BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit në Komisionin për Ekonominë dhe Financat për Prezantimin e Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2011

Data e publikimit: 30.04.2012

 

I nderuar zoti Kryetar i Komisionit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj anëtarë,

Përpara se të filloj fjalën, kërkoj mirëkuptimin tuaj për sa i përket faktit se periudha kohore pas dorëzimit të Raportit ka pasuruar inventarin e të dhënave ekonomike të vitit 2011 me informacion të ri. Për arsye të kuptueshme, ky informacion nuk përfshihet në materialin që ju dispononi. Në vazhdim, unë do të referoj zhvillimet e plota ekonomike sipas informacionit më të fundit, duke u përpjekur të identifikoj edhe diferencat me versionin që ju keni.

***

Takimi ynë i përvitshëm për prezantimin e Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë mbetet një kënaqësi e veçantë për mua. Më shumë se një detyrim ligjor, Banka e Shqipërisë e konsideron këtë raportim si një hap të rëndësishëm në drejtim të rritjes së transparencës institucionale, të forcimit të përgjegjshmërisë dhe të intensifikimit të dialogut me të gjithë politikë-bërësit e aktorët ekonomikë.

Më lejoni, fillimisht, të bëj një përmbledhje të shkurtër të konkluzioneve kryesore të Raportit.

Aktiviteti ekonomik shënoi norma pozitive të rritjes ekonomike, ndërkohë që ekuilibrat makroekonomikë mbetën në nivele të qëndrueshme apo u forcuan më tej. Duhet theksuar se ky aktivitetet u zhvillua në kushtet e përkeqësimit të situatës ekonomike dhe financiare në ekonominë botërore gjatë vitit 2011.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 3.1% gjatë vitit 2011, e mbështetur kryesisht nga rritja e kërkesës së huaj për mallra e shërbime ndërkohë që kërkesa e brendshme pati një ecuri të dobët.

Rritja ekonomike u materializua në një ecuri më pozitive të sektorit të shërbimeve dhe të degëve të veçanta të sektorit të industrisë, ndërsa sektori i ndërtimit vijon të vuajë nga kërkesa e dobët dhe gjendja e lartë e inventarëve, sidomos për ndërtesat rezidenciale.

Këto zhvillime reflektojnë një ristrukturim të brendshëm të ekonomisë dhe të biznesit shqiptar, në përgjigje të ndryshimit të përbërjes së kërkesës agregate dhe të nevojës për rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë në kontekstin rajonal dhe botëror.

Inflacioni i çmimeve të konsumit u shfaq i luhatshëm gjatë vitit 2011, nën ndikimin e rritjes së çmimeve në tregjet botërore dhe të goditjeve të tjera të ardhura nga kahu i ofertës. Megjithatë, inflacioni mesatar vjetor gjatë vitit të kaluar rezultoi 3.5%, duke mbetur në linjë me objektivin e Bankës së Shqipërisë. Respektimi i objektivit të inflacionit u kushtëzua nga presionet e ulëta inflacioniste të ardhura nga ekonomia e brendshme, nga ekspansioni i kontrolluar monetar si dhe nga pritjet e ankoruara inflacioniste. Përmbushja e objektivit të inflacionit në një ambient sfidues dhe të ngarkuar me zhvillime të papritura, reflekton në një masë të madhe efektivitetin dhe besueshmërinë e politikës monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Angazhimi jonë i palëkundur drejt ruajtjes së stabilitetit të çmimeve ka ndihmuar në ankorimin e pritjeve inflacioniste.

Ky ankorim ka sjellë përfitime direkte për ekonominë shqiptare, në formën e zbutjes së luhatjeve ekonomike dhe të reduktimit të kostove të ndërhyrjes së politikave makroekonomike.

Viti 2011 u karakterizua nga një harmonizim në rritje i politikave makroekonomike. Këto politika patën një kah rezultant stimulues në ekonominë shqiptare por ato u shfaqën njëkohësisht të kujdesshme drejt ruajtjes së stabilitetit makroekonomik e financiar të vendit.

Në veçanti, politika e përmbajtur fiskale krijoi hapësirat e nevojshme për rritjen e stimulit monetar në ekonomi, në gjysmën e dytë të vitit. Së bashku me injektimin e vazhdueshëm të likuiditetit, uljet e normës bazë të interesit u përcollën shpejt në segmentin afatshkurtër të tregut financiar, ndërkohë që kahu lehtësues i politikës monetare është ndjekur edhe nga normat më afatgjata të interesit.

Politika fiskale shfaqi një orientim në rritje drejt konsolidimit, gjatë vitit të shkuar. Ky angazhim u reflektua në kontrollin e deficitit buxhetor rreth nivelit 3.5% të PBB-së dhe të borxhit publik rreth nivelit 58.1% të PBB-së.

