BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në takimin e diskutimit me drejtues të sektorit bankar

Data e publikimit: 29.05.2019

 

Roli i industrisë bankare në zhvillimin e ardhshëm të vendit

Sfidat dhe Oportunitetet

 

Të nderuar drejtues të sektorit bankar,

Të nderuar të ftuar, miq e kolegë,

Më lejoni, në radhë të parë, t’ju shpreh mirëseardhjen dhe të shpreh kënaqësinë që jemi mbledhur sot së bashku për të trajtuar disa çështje me rëndësi të veçantë për sektorin bankar dhe për ekonominë shqiptare në tërësi.

Tema e takimit të sotëm është roli i sektorit bankar në zhvillimin e vendit, e parë kjo në kontekstin e së ardhmes afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë. Në këndvështrimin tonë, kjo është një çështje jo vetëm e interesit privat, por edhe e atij publik.

DSC x9471 498

Më lejoni të shpreh bindjen time se nga diskutimet e kësaj tryeze do të dalë një produkt i prekshëm. Synimi ynë është adoptimi i një filozofie të përbashkët zhvillimi, e cila të orientojë industrinë bankare në të ardhmen, si dhe dakordimi i një plani masash, konkret dhe të detajuar, i cili të synojë përmirësimin sasior e cilësor të kreditimit dhe zgjerimin e gamës së produkteve financiare.

Ky takim vjen vetëm dy javë pas Konferencës së tretë të Shoqatës Shqiptare të Bankave, e cila iu dedikua zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit bankar në të ardhmen. Në këtë Konferencë, ku pata nderin dhe kënaqësinë të mbaj fjalën përshëndetëse, vlerësova kontributin e industrisë bankare në zhvillimin e vendit gjatë dy dekadave të fundit, si dhe identifikova disa sfida e oportunitete me të cilat do të përballemi së bashku në të ardhmen. Në vizionin tonë, këto sfida dhe oportunitete lidhen me shkallën dhe cilësinë e ndërmjetësimit të fondeve në ekonomi, apo me fjalë të tjera me vëllimin dhe strukturën e kredisë, si dhe me zgjerimin e gamës së produkteve financiare, në interes të rritjes së përfshirjes financiare të popullatës dhe të progresit të mëtejshëm teknologjik të ekonomisë.

Premisa e këtij takimi mbetet e njëjtë me sa parashtrova më lart.

Sektori bankar shqiptar ka pasur një zhvillim të vrullshëm gjatë dy dekadave të fundit. Tashmë, ky sektor administron rreth 2.4 milionë llogari bankare individësh dhe ofron kredi për rreth 327 mijë njësi ekonomike, nga të cilat rreth 307 mijë individë apo familje, rreth 19 mijë biznese të vogla apo të mëdha, dhe pjesa e mbetur entitete të tjera publike apo private. Në terma makroekonomikë, vëllimi i kursimeve financiare të administruara nga sektori bankar zë rreth 70% të PBB-së, ndërsa vëllimi i kredisë së dhënë prej tij është rreth 35% e PBB-së. Po ashtu, në këto dy dekada, sektori bankar ka zgjeruar rrjetin e mbulimit të hapësirës territoriale të vendit, si dhe ka prezantuar produkte bankare e instrumente pagese në linjë me zhvillimet e sektorit në rang botëror.

Në mënyrë të përmbledhur, industria bankare ka ndihmuar zhvillimin e ekonomisë shqiptare nëpërmjet inkurajimit të kursimeve dhe gjenerimit të kredisë, nëpërmjet kontributit në zhvillimin e tregjeve financiare dhe në zgjerimin e instrumenteve të pagesave, nëpërmjet ofrimit të këshillave dhe ekspertizës në administrimin e bizneseve, si dhe nëpërmjet diversifikimit të rrezikut në ekonomi.

Në këmbim të këtij kontributi, sektori bankar – tashmë tërësisht në pronësi private – ka gjeneruar vazhdimisht kthime pozitive dhe luhatje relativisht të vogla të treguesve të rentabilitetit. Ai ka ofruar dhe vijon të ofrojë një perspektivë pozitive biznesi, për çdo investitor me vizion afatgjatë dhe të përkushtuar të shoqërojë Shqipërinë në udhën e saj të progresit dhe integrimit evropian.

