BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në konferencën "Normat negative të interesit në Eurozonë dhe ndikimi i tyre në politikat dhe në instrumentet e bankave qendrore në vendet e Ballkanit Perëndimor"

Data e publikimit: 04.05.2017

 

I nderuar Ambasadori Graf,

I nderuar Zoti Savastano,

Të nderuar pjesëmarrës në konferencë,

Ndihem i privilegjuar që kam nderin të hap siparin e kësaj konference, të bashkë-organizuar nga Banka e Shqipërisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, dhe me mbështetjen e çmuar financiare të Qeverisë së Zvicrës.

Kjo konferencë përqendrohet në investigimin e pasojave ekonomike dhe financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor, që kanë buruar prej normave negative të interesit në Eurozonë. Këto norma negative interesi kanë pasqyruar politikën monetare lehtësuese të ndjekur agresivisht nga Banka Qendrore Evropiane, si nëpërmjet instrumenteve standarde të politikës monetare ashtu edhe nëpërmjet instrumenteve jo-standarde. Axhenda e kësaj konference është tejet ambicioze.

Ajo synon që, nga tre këndvështrime të ndryshme, të diskutojë dhe të analizojë implikimet e politikës monetare të ndjekur së fundmi nga BQE-së për vendet e rajonit. Këto këndvështrime përfshijnë: stabilitetin financiar, administrimin e rezervës valutore, dhe politikën monetare.

Në analizë të fundit, kjo konferencë ka për qëllim krijimin e një forumi të nivelit të lartë për politikë-bërësit në rajon e më gjerë, ku mund të diskutohen sfidat në ndërtimin e politikave specifike, format optimale të reagimit, si dhe efektet e tyre.

SECO

Termi "Ballkan Perëndimor" i referohet gjashtë vendeve të rajonit të cilat janë kandidate dhe kandidate potenciale për të aderuar në BE. Ato janë Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Vështrimi në një perspektivë rajonale është i dobishëm për sa kohë strukturat ekonomike të vendeve në fjalë kanë shumë ngjashmëri. Në pjesën më të madhe, këto ngjashmëri reflektojnë një sfond të përbashkët të rrugëtimit tonë drejt një ekonomie tregu dhe objektivin strategjik të aderimit në Bashkimin Evropian, dhe më tej në zonën Euro.

Këto synime të përbashkëta përfaqësojnë ankorat themelore të politikave të hartuara në vendet e rajonit.

Ekonomitë e rajonit janë të ndërthurura ngushtë me zonën Euro, nëpërmjet disa kanaleve të rëndësishme:

  • Së pari, nëpërmjet kanalit të tregtisë: vendet e Eurozonës përbëjnë partnerët tanë kryesorë tregtarë. Në rastin e Shqipërisë, për shembull, eksporti drejt vendeve të Eurozonës përbën rreth ¾ e eksporteve tona totale.
  • Së dyti, nëpërmjet flukseve të kapitalit nga investimet e huaja direkte, nga investimet e portofolit, apo nga financimet e bankave. Investimet e huaja direkte nga Eurozona përbëjnë rreth 64 për qind të totalit të investimeve të huaja direkte në Shqipëri. Po ashtu, filialet e bankave të Eurozonës kanë një peshë të konsiderueshme të tregut, në një numër të madh të vendeve të rajonit. Në Shqipëri, pesha e tyre ka rezultuar në rënie, por këto filiale përfaqësojnë ende mbi 55 për qind e industrisë bankare.
  • Së fundi, remitancat nga vendet e BE-së janë një burim i rëndësishëm të ardhurash të disponueshme dhe hyrjesh valute në rajon. Në Shqipëri, remitancat përfaqësojnë rreth 6 për qind ndaj PBB-së, dhe pjesa më e madhe e tyre vjen nga vendet e Eurozonës.

Duke u nisur nga sa parashtrova më sipër, është e natyrshme të konstatosh se vendet e rajonit janë të ekspozuar ndjeshëm ndaj zhvillimeve të fundit ekonomike dhe financiare në Eurozonë.

