BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani, në ceremoninë e inaugurimit të Qendrës Kërkimore në qytetin e Beratit

Data e publikimit: 10.02.2010

 

Të nderuar miq, të ftuar, kolegë dhe bashkëpunëtorë,

Kam kënaqësinë e veçantë që sot në qytetin e vjetër të Beratit, të pres shiritin e inaugurimit të një prej ndërtesave më të reja të këtij qyteti, atë të Qendrës Kërkimore të Bankës së Shqipërisë. Nëpërmjet ndërtimit të kësaj qendre kërkimore, Banka e Shqipërisë dëshironte t’u bashkohej qytetarëve beratas në tregimin e një historie që ia vlen ta rrëfesh. Kjo ishte arsyeja që i kemi qëndruar besnikë vlerave arkitekturore të lagjes muze Mangalem, sepse ne besojmë që cilësia dhe origjinaliteti arkitektonik janë vlera të papërsëritshme që e bëjnë qytetin e Beratit një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të vendit. Për këtë arsye, jam i bindur se kemi kontribuar në hijeshinë e qytetit, duke i sjellë atij një godinë të re në moshë, por në harmoni perfekte me ansamblin piktoresk të një mbi një dritareve.

Në institucionin tonë ekziston një mirëkuptim i admirueshëm kur bie fjala për trashëgiminë kulturore të Shqipërisë. Është kjo arsyeja që këto dy vitet e fundit kemi hedhur hapa konkretë në drejtim të dokumentimit, ruajtjes dhe propagandimit të saj. Më lejoni të sjell në kujtesën tuaj, se në fund të çdo viti Banka e Shqipërisë ka qenë shumë e kujdesshme në propagandimin e vlerave kulturore nëpërmjet kalendarit për vitin pasardhës. Do të veçoja kalendarin e fundit ku nëpërmjet një pune plot përkushtim, arritëm të prodhojmë një publikim krejt të veçantë, në pasqyrimin e 12 rrënojave antike të vendit, ku janë gjetur monedha antike të periudhës përpara Krishtit.

Në pamje të parë trashëgimia kulturore dhe institucioni i bankës qendrore mund të duken të shkëputur, të palidhur me njëri-tjetrin. Personalisht, besoj të kundërtën. Bankat qendrore janë mbartëse të kulturës së një populli. Ato mbajnë brenda tyre thesaret e një kombi, mundin dhe djersën e brezave dhe i vënë ato në funksion të së ardhmes. Bankat qendrore, si pasardhëse të bankave tregtare, janë që në origjinë të lidhura me artin dhe kulturën e një vendi, tregojnë shkallën e qytetërimit dhe rrugën e tij të gjatë drejt prosperitetit. Zbulimi i numrave, shkronjave, figurave krijoi themelin e kulturës dhe të artit të një populli, duke u pasqyruar gjerësisht në monedhat, ikonat, kodikët, monumentet. Lidhja midis artit, kulturës, parasë, gjithmonë më ka bërë të besoj, se ato kanë jetuar së bashku dhe janë të destinuara t’i rezistojnë kohës, sepse kanë ruajtur identitetin e tyre. Ashtu si forma, qëllimi, ideja, përmbajtja e një ikone ngjan me atë të një monedhe, po aq, elemente të veçanta të saj mund të qëndrojnë në harmoni me një monument, partiturë, veshje karakteristike apo një këngë të vjetër. Në kuptimin e mësipërm, ato janë thesare. Janë para rezervë. Janë investim. Në rrjedhën e shekujve, ato kanë shprehur shpirtin, besimin, forcën, pasurinë, kulturën e një kombi. Ato janë tregtuar, kanë kaluar dorë më dorë, duke përhapur dije dhe qytetërim, duke fituar vlera të reja, duke na sjellë prosperitet. Këto vlera kanë kaluar nga një mendje te tjetra, duke shkruar historinë dhe prandaj kujdesi për këtë trashëgimi historike është investimi më i mirë, është vlera e shtuar për brezin e ardhshëm.

Kultura dhe monedhat që kemi trashëguar ndër shekuj na përkasin ne të gjithëve dhe me këto vlera do të hyjmë në Evropë. Besimi në gjuhën, zakonet, artin, monedhat, kulturën, ka çuar përpara shoqërinë tonë, duke mbajtur gjallë identitetin shqiptar.

Banka e Shqipërisë, si autoriteti i vetëm monetar i vendit, kujdeset për paranë dhe shëndetin financiar të vendit. Në komunikimin e saj me bankat e tjera qendrore dhe institucionet e rëndësishme ndërkombëtare, është themelore që përveç  arritjeve në fushën profesionale të përçojë identitetin kombëtar të vendit, duke nënvizuar vlerat më të spikatura të trashëgimisë kombëtare kulturore. Ky imazh e bën bankën qendrore një partner më të denjë dhe më të besueshme. 

Vetë monedha e një vendi me historinë e saj përbën një vlerë unikale në trashëgiminë kulturore të çdo kombi. Është monedha, pra një element tjetër që krijon një urë të qenësishme midis bankës qendrore dhe trashëgimisë kulturore të vendit.

Një faktor tjetër, lidhet me godinat ku banka qendrore ushtron aktivitetin e saj. Në shumicën e rasteve bankat qendrore zotërojnë si pasuri, komplekse të tëra godinash, të cilat për nga vlerat historike dhe arkitektonike pasqyrojnë pjesët më të arrira të trashëgimisë në këtë fushë.