Sektori bankar ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore e sistemit financiar, si dhe segmenti më i zhvilluar e profesional i ekonomisë shqiptare. Jam i bindur se – pavarësisht trendit të zgjerimit dhe diversifikimit të segmenteve të tjera të tregut financiar – sektori bankar do të vijojë të ketë një rol të pazëvendësueshëm edhe në të ardhmen e afërt dhe të largët.

Në këtë kontekst, dëshiroj të ndaj me ju vizionin e Bankës së Shqipërisë mbi sfidat e zhvillimit.

 

1. Kredia si një instrument përafrimi i interesave të ekonomisë dhe të sektorit bankar

Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit bankar kërkon rritjen e vëmendjes ndaj rolit të tij primar: atë të transformimit të kursimeve në instrumente financimi për ekonominë. Në terma më praktikë, industria bankare duhet të kujdeset që oferta e kredisë t’i përgjigjet në kohë dhe në larmi nevojave të ekonomisë, duke faktorizuar, njëkohësisht, në mënyrë të drejtë e të përgjegjshme rrezikun.

Përpara se ta shtjelloj më tej këtë temë, më lejoni të theksoj dy momente të rëndësishme.

Momenti i parë ka të bëjë me një keqkuptim që e hasim shpesh në opinionin publik apo dhe në diskursin profesional: atë se sektori bankar shqiptar nuk jep kredi. Kjo nuk është e vërtetë. Të dhënat tona tregojnë se, duke përjashtuar efektet kontabël të kursit të këmbimit dhe të fshirjes së kredive nga bilancet, portofoli i kredisë bankare ka shënuar një rritje vjetore rreth vlerës 6% gjatë vitit të fundit. Për më tepër, ritmi i rritjes ka shfaqur një trend përmirësimi, në linjë dhe me kontekstin e përgjithshëm të ecurisë ekonomike. Paralelisht me të, zgjerimi i portofolit të kredisë bankare ka shfaqur një kompozim më të balancuar, si në terma të strukturës valutore ashtu edhe në terma të destinacionit të fondeve. Gjithashtu, gjej me vend të theksoj se portofoli i kredisë bankare në vend ka një jetëgjatësi mesatare të ulët, çka nënkupton se ai rinovohet në mënyrë të shpeshtë. Kjo do të thotë se – pavarësisht ritmit të ndryshimit të madhësisë së portofolit – sektori bankar shqiptar vijon të japë kredi. Për ilustrim, vetëm gjatë vitit 2018, sektori bankar ka dhënë ekuivalentin e rreth 1.1 miliardë eurove kredi të re, në interes të financimit të investimeve të biznesit, financimit të blerjeve të banesave, si dhe financimit të konsumit.

Momenti i dytë ka të bëjë me përgjegjësinë dhe kujdesin që duhet të ketë sektori bankar në kredidhënie. Si administrues i kursimeve të publikut, përgjegjësia dhe kujdesi i duhur në kreditim janë kushte të panegociueshme. Masat e marra për nxitjen e zhvillimit afatshkurtër dhe afatmesëm të vendit nuk duhet të bien ndesh me qëndrueshmërinë e tij financiare në afat të gjatë.

Megjithatë, duke mbetur koherent me sa thashë më parë, gjykoj se sektori bankar duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje kreditimit. Ky konstatim bazohet në dy premisa teorike dhe mundësohet nga një parakusht i rëndësishëm.

