BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në Konferencën Vjetore të Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 09.11.2017

 

"Zhvillimet në tregun bankar dhe infrastruktura e tregjeve financiare. Roli i strukturës, madhësisë dhe infrastrukturës së tregjeve në zbutjen e rreziqeve dhe ecurinë e ndërmjetësit financiar"


I nderuar Z. President,

I nderuar Z. Ministër,

I nderuar Prof. Anastasakis,

Të nderuar Guvernatorë,

Të nderuar Ambasadorë, të ftuar dhe pjesëmarrës,

Kam kënaqësinë t'ju uroj mirëseardhjen në punimet e konferencës vjetore të Bankës së Shqipërisë. Prej gati dy dekadash, konferenca është shndërruar në një nga ngjarjet kulmore të veprimtarisë së institucionit në fushën studimore dhe profesionale. Analizat dhe konkluzionet tona, vit pas viti, kanë tentuar t'iu japin përgjigje shumë sfidave dhe dilemave me të cilat përballet ekonomia jonë kombëtare dhe jo vetëm. Falë bashkëpunimit me Universitetin e Oksfordit, më konkretisht me Kolegjin St Anthony, kjo konferencë ka synuar dhe besoj se ka arritur me sukses të hulumtojë dhe t'u japë përgjigje shumë çështjeve, të cilat për nga natyra, efektet dhe ndërveprimi mes tyre, janë të pranishme në gjithë rajonin e Evropës Juglindore.

E tillë është dhe tema e këtij viti. Gjatë gjithë ditës së sotme, ekspertë të fushës dhe akademikë, vendas e të huaj, do të analizojnë tendencat më të fundit në zhvillimin e sektorit financiar, në gjithë rajonin, me theks të veçantë në ndërlikimet potenciale mbi ekuilibrin makroekonomik dhe stabilitetin financiar të çdo ekonomie. Përzgjedhja e kësaj teme është sa aktuale aq dhe largpamëse. Nga një këndvështrim ndërkombëtar, duket se situata e përgjithshme po bëhet gjithnjë e më tepër mbështetëse. Vendet e zhvilluara së bashku me ekonomitë e mëdha në zhvillim vlerësohet se janë në një fazë rimëkëmbjeje të plotë, mbështetur kryesisht nga fuqizimi i kërkesës agregate. Interes përbën fakti se vendet e Eurozonës, ku ndodhen dhe shumë nga partnerët tanë kryesorë, janë në një moment të përgjithshëm pozitiv përsa i takon rritjes ekonomike, ndërkohë që dhe parashikimet janë optimiste.

Ka një konsensus të gjerë se ekonomia e rajonit të Evropës Juglindore, në gjysmën e parë të vitit 2017, ka regjistruar një ecuri të kënaqshme në drejtim të rigjallërimit, ndërkohë që sipas indikatorëve bazë, kjo ecuri pritet të forcohet më tej në tremujorin e tretë të këtij viti. Nga ky kontekst rajonal nuk bën përjashtim as Shqipëria.

Tremujori i fundit i vitit e gjen ekonominë shqiptare në një situatë ekonomike e financiare në përmirësim të vazhdueshëm. Treguesit e rritjes dhe të punësimit kanë shënuar një kurbë rritëse dhe pritshmëritë për vitin 2018 mbeten pozitive. Konsumi dhe investimet e huaja kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në aktivitetin ekonomik dhe pritet të sjellin një rritje të mëtejshme të produktivitetit dhe rritjes së konkurrueshmërisë. Njëkohësisht dhe të ardhurat nga eksporti i mallrave e veçanërisht i shërbimeve kanë kontribuar në reduktimin e deficitit korrent dhe forcimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë. Efektet e politikës monetare kanë ruajtur kahun stimulues duke synuar mbylljen e hendeqeve negative të çmimeve dhe të prodhimit.