Ndonëse politika e kujdesshme fiskale ka një kosto afatshkurtër në formën e stimulit të munguar fiskal, Banka e Shqipërisë vlerëson se përfitimet afatgjata të ardhura nga reduktimi i primeve të rrezikut e bëjnë të domosdoshme ndjekjen e një politike të tillë, në terma afatshkurtër dhe afatmesëm.

Marrëdhëniet tregtare dhe financiare të Shqipërisë me partnerë të huaj shënuan rritje gjatë vitit 2011. Kjo rritje reflektoi para së gjithash rritjen e kënaqshme të eksporteve shqiptare, por edhe rritjen e faturës së importeve, si pasojë e rritjes së çmimeve në tregjet botërore. Deficiti i llogarisë korrente shënoi vlerën 12.1% të PBB-së, duke vijuar të ilustrojë një dobësi strukturore të ekonomisë shqiptare.

Adresimi i këtij problemi kërkon vazhdimin dhe përshpejtimin e axhendës së reformave strukturore, të cilat nxitin konkurueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe vendosin balancat e duhura midis konsumit, kursimeve dhe investimeve në ekonomi.

Zhvillimi ekonomik i vitit 2011 gjeti mbështetje me kredi, likuiditete, produkte financiare dhe instrumente pagesash nga sistemi bankar. Në ndryshim nga eksperienca e shumë vendeve të tjera, portofoli i kredisë për ekonominë shënoi rritje gjatë vitit të shkuar. Kuadri i mbikëqyrjes bankare u përmirësua dhe stabiliteti financiar u forcua më tej gjatë këtij viti. Ndonëse kreditë me probleme shënuan rritje, në përgjigje edhe të forcimit të normave rregullatore të Bankës së Shqipërisë dhe të iniciativave tona për rritjen e transparencës së bilanceve të tij, sistemi bankar shqiptar vijon të mbetet një sistem solid, me kapital dhe likuiditet të mjaftueshëm për të mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit.

***

Në vijim të fjalës time do të bëj një trajtim më të detajuar të çështjeve të mësipërme, duke u fokusuar në drejtimet kryesore të punës së Bankës së Shqipërisë.

***

1. Zhvillimet kryesore ekonomike dhe financiare gjatë vitit 2011

Produkti i brendshëm bruto u rrit me 3.1% gjatë vitit të shkuar. Ashtu si edhe gjatë vitit 2010, kërkesa e huaj ishte nxitësi kryesor i rritjes ekonomike, ndonëse ndikimi i saj erdhi duke u moderuar si rrjedhojë e ngadalësimit të ekonomive të vendeve partnere. Nga ana tjetër, kërkesa e brendshme vijoi të mbetet relativisht e dobët.

Konsumi dhe investimet private mbetën nën ndikimin e hezitimit të konsumatorit e të biznesit privat. Këta përbërës të rëndësishëm të kërkesës agregate nuk shfaqën shenja të forta gjallërimi gjatë vitit të shkuar, megjithëse kushtet financiare erdhën duke u përmirësuar. Ecuria e dobët e shpenzimeve konsumatore ka reflektuar vazhdimësinë e prirjes së lartë për të kursyer të konsumatorit shqiptar dhe pasigurinë e shtuar për të ardhmen.

Nga ana tjetër, prania e kapaciteteve të lira të prodhimit dhe shtrëngimi i normave të kujdesit në kredidhënie kanë kushtëzuar një ecuri të ngadaltë të investimeve private. Duke gjykuar nga shpërndarja e flukseve të kredisë, këto investime kanë shkuar kryesisht në sektorin e industrisë dhe të shërbimeve, sektorë të cilët kanë përfituar më së shumti nga ecuria e kërkesës së huaj.

Gjatë vitit 2011, politika fiskale u orientua drejt konsolidimit të mëtejshëm të treguesve fiskalë, në funksion të ruajtjes së kufijve të borxhit publik. Kjo sjellje ka përcaktuar një stimul të lehtë fiskal në ekonomi, të përqendruar kryesisht në tremujorin e parë dhe të katërt të vitit. Deficiti buxhetor u vlerësua në 3.5% të PBB-së, duke shënuar një rritje vjetore prej 0.5 pikësh përqindjeje. Ecuria e deficitit buxhetor u përcaktua nga rritja e ngadaltë e të ardhurave dhe e shpenzimeve fiskale. Të ardhurat shënuan një rritje vjetore prej 1.8%, të kushtëzuara nga ngadalësimi i aktivitetit ekonomik. Performanca e të ardhurave ka përcaktuar edhe kujdesin në kryerjen e shpenzimeve, të cilat u rritën me 3.7% kundrejt vitit të mëparshëm.

Deficiti buxhetor u financua nga huamarrja e brendshme dhe një orientim në rritje drejt maturiteteve më të gjata, duke përmirësuar strukturën e maturitetit të borxhit publik dhe duke ulur rrezikun e rifinancimit. Kërkesa e ulët e sektorit publik për financim është reflektuar në rënie të yield-eve të letrave me vlerë të qeverisë dhe ka mundësuar rritjen e hapësirës për financim më të madh të sektorit privat të ekonomisë.

