe donatorëve të tjerë, Bankën e Italisë, Bankën e Gjermanisë, Bankën Kombëtare të Rumanisë dhe Bankën e Francës, për mbështetjen dhe përfshirjen e tyre në këtë projekt, si dhe stafin e Bankës së Shqipërisë.

Ambasadori i Italisë, SH.T.Z Alberto Cutillo, duke vlerësuar Bankën e Shqipërisë si një nga institucionet kryesore në vend, theksoi rëndësinë e këtij projekti për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale të saj. Institucione të tilla ndihmojnë në përafrimin e standardeve evropiane dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

Ky projekt do të zbatohet për një periudhë njëvjeçare dhe, gjatë kësaj periudhe, pranë Bankës së Shqipërisë do të japë kontributin e tij një Këshilltar rezident i projektit. Gjithashtu, parashikohet të realizohen 110 misione dhe 12 vizita pune, gjatë zhvillimit të të cilave ekspertët nga bankat e lartpërmendura do të sjellin eksperiencën e tyre.