Një tablo pozitive karakterizon edhe stabilitetin financiar të vendit. Arritja më e spikatur në këtë drejtim është rënia e dukshme e kredive të këqija në bilancet e sistemit bankar. Masat e marra në mes të vitit të kaluar kanë dhënë një efekt të qenësishëm, të materializuar në reduktimin e kredive të këqija me rreth 10 pikë përqindje poshtë nivelit maksimal të regjistruar në vitin 2015. Vërejmë me kënaqësi se rritja e kredisë ka qenë pozitive. Veçanërisht është rritur me shpejtësi kredia në lekë përkundrejt kredisë në valutë të huaj, që e bën më të shëndetshëm sistemin bankar dhe sektorin privat, si dhe njëkohësisht rrit efektivitetin e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Zhvillimet pozitive të sektorit bankar dhe të ekonomisë kanë mbështetur përmirësimin e mëtejshëm të treguesve të kapitalizimit, likuiditetit dhe të përfitueshmërisë. Dy muaj para përfundimit të vitit, ne vlerësojmë se industria bankare në Shqipëri gëzon shëndet të plotë financiar, në kushtet e një situate optimale të likuiditetit dhe të kapitalizimit të veprimtarisë, një premisë kjo e rëndësishme për mbështetjen financiare të zhvillimeve ekonomike të vendit.

Vëmendje të veçantë i kemi kushtuar edhe zhvillimeve ligjore, institucionale, rregullatore dhe atyre mbikëqyrëse, ku padyshim spikat hartimi dhe zbatimi në praktikë i ligjit për ndërhyrjen e jashtëzakonshme.

Të nderuar pjesëmarrës,

Këtë vit u mbushën 25 vjet nga themelimi i sistemit bankar dynivelor në Shqipëri, i cili përcakton sistemin bankar si ofrues të shërbimeve bankare dhe financiare në ekonomi dhe bankën qendrore si administrator të politikës monetare dhe rregullator e mbikëqyrës të sistemit bankar. Ky hap i parë u pasua nga hapa të mëtejshëm që lidhen me segmentet e tjera të tregut financiar, si tregu i letrave me vlerë dhe ai i kapitalit, përfshirë dhe themelimin e institucioneve përkatëse të mbikëqyrjes dhe të rregullimit.

Iniciativa në këto drejtime ka nxitur një zgjerim të vazhdueshëm të tregut financiar, si në llojshmërinë e institucioneve ashtu edhe në numrin e produkteve financiare dhe vëllimeve të tregtimit. Megjithatë, pavarësisht këtyre zhvillimeve, sistemi financiar, ende mbetet i dominuar nga sistemi bankar dhe zhvillimet e tij. Në raportin e fundit të stabilitetit financiar të Bankës së Shqipërisë, citohet se bankat përfaqësojnë ende rreth 90% të totalit të aktiveve të sistemit financiar, ekuivalent me 92% të PBB-së, ndërkohë që pjesa tjetër e sektorit financiar është e vogël dhe përbën vetëm 10% të totalit të aktiveve të sistemit financiar.

Vlerësimet dhe studimet e Bankës së Shqipërisë, por edhe studimet krahasuese të palëve të treta si Fondi Monetar Ndërkombëtar, tregojnë se tregu financiar në Shqipëri ka përhapje dhe shtrirje financiare afër nivelit ekuilibër të diktuar nga ekonomia dhe konsumatorët shqiptarë. Gjithashtu, treguesit e ndërmjetësimit financiar të shprehur si përqindje ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, janë në nivele të përafërta me ato të vendeve të tjera të rajonit.

Mbizotërimi i segmentit bankar, natyrshëm ka çuar në një shkallë të lartë përqendrimi të produkteve dhe shërbimeve financiare në favor të tij. Mbi 80% e investimeve të rezidentëve në sistemin financiar janë në formën e depozitave dhe llogarive rrjedhëse. Vetëm pak mbi 12% janë në formën e letrave me vlerë të qeverisë ndërkohë që pjesa e mbetur, rreth 6.5% janë investuar në fondet e investimeve dhe ato të pensioneve private. Kjo e fundit përbën vetëm 0.1% të totalit të aktiveve të sistemit financiar. Statistikat tregojnë se numri i kompanive që operojnë në segmentet e tjera të sektorit financiar mbetet i ulët, ndërkohë që aktiviteti i tyre në terma të Prodhimit të Brendshëm apo të tregut financiar mbetet i papërfillshëm.