Zhvillimet e pafavorshme në ekonominë e jashtme gjetën pasqyrim edhe në bilancin e pagesave. Frenimi i rritjes ekonomike në vendet partnere u reflektua në ngadalësimin e eksporteve, të cilat reduktuan ritmin e rritjes vjetore në 20.0%. Nga ana tjetër, çmimet e larta në tregjet botërore, u materializuan në rritjen me 12.4% të shpenzimeve për import gjatë vitit 2011. Këto zhvillime kthyen trendin korrektues të deficitit të llogarisë korente, të vërejtur në dy vitet e mëparshëm. Deficiti i llogarisë korente rezultoi në 12.1% të PBB-së, duke u rritur me 12.5% kundrejt vitit 2010. Flukset neto të llogarisë kapitale dhe financiare regjistruan një rritje prej 5.6% për vitin dhe mundësuan financimin në masën 80.4% të llogarisë korente.

Rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë mbeti thuajse e pandryshuar në nivelin 1.9 miliardë euro, duke qenë e mjaftueshme për të mbuluar 4.4 muaj importesh të mallrave dhe shërbimeve.

Në përputhje me ecurinë e aktivitetit ekonomik, treguesit e punësimit kanë shfaqur shenja graduale përmirësimi gjatë vitit të shkuar. Sipas të dhënave të INSTAT-it, numri mesatar i të punësuarve u rrit me 1.7 % gjatë vitit të shkuar, kryesisht si pasojë e rritjes së punësimit në sektorin privat jobujqësor ndërkohë që numri i të punësuarve në sektorin publik vazhdon rënien e nisur që në tremujorin e fundit të vitit 2010. Numri i të papunëve ka mbetur thuajse i pandryshuar në krahasim me një vit më parë. Megjithë rritjen e punë-zënies në ekonomi, norma e papunësisë ka pësuar një reduktim të lehtë prej vetëm 0.2 pikësh përqindjeje, duke shënuar vlerën 13.3% në fund të vitit 2011. Prania e hendekut negativ të prodhimit dhe shfrytëzimi jo i plotë i kapaciteteve e kanë mbajtur normën e papunësisë mbi nivelin 13% gjatë vitit 2011, duke kushtëzuar kështu dinamikën e rritjes së pagës nominale në ekonomi.

Ecuria e treguesve monetarë gjatë vitit 2011 ka qenë në linjë me zhvillimet në ekonominë reale, duke u karakterizuar nga rritja e moderuar e ofertës monetare, kërkesa e ulët e ekonomisë për financim dhe ruajtja e prirjes së lartë të konsumatorëve për kursim. Paraja e gjerë shënoi një rritje vjetore prej 9.2% gjatë këtij viti. Masat stimuluese të marra nga Banka e Shqipërisë, krahas situatës së mirë të likuiditetit e të kapitalizimit të sistemit bankar, mbështetën rritjen e financimit bankar për ekonominë edhe në vitin 2011.

Kredia për sektorin privat shënoi një rritje mesatare vjetore prej 11.7%, në përmirësim kundrejt vitit të mëparshëm. Megjithatë, rritja e financimit bankar mbetet e përmbajtur, e ndikuar nga faktorë të kërkesës dhe të ofertës. Ecuria e ngadaltë e konsumit dhe e investimeve janë reflektuar në një kërkesë të ulët për kredi dhe të orientuar kryesisht drejt afatit të shkurtër të maturimit. Nga ana tjetër, kujdesi më i madh i bankave në kredidhënie është reflektuar në kushte më të shtrënguara të ofertës së kredisë.

Tregjet financiare, në përgjithësi kanë qenë të qëndrueshme dhe kanë evidentuar kushte të përmirësuara të likuiditetit dhe prime të kontrolluara të rrezikut. Normat e interesit në tregun e parasë kanë ndjekur një trajektore rënëse, të ndikuara nga politika lehtësuese e Bankës së Shqipërisë dhe nga nivelet e kënaqshme të likuiditetit.

Ndonëse kosto e kreditimit për sektorin privat rezulton më e ulët se një vit më parë, ecuria e ngadaltë e ekonomisë dhe pasiguritë lidhur me të kanë bërë që kjo prirje të shfaqet më e moderuar në aplikimin e interesave për financimin e këtij sektori.

Presionet në tregun valutor kanë qenë të ulëta dhe kursi i këmbimit të lekut kundrejt monedhave kryesore ka shfaqur ecuri të qëndrueshme, duke qenë një faktor mbështetës në kontrollin e presioneve inflacioniste në vend dhe duke rritur sigurinë në marrëdhëniet tregtare me jashtë.