Më lini të përmend disa prej këtyre zhvillimeve të rëndësishme.

Normat e ulëta të inflacionit në Eurozonë janë transmetuar edhe në ekonomitë tona, duke vështirësuar kështu arritjen e objektivit tonë për stabilitetin e çmimeve. Që prej muajit shtator 2012, ecuria e inflacionit bazë në vendet e Eurozonës dhe në ato të rajonit është shmangur nga ecuria mesatare e përgjithshme e inflacionit në pjesën tjetër të botës. Tendenca e sinkronizuar dizinflacioniste në të gjithë Evropën sugjeron për një përcjellje të normave të ulëta të inflacionit, nga vendet e Eurozonës drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Shkalla e ndjeshmërisë së vendeve të rajonit ndaj tendencave dizinflacioniste të origjinuara në Eurozonë, përcaktohet nga shkalla e tregtisë së tyre me vendet e Eurozonës dhe nga forma e regjimit të kursit të këmbimit. Në rastin e Shqipërisë, mallrat e importit plotësojnë rreth 40% të kërkesës së brendshme dhe ecuria e çmimeve të tyre natyrisht që ndikon nivelin e përgjithshëm të çmimeve në ekonomi. Megjithatë, ky raport është më i ulët se ai i vendeve të tjera Evropës Lindore e Qendrore, të cilat janë edhe më të ekspozuara ndaj përhapjes së efekteve dizinflacioniste prej vendeve të Eurozonës nga kanali i tregtisë. Nga ana tjetër, zbatimi i një regjimi modern të shënjestrimit të inflacionit në Shqipëri, aplikimi i një kursi të luhatshëm të këmbimit, si dhe reagimi i shpejtë dhe i vendosur i politikës monetare në Shqipëri ndihmuan në përballimin e presioneve dizinflacioniste me origjinë të huaj.

Përtej ndikimit në inflacion, normat negative të interesit në Eurozonë të ardhura si përgjigje ndaj normave të ulëta të inflacionit, patën gjithashtu disa pasoja në vendet e rajonit. Efekti i parë është padyshim pozitiv, për vendet si Shqipëria të cilat dëshmojnë një konvergjencë ciklike me Eurozonën dhe të cilat u përballen me goditje të ngjashme negative mbi çmimet dhe mbi aktivitetin ekonomik. Për aq kohë sa normat negative të interesit kanë rezultuar të suksesshme në parandalimin e deflacionit dhe në thellimin e mëtejshëm të krizës në Eurozonë, ato kanë ndihmuar gjithashtu edhe bankat qendrore të rajonit për të përmbushur mandatet e tyre për stabilitetin e çmimeve. Më tej, vendet e rajonit kanë përfituar edhe prej hyrjeve të kapitalit e të portofolit prej vendeve të Eurozonës, të nxitura nga normat negative të interesit në zonën Euro dhe nga programet e mëdha të blerjes së mjeteve financiare prej Bankës Qendrore Evropiane.

Megjithatë, normat negative të interesit në Eurozonë kanë sjellë edhe sfida specifike për politikën monetare në vendet e rajonit:

  • Së pari, ato kanë vështirësuar vlerësimin mbi kufirin e poshtëm të normës bazë të interesit në ekonomitë tona, apo pikën e ndarjes midis përdorimit të instrumenteve standarde dhe jo-standarde të politikës monetare.
  • Së dyti, ato kanë ndryshuar kthimet relative midis instrumenteve financiare të denominuara në monedhë vendase e të huaj, duke krijuar kështu si mundësi ashtu edhe sfida në përpjekjen për të kufizuar nivelin e "euroizimit" në sistemet tona financiare.
  • Së treti, ato kanë ulur fitimin prej investimit të mjeteve tona të rezervës valutore, duke prodhuar madje, në disa raste, edhe norma negative kthimi. Ky rezultat bëhet edhe më i rëndësishëm kur, në ndryshim nga vende të tjera, hapësira për të diversifikuar rezervën në më shumë monedha të huaja është më e vogël. Ky aspekt na përballi me deformime dhe sfida konkrete për sistemin tonë të rezervës së detyruar, sidomos sa i takon modaliteteve të remunerimit të rezervës e detyruar.

