BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Kryetarit të Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Silvio Pedrazzi në takimin e Guvernatorit me drejtues të sektorit bankar

Data e publikimit: 30.05.2019

 

Z. Guvernator,

Të nderuar pjesëmarrës,

Sikurse e tha edhe Guvernatori në përmbledhjen e tij, do të theksoja se industria bankare është plotësisht e vetëdijshme për përgjegjësinë që ajo ka si për të ardhmen e saj, edhe për të ardhmen e vendit. Sistemi bankar është shtylla kryesore e çdo ekonomie. Në Shqipëri, sektori bankar luan një rol shumë të rëndësishëm dhe ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për angazhimin dhe përgjegjësinë për zhvillimin e këtij sistemi dhe të ekonomisë në tërësinë e saj. Të gjitha këto tema i kemi diskutuar edhe disa javë më parë gjatë Konferencës së 3-të që përkoi edhe me 20 vjetorin e themelimit të Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe mund t'ju siguroj se ka një angazhim të plotë nga ana e Shoqatës si dhe të secilës bankë individualisht për të kontribuuar në zbatimin e efektshëm të të gjitha planeve që Guvernatori i përmendi dhe i ndau sot me ne.

Më lejoni t'ju kujtoj se, përgjatë pesë viteve të fundit, sektori bankar ka bërë hapa jashtëzakonisht të mëdhenj pozitiv, drejt forcimit të sistemit bankar, në mënyrë që ai të jetë i aftë për t'u përballur me çdo sfidë, në një mjedis që po bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm. Pra, parakushti i parë në aspektin e qëndrueshmërisë së veprimtarisë bankare, është stabiliteti, qëndrueshmëria, likuiditeti i sektorit bankar dhe cilësia e aktiveve të tij. Do të doja të theksoja edhe njëherë atë që e shprehu edhe Guvernatori në fjalën e tij, se Banka e Shqipërisë flet gjithmonë të vërtetën bazuar gjithmonë në fakte dhe jo në opinione. Pra, shifrat flasin vetë. Industria bankare e ka ulur në mënyrë të qenësishme nivelin e kredive me probleme, çka është dhe një nga parakushtet për qëndrueshmërinë e veprimtarisë sonë. Aktiviteti kreditues, ndryshe nga çfarë pretendohet, po rritet me cilësi më të lartë dhe do të thoja me një qasje më të strukturuar, si nga bankat, ashtu edhe nga huamarrësit. Ne duhet të vazhdojmë ta ruajmë cilësinë e aktiveve bankare, por kjo nuk do të thotë aspak se duhet të tregohemi tepër konservatorë në qasjet tona.

Ashtu sikur e kam përmendur edhe në një aktivitet tjetër të organizuar së fundi, gjithkush duhet ta ketë të qartë se bankat i përgjigjen kërkesës për kredi nga shoqëritë, korporatat dhe individët; nuk vimë ne të parët. Ne kemi dëshirën të akomodojmë sa më shumë kërkesa për hua nga ekonomia reale, gjithmonë në përputhje me rregullat. Nga ky këndvështrim, mendoj se është e qartë se sektori bankar përgjigjet mjaft mirë. Norma e refuzimit të aplikimit për kredi është mjaft e ulët, çka do të thotë se cilësia e kërkesës po bëhet gjithnjë dhe më e mirë, pra, nuk ka dyshim se ne duhet të kontribuojmë edhe më tej për të gjetur mënyra të reja të kreditimit. Nisur nga ky aspekt, dëshiroj të theksoj rëndësinë për të kontribuar tek të gjitha investimet ndërmjet huadhënies, të cilat krijojnë vende të reja pune. Nga ana tjetër, nuk dua të margjinalizoj ndikimin e mundshëm të investimeve të huaja të reja, duke qenë diçka vërtet shumë e rëndësishme. Mendoj se duhet të fokusohemi tek vendi ynë dhe t’i bëjmë klientët tanë, individët dhe korporatat, të jenë më të sigurt në investimet e tyre. Besoj më tepër në investimet e vogla e të mesme, të cilat mund të krijohen shpejt, dhe të cilat krijojnë vende të reja pune duke nxitur në këtë mënyrë një reagim zinxhir pozitiv. Nisur nga kjo pikëpamje, kam besimin se do të kemi një përmirësim. Meqë ra fjala, sektorët që unë kam në mendje, janë sektorët të cilët janë tashmë gati, ata sektorë që i përmendi edhe Guvernatori, si bujqësia, turizmi, bizneset e reja dhe shërbimet në fushën e teknologjisë së informacionit. Natyrisht, kjo nevojitet edhe nga sektori bankar, nga secila bankë, nga njerëzit që punojnë aty, duke qenë se bankat përbëhen nga njerëzit. Duhen bërë përpjekje të mëtejshme për të trajnuar njerëzit tanë, duke nisur që nga punonjësit e degëve tona e deri tek ata që janë pjesë e departamentit të riskut. Ne duhet t’i trajnojmë njerëzit dhe t'i njohim ata me të rejat e fundit si dhe t'u tregojmë se tashmë ekzistojnë mundësi të tjera të reja krahasuar me të kaluarën.