2. Ecuria e inflacionit dhe politika monetare

Gjatë vitit 2011, inflacioni mesatar vjetor i çmimeve të konsumit rezultoi 3.5%, duke mbetur pranë niveleve mesatarë të regjistruara në vitin paraardhës. Ecuria e inflacionit është karakterizuar nga një luhatshmëri e lartë përgjatë vitit të shkuar. Në tremujorin e parë dhe të dytë të vitit, inflacioni vjetor shënoi vlera pranë kufirit të sipërm të intervalit të objektivit, i ndikuar nga rritja e shpejtë dhe e fortë e çmimeve të mallrave bazë dhe të ushqimeve në tregjet botërore. Këto presione rezultuan afatshkurtra dhe u moderuan shpejt; në gjysmën e dytë të vitit inflacioni filloi të bjerë gradualisht për të shënuar vlerën 1.7% në muajin dhjetor. Përveç zbutjes së inflacionit të importuar, trendi rënës në normat vjetore të inflacionit u ndihmua edhe nga shuarja e rritjes së çmimeve të rregulluara një vit më parë dhe mungesa e rritjes së mëtejshme të tyre.

Nga këndvështrimi i faktorëve makroekonomikë, luhatshmëria e inflacionit vjetor është diktuar nga sjellja e faktorëve të ofertës, ndërkohë që presionet inflacioniste nga kahu i kërkesës kanë vijuar të jenë të ulëta.

Pritjet e ankoruara inflacioniste kanë penguar transmetimin e goditjeve të ofertës në strukturën e kostove të ekonomisë shqiptare, duke e kufizuar veprimin e goditjeve të ofertës vetëm në efektet e raundit të parë. Nga ana tjetër, rritja nën potencial e ekonomisë shqiptare ka diktuar një shfrytëzim jo të plotë të kapaciteteve të prodhimit, duke krijuar presione të moderuara mbi pagat dhe kostot e prodhimit në ekonomi. Paralelisht më të, kërkesa e dobët agregate ka ulur aftësinë e bizneseve për të diktuar çmimet në ekonomi dhe marxhet e fitimit të këtyre të fundit mbeten në nivele historikisht të ulëta.

Këto zhvillime gjejnë pasqyrim edhe në ecurinë e inflacionit bazë, i cili është luhatur në gjysmën e poshtme të intervalit objektiv të Bankës së Shqipërisë gjatë vitit të shkuar. Së fundi, Banka e Shqipërisë ka furnizuar në mënyrë të kujdesshme me likuiditet ekonominë dhe ekspansioni monetar ka qenë në përputhje me nevojat e ekonomisë për mjete monetare, duke mos gjeneruar impulse monetare inflacioniste.

Politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka ruajtur natyrën e saj ekspansioniste gjatë vitit 2011, duke iu përgjigjur ecurisë së balancës së presioneve inflacioniste dhe duke faktorizuar njëkohësisht stimulin e përmbajtur fiskal. Rritja e fortë e çmimeve në tregjet botërore dhe reflektimi i shpejtë i saj në çmimet e konsumit e brendshme në fillim të vitit, diktuan një rritje të normës bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje në muajin mars. Një lëvizje e tillë u ndërmor në funksion të ankorimit të pritjeve inflacioniste dhe të parandalimit të efekteve të raundit të dytë në inflacion, në prani të projeksioneve për rritje të mëtejshme të çmimeve në botë. Në gjysmën e dytë të vitit, me moderimin e presioneve inflacioniste, me rikthimin e inflacionit brenda objektivit dhe zhvendosjen e balancës së presioneve të pritura inflacioniste në kahun rënës, politika monetare mori një natyrë më të fortë stimuluese. Banka e Shqipërisë ndërmori dy uljeve të njëpasnjëshme të normës bazë të interesit, duke e zbritur normën referencë të interesit në ekonominë shqiptare në nivelin më të ulët historik të saj, prej 4.75%.

Politika stimuluese nëpërmjet normës bazë u shoqërua edhe me injektime të vazhdueshme të likuiditetit në tregun financiar. Në tërësi, politika monetare e ndjekur gjatë vitit 2011 dhe kërkesa e ulët për financim e sektorit publik kanë ndihmuar kontrollin e primeve të rrezikut, duke çuar në uljen e kostos së financimit dhe në rritjen e ndërmjetësimit financiar në monedhën vendase. Kjo e fundit është ndihmuar edhe nga ndryshimi i bërë në instrumentin e rezervës së detyruar, me anë të të cilit u hoq remunerimi i rezervës së detyruar në valutë. Një ndryshim i tillë synon të shkurajojë ndërmjetësimin në valutë dhe të përmirësojë mekanizmin e transmisionit të politikës monetare. Adresimi i çështjes së eurozimit financiar në Shqipëri do të vijojë të jetë në vëmendjen dhe fokusin e politikave të Bankës së Shqipërisë edhe në të ardhmen.