Veç kësaj, sistemet tona financiare janë ndikuar nga prezenca e filialeve të bankave të Eurozonës, të cilat u ekspozuan ndaj shtrëngimit të kuadrit rregullator në sektorin bankar evropian. Ky shtrëngim erdhi si rezultat i dobësive të sistemit që buruan prej krizës financiare.

Në afat të gjatë, të gjithë duhet të përfitojmë nga një sistem bankar evropian më i fortë, më i mirë-kapitalizuar, dhe më i qëndrueshëm. Megjithatë, në afat të shkurtër, përshtatja me këtë ambient të ri rregullator përbën një sfidë në vetvete për vendet e rajonit, për shkak të disa faktorëve specifikë:

  • Së pari, ai ka sjellë tendenca të tkurrjes së ekspozimit ndaj vendeve të rajonit, prej shumë bankave evropiane.
  • Së dyti, ai ka inkurajuar adoptimin e standardeve të reja dhe më të shtrënguara të kreditimit në nivel grupi, të cilat shpesh nuk reflektojnë veçantitë e secilit vend, apo treg, në të cilin operojnë këto banka.
  • Së treti, kriteret e ekuivalentimit të kuadrit mbikëqyrës dhe rregullator nuk janë përcaktuar akoma, çka nënkupton se ekspozimi ndaj vendeve të rajonit trajtohet nga rregullatorët evropianë dhe grupet bankare evropiane me një koeficient të lartë rreziku.

Të gjithë këto faktorë ndikojnë në sjellje të ndryshme në biznes midis filialeve të bankave të Eurozonës dhe bankave të tjera me origjinë jashtë Eurozonës apo bankave vendase, sjellje divergjente këto që janë tepër evidente në Shqipëri.

***

Të nderuar pjesëmarrës,

Konferenca që po fillojmë ka referues të rëndësishëm, të cilët jam i bindur se do t'i diskutojnë këto tema në imtësi gjatë këtyre dy ditëve. Jam i sigurt që të gjithë ju do të ndani njohuritë tuaja të çmuara mbi këto sfida dhe shpresoj se të gjithë ne do të përfitojmë nga eksperiencat e ndërsjella.

Në të njëjtën kohë kemi përpiluar edhe një program social tejet interesant me një vizitë në Muzeun e Bankës së Shqipërisë dhe me një shëtitje me guidë nëpër qytetin e Tiranës.

Shpresoj që konferenca të jetë e vlefshme dhe programi social interesant.

***

Në përmbyllje të fjalës sime hyrëse, më lini të shfrytëzoj këtë mundësi për të drejtuar disa falënderime drejt partnerëve tanë afatgjatë dhe bashkë organizatorëve të konferencës.

Qeveria Zvicerane, me anë të Sekretariatit Shtetëror për Çështje ekonomike - SECO - ka mbështetur Bankën e Shqipërisë përgjatë viteve me anë të një numri të madh iniciativash dhe financimesh për projekte jetësore të bashkëpunimit teknik. Në kontekstin e këtij bashkëpunimi intensiv dhe të suksesshëm, ato po sponsorizojnë organizimin e kësaj konference të rëndësishme.

Gjithashtu do të doja të nënvizoja asistencën teknike tejet të vlefshme të dhënë nga FMN-ja, e cila ka kontribuar në rritjen e kapaciteteve njerëzore në Bankën e Shqipërisë përgjatë viteve. Ky bashkëpunim frytdhënës vazhdon, ashtu sikurse dëshmohet edhe prej organizimit të kësaj konference apo prej përpilimit të disa prej prezantimeve tona.

Kështu, më lini të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Ambasadorin Graf dhe për zotin Miguel Savastanon, Zëvendës Drejtor i Departamentit të Tregjeve Monetare dhe Kapitale në FMN.

***

Të nderuar pjesëmarrës,

Është një nder për mua t'ju mirëpres të gjithëve në Tiranë.

Ju faleminderit!