Së pari, një përqasje më aktive ndaj kreditimit është në interes të zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të industrisë bankare. Një nga problemet me të cilat përballet sektori bankar në Shqipëri, në rajon dhe më gjerë, janë normat e ulëta të kthimit nga aktivet. Këto norma të ulëta – të cilat në Shqipëri stimulohen dhe nga likuiditeti i bollshëm në valutë dhe do të vijojnë të favorizohen nga trendi i reduktimit të borxhit publik dhe i huamarrjes së brendshme të qeverisë – rritin cenueshmërinë e sektorit ndaj goditjeve. Në këto rrethana, sektori bankar duhet të rrisë orientimin ndaj kreditimit, si një instrument për përmirësimin e rentabilitetit të aktiveve dhe rritjen e qëndrueshmërisë afatgjatë të tij. Në të njëjtën linjë, lënia jashtë vëmendjes e sektorëve apo klientëve potencialë, do t’i shtyjë ata drejt segmenteve të tjera të tregut financiar. Kjo nënkupton të ardhura më të pakta për sektorin bankar, jo vetëm në formën e të ardhurave të munguara nga kredia, por dhe në formën e të ardhurave të munguara nga produkte të tjera të paketës së shërbimeve që bankat i ofrojnë një klienti.

Së dyti, një përqasje më aktive ndaj kreditimit është në interes të zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të ekonomisë shqiptare. Analizat tona, të bazuara në informacionin e disponuar dhe në rezultatet e vrojtimeve mbi aktivitetin kreditues në vend, sugjerojnë një divergjencë midis ritmit të përmirësimit të kërkesës dhe ofertës për kredi. Ndonëse kjo divergjencë nuk duket të ketë ende ndikim të qenësishëm në kreditim, thellimi i mëtejshëm i saj do të cenonte ecurinë e kreditimit dhe ritmin e rritjes ekonomike. Në këtë prizëm, gjej me vend të nënvizoj se një sërë studimesh, të brendshme dhe të huaja, evidentojnë faktin se ekonomia shqiptare do të përfitonte nga rritja e kreditimit, për sa kohë dhe me kushtin që kjo rritje të bazohet në premisa të qëndrueshme strukturore dhe institucionale. Detyra jonë e përbashkët është mos ta humbim këtë mundësi.

Ky konstatim më sjell natyrshëm te parakushti që përmenda më herët.

Ekonomia shqiptare ofron prospekte pozitive biznesi, të shoqëruara me potencial të lartë kreditimi dhe një rrezik të reduktuar kredie. Ky realitet dikton nevojën dhe mundësinë e një përqasjeje më kurajoze ndaj kreditimit. Këndvështrimin tonë mbi perspektivën e zhvillimit ekonomik të vendit kam pasur rast ta shtjelloj në vazhdimësi. Këtu dua të risjell në vëmendjen tuaj se, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe Qeverinë Shqiptare, ne kemi vënë në zbatim një plan ambicioz masash për reduktimin e kredive me probleme. Në një këndvështrim strategjik, objektivi i këtij plani nuk ishte thjesht e vetëm pastrimi i bilanceve të bankave, por përmirësimi cilësor i ambientit të kreditimit në vend. Në këtë kontekst, industria bankare tani ka një kuadër ligjor e rregullator më të përshtatshëm për mbrojtjen e interesave të kreditorit, për zotërimin e kolateralit dhe për ekzekutimin e tij, si dhe një ambient më transparent për vlerësimin e rrezikut të kredimarrësve individualë.

Duke u mbështetur në sa thashë më lart, Banka e Shqipërisë gjykon se sektori bankar duhet:

  • të rrisë vëmendjen ndaj kreditimit, si një angazhim me përfitim të ndërsjellë për të dhe për ekonominë shqiptare;
  • të fuqizojë strukturat e brendshme dhe aftësitë e tij analitike e menaxheriale në kredidhënie;
  • të kujdeset për zbatimin me prioritet të angazhimeve të mbetura nga plani i masave për reduktimin e kredive me probleme; dhe, së fundi,
  • të bëhet më vokal e më transparent në identifikimin e pengesave apo mangësive që konstaton në ambientin e kreditit, si në aspektin ligjor dhe në atë rregullator.

Këto rekomandime nuk duhen parë të veçuara nga sfida e dytë që kemi përpara.

 

2. Alokimi eficient i kredisë bankare, si parakusht i zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë

Rritja e vëmendjes ndaj kreditimit nuk nënkupton vetëm rritje të vëmendjes ndaj vëllimit të kredisë, por kujdes të shtuar dhe ndaj aspektit cilësor të saj. Këto dy aspekte, natyrisht, janë të ndërthura dhe jo-kontradiktore në afatin e gjatë.