Nuk është e rastësishme, që godinat e bankave qendrore janë zgjedhur të tilla. Ato duhet të përçojnë në publik mesazhe të pavarësisë, të qëndrueshmërisë, të prosperitetit, të largpamësisë dhe të besimit. Besoj se një godinë e tillë është dhe ndërtesa jonë në sheshin “Skënderbej”, si dhe kjo godinë që po përurojmë sot.

Mandati ynë ligjor për stabilitet çmimesh apo stabilitet financiar, midis të tjerash, nënkupton një ambient të përgjithshëm politik, shoqëror dhe kulturor që interpreton drejt rolin e parasë në ekonomi: 

  • si është krijuar ajo dhe si duhet ruajtur vlera e saj;
  • si na financon ajo nevojat tona përfshirë dhe pasuritë tona që duam t’ia lëmë trashëgim fëmijëve tanë;
  • si na financon ajo mirëmbajtjen e pasurive tona fizike apo edhe ato të natyrës intelektuale;
  • si na financon ajo thithjen e eksperiencave të huaja dhe si të huajt nëpërmjet parasë arrijnë të vizitojnë trashëgiminë tonë.


Të nderuar miq,

Përurimi i sotëm shënon një kthim të vlerave të humbura. Pavarësisht nga funksioni i rëndësishëm që ka kryer për qytetin dhe vendin tonë në përgjithësi, objekti i mëparshëm, një vepër tipike e realizmit socialist, ishte vendosur në kontrast të shëmtuar me ansamblin e banesave historike, duke sjellë edhe shëmtimin e kësaj zone. Sot, Banka e Shqipërisë është krenare t’i ofrojë qytetit dhe çdo vizitori, një simbol arkitekturor, që mishëron vlera dhe veçori të spikatura mikpritjeje, i pranuar masivisht nga banorët, autoritetet lokale dhe kushdo që e ka parë.

Ambicia ime personale për të ardhmen mbetet shfrytëzimi i kësaj godine në dobi të gjallërimit të qytetit të Beratit. Nëse, do të kishim ofruar vetëm një muze numizmatik, besoj se suksesi ynë do të ishte jo i plotë. Duke synuar që nga fillimi, gjallërimin ekonomiko-shoqëror të qytetit, Banka e Shqipërisë po ofron një qendër të mirëfilltë kërkimore dhe trainimi, ku historitë e vizitorëve modernë do të ndërthuren me historitë, vendet dhe datat e dramës njerëzore, që është zhvilluar në këtë qytet 2400 vjeçar.

Aspiratat tona janë sa ëndërrimtare aq dhe të realizueshme. Do të bëj të pamundurën, që kjo qendër të kthehet në një qendër rajonale, frekuentues të rregullt të së cilës, të jenë kolegët tanë nga rajoni dhe me gjerë.

Jam i bindur se me krijimin e kësaj Qendre Kërkimore, Banka e Shqipërisë do t’i japë një hov të ri punës së saj shkencore, në përcaktimin më të mirë të lidhjeve shkak – pasojë, që karakterizojnë ndërveprimin e treguesve ekonomiko-financiarë në Shqipëri. Jam gjithashtu i bindur se përvoja jonë, nëpërmjet këtij investimi do të fitojë një dimension të ri në përballjen e saj me eksperiencat ndërkombëtare, duke u kompletuar më tej me një mjet të shkëlqyer infrastrukturor. Në përfundim, jam i bindur edhe për një gjë tjetër, se tashmë kemi krijuar një mbështetje logjistike funksionale për të transmetuar dije të caktuara dhe bashkëkohore tek brezi i ri i profesionistëve dhe më gjerë, në fushën e bankës, të parasë dhe të financave.

Në planet tona të afërta bëjnë pjesë edhe programe për të zhvilluar tema rajonale mbi qytetërimin ballkanik apo kategori të ndryshme të tij, si arti, letërsia, kultura, arkitektura dhe pse jo, industria bankare në fazat respektive të këtij qytetërimi.

Një bashkëpunim i tillë, besojmë që jo vetëm do të rrisë promovimin e të gjithë rajonit tonë me tradita të përbashkëta dhe të ndryshme, por mund të përdorim me efikasitet burimet ekzistuese dhe të gjenerojë ide, projekte dhe burime shtesë nga partnerët tanë rajonalë.



Të nderuar miq,

Besoj se nuk them diçka të re kur përsëris se krenaria e çdo kombi i ka rrënjët në kulturën e tij dhe se asnjë komb nuk mund të jetë i arrirë pa pasur një të shkuar të të spikatur në kulturën dhe traditën e tij. Çdo komb është trashëgimi e besimeve, e zakoneve dhe e dijeve të grumbulluara, të sistemuara dhe të përpunuara gradualisht në rrjedhën e shekujve.

Duke besuar në domethënien kuptimplotë të këtij përcaktimi, shpresoj që kontributi ynë në qytetin e Beratit t’i shërbejë të gjithë komunitetit të këtij qyteti, të ruhet dhe të pasurohet më tej, në mënyrë që t’ia lëmë trashëgim brezave të këtij qyteti. Vetëm në këtë mënyrë, në kalimin e viteve trashëgimia antike dhe mesjetare e këtij qyteti do të pasurohet me vlera të reja të së nesërmes.

Kasëm Aga, arkitekti i Sulltanit, shkroi për çesmën që i dhuroi qytetit: ...“E bëra këtë vepër bamirësie për të ngjallur zilinë e shikuesit...”, ndërsa sot, në emër të Bankës së Shqipërisë, Ju sjellim këtë vepër në të mirën e këtij qyteti.

Duke ju falenderuar përzemërsisht, ju ftoj të vizitojmë së bashku ambientet e brendshme të Qendrës.