Përsa më sipër, konkluzioni logjik është se arkitektura e tregut financiar ende nuk mund të konsiderohet e plotë. Instrumentet financiare me maturitet afatgjatë janë të rralla, ndërkohë që ato afatshkurtra jashtë sistemit bankar, janë apatike dhe të fragmentuara, si në produkte ashtu dhe në tregje. Fryt i kësaj arkitekture financiare është një lloj presioni i shtuar mbi sistemin bankar, duke privuar ekonominë nga alternativat e tjera të financimit përtej atyre që ofrojnë bankat.

Ky boshllëk nuk mund të mbushet në mënyrë të sforcuar nga sistemi bankar. Është e pranuar gjerësisht se çdo segment i tregut financiar luan rolin e tij bashkëplotësues dhe jo zëvendësues. Mund të sjell një numër shembujsh për ta ilustruar më mirë këtë ide, por për momentin po i anashkaloj, pasi në panelet në vijim këto çështje do të diskutohen më në hollësi.

Përgjithësisht, ajo çka thashë më sipër lidhet me institucionet financiare dhe instrumentet financiare të investimit. Megjithatë duhet theksuar, se problematika të ngjashme karakterizojnë dhe ekstremin tjetër të tregut financiar, sektorin e korporatave apo ndërmarrjeve siç i quajmë në Shqipëri. Vrojtimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se njësitë mikro, ballafaqohen me pamjaftueshmëri burimesh financiare dhe me akses të kufizuar në kredi. Konkretisht, më shumë se 1/3 e ndërmarrjeve të intervistuara e vlerëson aksesin e ulët në financim dhe koston që shoqëron atë si shkakun kryesor të moszgjerimit të veprimtarisë. Këto njësi mikro që janë kryesisht biznese familjare, kanë më shumë nevojë të bashkëpunojnë me institucionet financiare jobanka, pasi ato hasin vështirësi në përmbushjen e kërkesave që lidhen me kolateralin apo dokumentacionin e hollësishëm financiar, kushte këto që kërkohen nga bankat. Ky është një tjetër argument që të çon në konkluzionin logjik, se përveç kapitaleve të veta dhe kredisë bankare, këto ndërmarrje do të përfitonin shumë nga segmente të tjera të tregut financiar.

Një element tjetër që pengon thellimin dhe zgjerimin e tregut financiar në Shqipëri, lidhet me shkallën e ulët të përfshirjes financiare të popullatës. Të dhënat më të fundit nga World Development Indicators tregojnë se vetëm 38% e të rriturve kanë një llogari pranë një institucioni financiar, ndërkohë që vetëm 6% dhe 22% e të rriturve kanë përkatësisht një kartë krediti dhe kartë debiti. Rritja e përfshirjes financiare nuk mund të bëhet vetëm dhe përmes sistemit bankar. Sistemi financiar, veçanërisht tregu i kapitaleve dhe i letrave me vlerë të korporatave, duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në rritjen e përfshirjes financiare.

Përfitoj nga rasti të theksoj, se krahas nevojës për zgjerimin dhe thellimin e tregut financiar është e nevojshme të kujdesemi gjithmonë e më shumë për administrimin e rrezikut që na shoqëron çdo herë kur bëjmë një investim financiar. Sot jemi dëshmitarë të një evolucioni të shpejtë teknologjik, i cili paraprakisht ka eliminuar kufijtë fizikë, ka lehtësuar aksesin në platforma elektronike investimi, ka vështirësuar shumë mbikëqyrjen dhe rregullimin e shumë prej instrumenteve financiare inovative që tregtohen në këto platforma. Fenomeni i informalitetit, i kombinuar me shpejtësinë e inovacionit në fushën e instrumenteve financiare, është një rrezik real për çdo investitor që priret në mënyrë naive nga fitimi pa u thelluar më shumë në masën dhe natyrën e rrezikut ndaj të cilit ai ekspozohet. Në çdo rast, përfshirja duhet bërë me kujdes, duke i besuar ndërmjetësve dhe ndihmësve financiarë të specializuar, veprimtaria e të cilëve është e rregulluar dhe e mbikëqyrur nga një autoritet i ligjshëm në Shqipëri apo jashtë vendit.