Gjatë takimeve në nivel shoqate, ne i kushtojmë vëmendje të veçantë trajnimit të njerëzve tanë dhe shohim se janë arritur rezultate efektive. Pra, i ftojmë të gjithë aktorët në vend që të mendojnë pozitivisht, të mendojnë përtej horizontit afatshkurtër. Ne duhet të jemi të fokusuar tek aktiviteti ynë i përditshëm; nga ana tjetër, duhet të kemi në fokus edhe periudhën afatmesme dhe afatgjatë, sepse qëndrueshmëria e sistemit bankar kërkon përpjekje dhe ndryshime të përditshme. Pse them “ndryshime”? Sepse, nëse është e vërtetë që në të kaluarën janë realizuar përmirësime të mëdha, në të ardhmen na presin sfida të reja.

Bota po ndryshon. Shqipëria po ndryshon. Sistemi bankar duhet të ndryshojë. Të gjithë aktorët e tjerë duhet ta ndryshojnë përqasjen e tyre. Sfidat janë të shumta - revolucioni teknologjik. Nisur nga ky këndvështrim, ne duhet të përditësojmë instrumentet tona, të bazuara tek teknologjia e re duke sjellë në këtë mënyrë më tepër produkte e shërbime financiare me kosto më të ulëta për qytetarët. Por, për të ofruar produkte më të lira për klientët tanë, ne duhet të kryejmë investime të mëdha. Pra, kjo është një sfidë shumë e rëndësishme për ne. Ashtu si edhe e kam shprehur më parë, nuk ka dyshim se cilësia e portofolit të kredisë duhet ruajtur. Ne patëm fat, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Evropën, që flukset e reja të kredive me probleme gjatë viteve të fundit kanë qenë mjaft të kufizuara. Llogaritë tona të fitimeve dhe humbjeve nuk janë ndikuar, ashtu si në të kaluarën nga provigjionimi shtesë për kreditimin, por kjo situatë nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Ne duhet të ndërmarrim masa sot në mënyrë që të krijojmë hapësirë për zhvillime pozitive në të ardhmen.

Diçka tjetër që dua të përmend është euroizimi. Shoqata Shqiptare e Bankave është e vetëdijshme se të gjitha masat që mund të ndërmerrte Banka e Shqipërisë, janë marrë dhe kanë rezultuar në një ndikim pozitiv, por kaq nuk mjafton. Qëndrimi i industrisë bankare mbetet i njëjtë: të ulim informalitetin, të ulim në mënyrë të qenësishme qarkullimin e parasë në dorë. Kjo do të sjellë kosto më të lirë dhe shërbime më të sigurta edhe për qytetarët. Le të gjejmë zgjidhje të tjera që ndoshta nuk janë në juridiksionin as të sektorit bankar e as të Bankës së Shqipërisë. Ne duhet të vazhdojmë në rrugën e duhur në këtë drejtim, sepse problemi i euroizimit të lartë është një problem konkret. Na duhet të ulim përdorimin e valutave të huaja në ekonominë shqiptare.

Do ta përfundoja fjalën time duke shprehur se ne jemi në të njëjtën linjë me Bankën e Shqipërisë. Bashkëpunimi midis industrisë bankare dhe Bankës së Shqipërisë është i qëndrueshëm dhe mjaft pozitiv. Kjo, më besoni, nuk duhet të merret e mirëqenë. Jemi përballur gjithmonë me një qasje bashkëpunimi shumë profesionale nga ana e Bankës së Shqipërisë. Në fund të fundit, ne gjithmonë shkëmbejmë konkluzionet e çdo diskutimi.

Dëshiroj të rikonfirmoj angazhimin e plotë të sektorit bankar duke kontribuar në zhvillimin e ekonomisë edhe me rritjen e mëtejshme të kreditimit. Kjo është diçka për të cilën kemi nevojë dhe të cilën e duam. Gjithashtu, dua të sjell në vëmendje se sektori bankar është tërësisht i vetëdijshëm që, edhe pse jemi shoqëri të prirura drejt fitimit, duke qenë biznese private, - dhe dua t’i mëshoj fort këtij fakti, - industria bankare luan një rol specifik në mjedisin social të çdo vendi. Dhe ne jemi duke e luajtur tashmë këtë rol edhe në Shqipëri.

Faleminderit!