Historiku i kredisë në ekonomitë në tranzicion, përshi dhe Shqipërinë, ka pasur disa tipare problematike, të cilat ne duhet t’i shmangim në të ardhmen.

Së pari, kredia ka pasur një përqendrim të theksuar në sektorë që prodhojnë mallra e shërbime të patregtueshme, të tilla si ndërtimi rezidencial dhe shërbimi, të cilat janë të orientuara vetëm – apo kryesisht – ndaj tregut të brendshëm. Që të jemi të qartë, kjo tendencë pasqyron njëherazi mungesën e njohurive dhe aftësive menaxheriale në ekonominë shqiptare, si dhe sjelljen e bankave në kredidhënie. Megjithatë, ajo ka prodhuar dy pasoja negative. Nuk ka inkurajuar rritjen e produktivitetit dhe përmirësimin e ritmit të rritjes afatgjatë të vendit. Po ashtu, ka frenuar diversifikimin e bazës prodhuese të ekonomisë, duke kufizuar dhe fleksibilitetin e saj në përballimin e goditjeve të ndryshme.

Së dyti, një pjesë jo e neglizhueshme e portofolit të kredisë ka shkuar drejt kredimarrësve të ekspozuar dhe të pambrojtur ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit. Këta kredimarrës shpesh kanë pasur njohuri të mangëta mbi rrezikun e luhatjeve të kursit të këmbimit dhe kanë vuajtur pasojat e tyre.

Përtej aspekteve makroekonomike, këto mangësi strukturore të kredisë janë pjesërisht përgjegjëse edhe për rritjen e shpejtë të kredive me probleme në periudhën pasuese të krizës globale financiare.

Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë gjykon se sektori bankar duhet:

  • të zgjerojë gamën e produkteve të kreditit, sidomos në drejtim të financimit të projekteve, për të siguruar një mbulim më të mirë të sektorëve të ekonomisë shqiptare dhe të nevojave të huamarrësve individualë;
  • të rrisë vëmendjen ndaj sektorëve që ofrojnë potencial të lartë kthimi, edhe për arsye të përdorimit të pakët të levës financiare, si bujqësia apo biznese të reja e inovative në fushën e teknologjisë së informacionit;
  • të plotësojë gamën e produkteve financiare me instrumente derivative të mbrojtjes ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, sidomos për kredimarrës të ekspozuar ndaj tij.

 

3. Zgjerimi i gamës së produkteve financiare dhe instrumenteve të pagesave

Përtej funksionit të tij primar, atë të ndërmjetësimit të fondeve, sektori bankar ka një rol esencial në sigurimin e shërbimeve të pagesave në ekonomi. Shkalla dhe eficienca e përmbushjes së këtij roli ka një korrelacion të drejtë me shkallën e përfshirjes financiare të popullatës, me eficiencën e përgjithshme të ekonomisë, si edhe – pse jo – me nivelin e formalizimit të saj.

Në kuadër të rolit të saj si mbikëqyrës i sistemeve të pagesave, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë masash për përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor dhe rregullator. Këto përmirësime kanë për qëllim të akomodojnë risitë teknologjike në fushën e pagesave, të rrisin efikasitetin nëpërmjet nxitjes së konkurrencës, si dhe të sigurojnë transparencë dhe mbrojtje për konsumatorin.

Duke njohur dhe rolin që kanë institucionet e tjera, Banka e Shqipërisë, së bashku me Komitetin Kombëtar të Sistemit të Pagesave, hartoi për herë të parë Strategjinë Kombëtare për Sistemin e Pagesave me Vlerë të Vogël, e cila identifikon nevojat e tregut dhe masat që nevojiten për ndërhyrje. Qëllimi i strategjisë është përmirësimi i tregut të pagesave me vlerë të vogël, duke u dhënë qytetarëve më shumë mundësi zgjedhjeje për të kryer transaksionet e tyre të përditshme, në mënyrë të lehtë dhe me kosto efektive, si dhe rritja e përfshirjes financiare të popullatës. Strategjia përmban një plan veprimi të detajuar, për përmbushjen e të cilit Banka e Shqipërisë ka angazhim maksimal.