***

3. Ecuria e sistemit bankar dhe mbikëqyrja bankare

Sistemi bankar shqiptar është përballur me sfida të shumta gjatë viteve të fundit, të cilat ka arritur t’i kalojë me sukses duke ruajtur gjithnjë parametra të shëndoshë likuiditeti e kapitalizimi. Edhe gjatë vitit 2011, aktiviteti i këtij sistemi është zhvilluar në kontekstin e pafavorshëm të tregjeve financiare ndërkombëtare dhe të një ecurie të ngadaltë të kërkesës për kredi dhe të rritjes ekonomike në vend. Pavarësisht nga këta faktorë, bankat në vend mbeten të mirëkapitalizuara dhe të shëndetshme. Ngadalësimi i rritjes ekonomike është reflektuar në ecurinë e moderuar të kreditimit dhe në rritjen e raportit të kredive me probleme, ndërkohë që situata e likuiditetit të bankave paraqitet e përmirësuar. Gjatë vitit 2011 është rritur kujdesi për monitorimin e sistemit bankar, me qëllim evidentimin e hershëm të rreziqeve potenciale si dhe është forcuar kuadri rregullativ mbikëqyrës.

Rezultatet e analizave të provës së rezistencës ( stress-test) dëshmojnë se sistemi bankar mbetet i qëndrueshëm dhe i aftë të përballojë goditje të përmasave të mëdha në indikatorët e parametrave makroekonomikë.

Më poshtë do të ndalem në disa tregues kryesorë të ecurisë së sistemit bankar gjatë vitit 2011, sistem i cili vijon të mbetet aktori kryesor i ndërmjetësimit financiar në Shqipëri.

Ecuria e sistemit bankar

Në fund të vitit 2011, aktivet e sistemit bankar përfaqësojnë rreth 85% të PBB-së, nga rreth 81% në fund të vitit 2010. Rezultati financiar i sistemit bankar është ulur në vitin 2011, ku përcaktuese ka qenë rritja e madhe e shpenzimeve për provigjone. Në kuadrin e përballimit të humbjeve të mundshme nga rreziku i kredisë, sektori bankar ka krijuar fonde rezervë (provigjone), të cilat janë rritur me rreth 52.4% krahasuar me vitin e kaluar. Në të kundërt, rezultati neto operacional është rritur me rreth 7.7%, çka tregon se bankat, në përgjithësi, kanë arritur vëllim dhe rezultat neto të qëndrueshëm nga aktivitetet kryesore bankare.

Përfitueshmëria e sistemit bankar, e vlerësuar nëpërmjet kthimit nga aktivet dhe kthimit nga kapitali, paraqitet pozitive, por më e ulët se viti i kaluar, ndërsa treguesi i efikasitetit paraqitet në vlerë më të lartë.

Në fund të vitit 2011, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit i sistemit bankar rezulton në rreth 15.6%, më i lartë se ai në vitin 2010 dhe ndjeshëm më i lartë se niveli minimal rregullator prej 12%.

Procesi mbikëqyrës

Sikurse përmenda, gjatë vitit 2011, është forcuar më tej procesi mbikëqyrës i sistemit bankar dhe atij jobankar në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe kërkesat dinamike që ka sjellë situata financiare në tregun evropian. Ekzaminimet në vend kanë patur si qëllim kryesisht vlerësimin e plotë të profilit të rrezikut të subjekteve pa lënë mënjanë edhe ekzaminimet e iniciuara si rrjedhojë e shfaqjes së problematikave të veçanta në subjektet e licencuara. Në përgjithësi, sistemi ka operuar në përputhje me kërkesat e kuadrit ligjor dhe rregullativ mbikëqyrës. Viti 2011 shënoi finalizimin e disa rregulloreve të reja dhe njohu ndryshime në disa rregullore të tjera të mbikëqyrjes bankare, të cilat synojnë përshtatjen me standardet e Komitetit të Bazelit, direktivat e Bashkimit Evropian si dhe praktikat më të mira në fushën e rregullimit dhe mbikëqyrjes bankare.

Këtu veçoj rregulloret që lidhen me: administrimin e rrezikut të kredisë, të rrezikut të likuiditetit dhe të rrezikut operacional; ato që lidhen me rritjen e transparencës së marrëdhënieve të subjekteve financiare me klientët; si dhe rregullore të tjera që synojnë zgjerimin, diversifikimin dhe mirëfunksionimin e proceseve të punës të subjekteve financiare. Kështu, për të adresuar rrezikun e likuiditetit, në fund të vitit 2011, u materializuan disa ndryshime rregullative që përfshinë ripërkufizimin e aktiveve likuide, rritjen e kufirit minimal të treguesit rregullator të aktiveve likuide ndaj pasiveve afatshkurtra në nivelin 25%, si dhe fillimin e zbatimit të dy kufijve të ndarë për treguesin në monedhën vendase dhe në valutë të huaj në nivelin minimal prej 20%. Bankat kanë reaguar menjëherë ndaj këtij vendimi të Bankës së Shqipërisë duke rritur likuiditetin e tyre.

Nga mbikëqyrja e sistemit bankar dhe vlerësimi i stabilitetit të sistemit financiar rezulton se është rritur ekspozimi ndaj rrezikut të kredisë, si rrjedhojë e rritjes më të madhe të kredive me probleme ndaj rritjes së tepricës së kredisë gjatë vitit 2011.