Të nderuar pjesëmarrës,

Thellësia dhe shtrirja e tregjeve financiare përcakton bashkësinë e instrumenteve financiare të vlefshme për t'u tregtuar, në një spektër të gjerë nga këndvështrimi i maturitetit. Këto instrumente nuk janë gjë tjetër veçse hallkat e njëpasnjëshme të zinxhirit përmes së cilit transmetohen vendimet e politikes monetare. I gjithë procesi i tregtimit të instrumenteve shërben për të përcaktuar vlerën e aktiveve, çmimin e rrezikut dhe të kursimeve, e në fund të fundit preferencat drejt konsumit, kursimeve apo investimeve. Në këtë kuptim ekzistenca, plotësia dhe efikasiteti i tregut financiar luan një rol të rëndësishëm në transmetimin e politikës monetare. Është kjo arsyeja pse vëmendja e bankës qendrore fokusohet në këto tregje dhe në mirëfunksionimin e tyre.

Bazuar në këtë arsye specifike, Banka e Shqipërisë, prej kohësh ka iniciuar një seri lëvizjesh për të ndikuar me të gjitha mundësitë që ajo ka, në krijimin e një tregu financiar më të zhdërvjellët. Masat e karakterit makroprudencial të marra në drejtim të likuiditetit dhe të kapitalizimit; kufizimet e vendosura mbi pozicionet me bankat jorezidente, provigjionet dhe kolateralin; paketa e masave të ndërmarra për uljen e kredive me probleme, të gjitha këto janë hapa të hedhur për të korrektuar problematika të lidhura me cektësinë dhe ngushtësinë e tregut, me shkallën e ulët të përfshirjes financiare dhe edukimin financiar jo adekuat.

Studimet dhe analizat e Bankës së Shqipërisë mbështesin përfundimin logjik se zhvillimi i tregut financiar është një faktor i rëndësishëm për nxitjen e aktivitetit ekonomik dhe rritjen e mirëqenies në përgjithësi. Ne në Bankën e Shqipërisë besojmë se struktura aktuale e tregut bankar stimulon konkurrencën në lidhje me produktet dhe shërbimet bankare. Megjithatë, zgjerimi dhe thellimi i mëtejshëm i tregut është një sfidë që shtrohet para nesh, ku nënkuptoj të gjithë aktorët e përfshirë pa përjashtim. Industria bankare, Banka e Shqipërisë, segmentet e tjera të tregut financiar si në rang aktorësh edhe në rang rregullatorësh, qeveria, bota akademike dhe ekspertët e fushës, të gjithë duhet të përfshihemi në këtë përpjekje. Ambiciet tona duhet të synojnë një treg financiar të zhdërvjellët, likuid, me vëllim tregtimi në rritje, ku spektri i instrumenteve të zgjerohet, përfshirë dhe zgjatje të horizonteve të maturitetit dhe administrim të kujdesshëm të rrezikut. I gjithë ky kuadër duhet të shoqërohet me transparencë të shtuar në të gjitha hallkat e tregtimit ku një rol të veçantë duhet të zërë dhe edukimi financiar. Vetëm kështu do të mundësonim thellimin dhe zgjerimin real të tregut financiar dhe përmes tij një eficiencë më të madhe në zbatimin e politikave ekonomike dhe financiare, në mobilizimin dhe në përdorimin e kursimeve kombëtare, në përfshirjen financiare dhe në rritjen e aktivitetit ekonomik dhe në mirëqenien e popullatës në terma afatgjatë.

Duke shpresuar se punimet e kësaj konference në vazhdim do të karakterizohen nga një shkëmbim i frytshëm i ideve dhe pikëpamjeve mes të pranishmëve në këtë sallë,

Ju falënderoj për vëmendjen!