Në këtë kuadër, dua të nënvizoj si një arritje të spikatur përfundimin e projektligjit “Për shërbimet e pagesave”, i cili transpozon direktivën e rishikuar të Bashkimit Evropian (“Për shërbimet e pagesave” - PSD2) dhe është aktualisht në fazën e konsultimit publik. Miratimi i këtij projektligji krijon kushte për promovimin e risive, duke nxitur prezantimin e instrumenteve më efikase dhe me kosto më të ulët. Njëkohësisht, ai kontribuon në rritjen e sigurisë së shërbimeve të pagesave, duke adresuar rreziqet që mbart zbatimi i risive teknologjike në shërbimet e pagesave.

Në periudhën në vijim, do të vijojmë punën për përmirësimin e shërbimeve të pagesave, ku një nismë e rëndësishme është hartimi i projektligjit “Për llogarinë e pagesave”, i cili transpozon një tjetër Direktivë të Bashkimit Evropian. Ai synon të mbështesë objektivat për rritjen e përfshirjes financiare të popullatës, e cila aktualisht mbetet ende në nivele krahasimisht të ulëta.

Kam bindjen e plotë se zgjerimi i përfshirjes financiare, pavarësisht kostove afatshkurtra të tij, do të kontribuojë ndjeshëm në nxitjen e aktivitetit tuaj ndërmjetësues në periudhën afatgjatë.

Përtej përmirësimeve rregullative, jemi angazhuar në një sërë projektesh nga pikëpamja e përmirësimit të infrastrukturës. Këtu mund të përmend:

  • krijimin e një platforme kombëtare për procesimin e pagesave në kohë reale. Këto lloj platformash kanë rezultuar tejet efikase, pasi realizojnë një pagesë në pak sekonda dhe mund të zëvendësojnë ose të plotësojnë hapësirat ku veprimtaria e pagesave me kartë nuk ka rezultuar efikase.
  • krijimin e SWITCH-it kombëtar, i cili nënkupton procesimin e një pagese me kartë nëpërmjet një platforme të brendshme, pa cikle të tejzgjatura nëpërmjet procesorëve të kartave ndërkombëtare.
  • krijimin e një sistemi për shlyerjen e pagesave në euro brenda vendit, me qëllim reduktimin e komisioneve aktuale tejet të larta për shkak të përdorimit të bankave korrespondente, të cilat janë të kushtueshme.

Të gjitha këto ndryshime ligjore dhe module teknologjike, të cilat ju vihen në dispozicion, duhet të pasohen me aksione konkrete nga ana juaj, për zgjerimin e gamës së instrumenteve dhe për uljen e kostos së tyre.

***

Të nderuar pjesëmarrës,

Sektori bankar ka pasur dhe do të vijojë të ketë një perspektivë pozitive zhvillimi në Shqipëri. Megjithatë kjo nuk do të thotë se sfidat përpara nesh mungojnë. Përkundrazi, ato janë të shumta, komplekse e dinamike, dhe shpesh të ndërlidhura me zhvillime të paparashikueshme, të brendshme apo të jashtme.

Detyra jonë, si aktorë dhe rregullatorë të kësaj industrie, është të reagojmë në kohë dhe me vendosmëri, për t’i kthyer sfidat e identifikuara tashmë, në oportunitete zhvillimi, si dhe për të rritur qëndrueshmërinë dhe fleksibilitetin e sektorit në përballimin e goditjeve të paparashikuara.

Në vijim, ju ftoj të gjithëve të ndani në mënyrë sa më të hapur mendimet tuaja mbi çështjet në fjalë. Jam i bindur se dialogu konstruktiv do të na mundësojë hartimin e një plani veprimi sa më konkret, realist, por – pse jo – dhe ambicioz.

Më lejoni t’ju rikujtoj se sektori bankar ka statusin e një pasurie kombëtare dhe sektori strategjik. Ky status i jep atij një zë të rëndësishëm në përcaktimin e politikave të zhvillimit, por dhe detyrimin për t’i shërbyer sa më mirë ekonomisë dhe shoqërisë.

 

Ju faleminderit!