Si rezultat, u evidentua një rritje e treguesit të cilësisë së portofolit të kredisë, “kredi me probleme ndaj totalit të kredisë së sistemit bankar”, me rreth 4.8 pikë përqindjeje, duke arritur në 18.8%. Megjithatë, provat e rezistencës kanë evidentuar se sistemi bankar është i aftë të përballojë goditje që mund të vijnë nga përkeqësime ekstreme të këtij treguesi.

Në vlerësimin e rrezikut të kursit të këmbimit, treguesi i pozicionit të hapur valutor të sistemit bankar tregon pozicion “në blerje” në raportin 3.94% ndaj kapitalit rregullator. Krahasuar me kufirin maksimal rregullator prej 30%, kjo shifër flet për një nivel të ulët ekspozimi të sistemit bankar shqiptar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.

Për sa i përket ekspozimit ndaj rrezikut të normave të interesit, diferenca midis aktiveve dhe pasiveve të riçmueshme deri në tre muaj arrin në 5.1% të aktiveve që sjellin të ardhura, çka në nivel sistemi dëshmon për një ekspozim të ulët ndaj ndryshimit të normave të interesit.

Gjithashtu, gjatë vitit 2011 është konstatuar një reagim pozitiv i sistemit bankar në drejtim të përputhshmërisë me rregulloret dhe standardet e reja të administrimit të rrezikut operacional të miratuara gjatë vitit.

Pjesë e rëndësishme e procesit mbikëqyrës përgjatë vitit 2011 kanë qenë edhe çështjet që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave dhe transparencёn. Për monitorimin e këtyre çështjeve janё kryer një sërë inspektimesh si në banka, ashtu edhe në subjekte financiare jobanka, përfshirë zyrat e këmbimit valutor, prej të cilave ka rezultuar se subjektet, në përgjithësi, i kanё ndёrmarrё masat parandaluese.

Transparenca dhe publikimi i informacionit kanë qenë nga fushat në reformim për vitin 2011 dhe kanë pasur për qëllim krijimin e një klime më të përshtatshme biznesi për bankat dhe ofrimin e një mbrojtjeje më të madhe për publikun. Nga ana e tyre, bankat kanë reaguar pozitivisht duke përshtatur kuadrin e brendshëm rregullativ? në përputhje me këto ndryshime.

Përmirësime të mëtejshme nevojiten për rritjen e transparencës lidhur me përcaktimin e kontratave të kredive, të cilat kanë qenë burim ankesash nga klientët dhe në qendër të ekzaminimeve për transparencën dhe të masave korrigjuese të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë. Praktikat për përcaktimin e depozitave dhe llogarive, dhe publikimi e trajtimi i ankesave të klientëve gjykohen të jenë përgjithësisht më pak problematike.

Pjesë funksionale e Bankës së Shqipërisë është dhe mbikëqyrja e institucioneve jobanka. Numri i tyre arriti në 19 nga 17 një vit më parë me një peshë specifike të pandryshuar, 3.1%, ndaj aktiveve të sistemit bankar. Gjatë vitit 2011, veprimtaria e tyre paraqet rritje të moderuar për sa i përket totalit të aktiveve, portofolit të kredisë dhe rezultatit financiar.

Në përgjithësi, institucionet jobankare kanë vepruar në përputhje me kuadrin rregullativ dhe normat e mbikëqyrjes, ndërkohë që, nga ekzaminimet në vend, janë vërejtur dhe probleme për të cilat janë lënë rekomandimet përkatëse.

Ndër to veçojmë: nevoja për përmirësimin e procesit kredidhënës; nevoja për rishikimin e kuadrit të brendshëm rregullativ; nevoja për rritjen e transparencës me klientët, etj.

Dinamika e zgjerimit të veprimtarisë së sektorit financiar është reflektuar në procesin e licencimit. Gjatë vitit 2011, janë miratuar veprimtari shtesë që bankat dhe subjektet financiare jobanka kërkojnë të ofrojnë, të cilat konsistojnë në hedhjen në treg të produkteve të reja dhe diversifikimin e produkteve ekzistuese të institucioneve financiare. Gjithashtu, janë miratuar paraprakisht degë e agjenci të reja bankare (10), por në ritme të ulëta, ndërkohë që është njoftuar dhe mbyllja e aktivitetit të disa degëve e agjencive (11). Në fund të vitit numërohen 528 degë dhe agjenci të bankave që ushtrojnë veprimtari brenda vendit dhe 1 degë që ushtron aktivitetin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Lidhur me mbikëqyrjen e sistemit financiar nën juridiksionin e Bankës së Shqipërisë, më lejoni të ritheksoj, se ai mbetet brenda parametrave të sigurisë dhe është i aftë të përballojë edhe goditje të papritura.

Banka e Shqipërisë do të vijojë të shprehë angazhimin e saj për monitorimin me rreptësi dhe vigjilencë të sistemit financiar në Shqipëri me qëllim evidentimin e hershëm të rreziqeve potenciale dhe marrjen e masave korrektuese për shmangien e tyre.

***

Krahas drejtimeve kryesore të punës së Bankës së Shqipërisë të përshkruara më lart, në vijim do të doja të ndalesha edhe në disa aktivitete të tjera të punës sonë. Këto aktivitete, përveçse përmbushin detyrimet tona ligjore, i shërbejnë njëkohësisht zhvillimit të sistemit financiar dhe të ekonomisë së tregut në Shqipëri.

4. Aktivitete të tjera të Bankës së Shqipërisë

· Roli i Bankës së Shqipërisë në procesin e integrimit evropian

Në frymën e objektivit kombëtar për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, Banka e Shqipërisë ka punuar për harmonizimin e veprimtarive dhe rregulloreve të saj me standardet dhe direktivat e BE-së.

Në linjë me angazhimet institucionale, ajo ka kontribuar rregullisht për të raportuar sipas kapitujve përkatës të acquis communautaire, duke pasqyruar progresin e arritur në drejtim të përafrimit të kuadrit rregullator shqiptar me atë të BE-së dhe arritjen e standardeve evropiane. Për çështjet në lidhje me veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, Komisioni Evropian në Raportin e Progresit për Shqipërinë në muajin tetor, ndër të tjera vlerësoi pozitivisht se politika monetare ka ndihmuar me sukses në ruajtjen e qëndrueshmërisë së normës së inflacionit dhe se sektori bankar mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid.

Viti 2011 shënoi fillimin e zbatimit të projektit të financuar nga BE-ja për binjakëzimin e Bankës së Shqipërisë me Bankën e Italisë në partneritet me Bankën e Francës. Projekti, i cili mbulon pjesën më të madhe të aktiviteteve të Bankës së Shqipërisë, do të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve njerëzore, përafrimin e kuadrit rregullativ dhe të praktikave të punës së Bankës së Shqipërisë me ato të BE-së dhe të BQE-së, si dhe do të nxisë zhvillimin e tregut financiar dhe të instrumenteve financiare në vend.

· Nxitja e sistemit të pagesave

Në përmbushje të përgjegjësisë së saj ligjore për funksionimin normal të sistemeve të pagesave, gjatë vitit 2011, Banka e Shqipërisë ka punuar në drejtim të forcimit të procesit mbikëqyrës të sistemeve të pagesave, të përmirësimit të infrastrukturës teknologjike dhe të zhvillimit të produkteve të reja të pagesave. Dy sistemet kryesore të pagesave, ai për pagesat me vlerë të madhe –AIPS dhe ai për ato me vlerë të vogël – AECH, kanë operuar me eficiencë të plotë duke reflektuar qëndrueshmëri të sistemeve.

Në muajin mars, Banka e Shqipërisë ndërmori një sërë ndryshimesh në rregulloret për funksionimin e këtyre dy sistemeve, me qëllim nxitjen e përdorimit të shërbimit të pagesave dhe reduktimin e përdorimit të parasë fizike. Gjithashtu, në vjeshtën e vitit 2011, Banka e Shqipërisë dërgoi pranë Ministrisë së Financave projektligjin “Për Sistemin e Pagesave”, i cili është në harmonizim të plotë me parimet themelore të direktivave të BE-së. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë po punon për hartimin e kuadrit nënligjor të nevojshëm për zbatimin e dispozitave të parashikuara në këtë projektligj.

· Përmirësimi i statistikave

Gjatë vitit 2011 është punuar intensivisht për identifikimin e kërkesave të reja për strukturën e prodhimit statistikor, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian për vendet kandidate dhe vendet anëtare. Drejtimet kryesore të punës kanë qenë ndërtimi i modelit të raportimit, rishikimi dhe përmirësimi i formave të raportimit, si dhe zbatimi i praktikave më të mira të publikimit të statistikave.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka nisur projektin për “Automatizimin e Raportimit Rregullator”, i cili synon vendosjen e një sistemi raportimi elektronik për subjektet financiare që raportojnë pranë Bankës së Shqipërisë. Ky sistem do të lehtësojë barrën e raportimit për subjektet, do të shkurtojë kohën e raportimit, dhe do të automatizojë procesin e kontrollit dhe të gjenerimit të pasqyrave statistikore, duke përmirësuar ndjeshëm sasinë dhe cilësinë e statistikave të prodhuara nga Banka e Shqipërisë.

· Përmirësimi i kapaciteteve kërkimore

Në vitet e fundit, Banka e Shqipërisë i ka kushtuar vëmendje të veçantë rritjes së nivelit studimor dhe kërkimor në institucion duke investuar në masë të konsiderueshme në burime njerëzore dhe teknike. Gjatë vitit 2011, janë organizuar seminare dhe tryeza pune për trajnimin dhe shkëmbimin e të rejave shkencore midis ekonomistëve në rang lokal dhe ndërkombëtar, duke e kthyer Bankën e Shqipërisë në pikë referimi për studiuesit e ekonomisë dhe financës.

Disa nga aspektet ku është orientuar fokusi kryesor i materialeve studimore kanë qenë: çështje të stabilitetit financiar dhe të politikës monetare, çështje të politikës fiskale, integrimit rajonal dhe marrëdhënieve tregtare, studimi i pasigurive që burojnë nga vlerësimi i modeleve ekonometrike, etj. Ndërkohë, me ndihmën e ekspertëve të huaj, është punuar për përmirësimin dhe ndërtimin e modeleve makroekonomike dhe statistikore mbi të cilat mbështeten projeksionet e Bankës së Shqipërisë për treguesit makroekonomikë dhe financiarë.

· Përmirësimi i komunikimit me publikun

Krijimi i marrëdhënieve transparente dhe të frytshme me publikun është pjesë e pandarë e strategjisë së zhvillimit të Bankës së Shqipërisë. Gjatë vitit 2011, strategjia e komunikimit ka patur si prioritet ndërmarrjen e aktiviteteve për edukimin financiar të publikut.

Me qëllim arritjen e synimeve të saj në këtë fushë, Banka e Shqipërisë ka zhvilluar një sërë aktivitetesh edukuese gjatë vitit 2011. Ndër to veçojmë projektin për integrimin e edukimit financiar në kurrikulën e shkollave të mesme të vendit.

Një grup pune me specialistë të Bankës, të ndihmuar nga ekspertët e kurrikulave të Institutit të Zhvillimit të Arsimit, punuan për hartimin e programit dhe përgatitjen e tekstit të lëndës, e cila ka formën e një moduli me zgjedhje të lirë dhe është integruar për herë të parë në arsimin e mesëm gjatë vitit mësimor 2011-2012.

Rritjes së ndërgjegjësimit për rëndësinë e edukimit financiar dhe tërheqjes së vëmendjes së autoriteteve dhe institucioneve përkatëse për të, i ka shërbyer dhe Konferenca Vjetore Ndërkombëtare e Bankës së Shqipërisë “Të ndërtojmë të ardhmen nëpërmjet kulturës financiare”, ku morën pjesë përfaqësues të lartë të autoriteteve publike dhe private brenda dhe jashtë vendit.

***

Të nderuar anëtarë të Komisionit,

Viti që kaloi dhe ai aktual përbëjnë një periudhë të mbushur me sfida, që burojnë si nga ambienti i jashtëm ashtu dhe nga struktura e brendshme e ekonomisë. Më sipër, rendita vetëm disa nga arritjet dhe problemet kryesore me të cilat është përballur institucioni gjatë vitit 2011, ndërkohë që në raport do të gjeni një informacion më të detajuar.

Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të punojë me seriozitet për të përmbushur mandatin e saj ligjor dhe për të kontribuar maksimalisht në rritjen e mirëqënies së vendit.

Në mbyllje të konkluzioneve kryesore të raportit, dëshiroj të ndaj me ju disa reflektime mbi të ardhmen e zhvillimit ekonomik në vend. Vitet që lamë pas nxorën në pah disa brishtësi të ekonomisë shqiptare. Në këtë kontekst, duhet bërë më shumë punë nga politikat ekonomike në drejtim të sigurimit të një perspektive të qëndrueshme të rritjes së ekonomisë.

Në veçanti, rritja e produktivitetit, vijimi i ristrukturimit dhe forcimi i qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike kërkon hartimin dhe zbatimin e reformave strukturore me qëllim mbështetjen e prodhimit vendas dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tij në tregjet vendase dhe të huaja.

Gjithashtu, politikat ekonomike duhet të synojnë përmirësimin e mëtejshëm të kushteve të tregut të lirë në vend, me qëllim forcimin e strukturës së ekonomisë së tregut dhe rritjen e eficiencës në ekonominë tonë.

Së fundi, eksperienca botërore, por edhe ajo e jona, e krijuar në këto dekada zhvillimi, kanë treguar se koordinimit i politikave të aktorëve të ndryshëm institucionalë dhe veprimeve të tregut është kusht i domosdoshëm për sigurimin e progresit të vazhdueshëm të shoqërisë dhe ekonomisë së një vendi.

Në këtë drejtim, vetëm bashkëpunimi dhe koordinimi i vazhdueshëm i përpjekjeve të të gjithë lojtarëve do të sigurojë rritjen e qëndrueshme të ekonomisë dhe mirëqënies në Shqipëri.

Në mbyllje të fjalës sime, më lejoni t’ju rikujtoj se, së bashku me Raportin Vjetor, pranë jush janë depozituar dhe pasqyrat financiare të Bankës Shqipërisë për vitin 2011, të certifikuara nga auditorët.

Duke ju falënderuar për vëmendjen, mbetem i hapur ndaj pyetjeve apo diskutimeve!

 

Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu