BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala hapëse e zj. Luljeta Minxhozi, Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë në Konferencën III të Muzeut

Data e publikimit: 15.11.2019

 

Të nderuar pjesëmarrës, studiues, punonjës muzealë, studentë e të apasionuar të historisë, kam nderin dhe njëkohësisht kënaqësinë që, në emër të Bankës së Shqipërisë, t’ju uroj mirëseardhjen në Konferencën me temë “Muzetë dhe edukimi në të ardhmen”!

Sot çelim punimet e konferencës së tretë të Muzeut të Bankës së Shqipërisë, organizim ky që falë vëmendjes suaj të vazhdueshme dhe bashkëpunimit tuaj është kthyer në një takim të përvitshëm.

DSC 9346#4998

Që prej konceptimit dhe ngritjes së tij, Muzeu i Bankës së Shqipërisë ka synuar të sjellë për publikun dy dimensione, dimensionin e numizmatikës dhe atë edukimit bankar e financiar, të cilave u është dhënë hapësirë e dedikuar brenda mureve të muzeut. Në kohëzgjatjen e një turi, vizitorit i ofrohet një ndërthurje e këtyre dy dimensioneve, të cilat natyrshëm e plotësojnë njëra-tjetrën. Kështu, muzeu klasik, si një institucion që ruan apo konservon një koleksion artefaktesh dhe objektesh të tjera me rëndësi artistike, kulturore, historike apo shkencore, por ku ka akses vetëm një publik i përzgjedhur, në kohët moderne pasurohet edhe më tej me funksionin tepër të rëndësishëm të edukimit të publikut të gjerë.

Duhet pranuar që funksioni edukativ është një dhe i pandarë me muzetë, pasi vetë dëshira për të ruajtur dhe ekspozuar objekte muzeore udhëhiqet nga dëshira për të njohur më shumë e për t’u edukuar mbi një tematikë të caktuar. Por, me masivizimin e frekuentimin e muzeve nga një publik gjithnjë e më i gjerë e më i larmishëm, funksioni edukativ i tyre njohu një hov të ri. Përtej kabineteve dhe koleksioneve, gjithnjë e më shumë, muzetë tashmë krijojnë një panoramë më të gjerë, duke i njohur vizitorët me kontekstin e objekteve e artefakteve të ekspozuara.

Nga ana tjetër, institucionet që kanë funksion të tyre primar edukimin, siç janë shkollat e universitetet, mbështeten gjithnjë e më shumë në punën e muzeve. Këtë e them me përgjegjësi, duke pasur parasysh shifrat në rritje të vizitave të grupeve nga këto institucione në Muzeun e Bankës – deri më sot, afërsisht gjysma e 12 000 vizitorëve të muzeut kanë qenë nxënës nën 18 vjeç.

Zonja dhe zotërinj,

Angazhimi i Bankës së Shqipërisë prej më shumë se një dekade në edukimin e publikut – në mënyrë specifike i edukimit financiar të tij – është burim krenarie për institucionin tonë. Programet tona në këtë fushë, janë sot në një hap me ato të institucioneve simotra jashtë vendit, dhe mund të themi se kurorëzimi i përpjekjeve në përmbushje të këtij angazhimi është ngritja dhe funksionimi i Muzeut të Bankës. Përveç punës në funksionet e saj parësore, Banka e Shqipërisë është tashmë pjesë e rrjeteve ndërkombëtare në fushën e edukimit, si dhe atyre të muzeve të parasë apo të bankave, duke pasur kështu mundësinë e shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira. 

Edhe kjo konferencë e përvitshme, nuk është gjë tjetër veç një hapësirë e përbashkët diskutimi, në të cilën sot kemi të ftuar kolegë nga muzetë më me peshë  të vendit. Këto muze i përkasin tipologjive dhe fushave të ndryshme, por kanë gjithmonë një konstante të përbashkët – edukimin e publikut lidhur me fushën e aktivitetit të tyre. Në vitet e fundit, të gjithë jemi dëshmitarë të zhvillimeve në aktivitetin muzeor gjithnjë e më të fokusuar tek vizitori. Kështu, falë teknologjisë dhe metodave edukative interaktive, ai del nga pozicioni i vëzhguesit pasiv dhe përfshihet në tematikën e ekspozitës. Pikërisht, këto teknika rezultojnë më efektive për të tërhequr vizitorët drejt hapësirave plot dije të muzeve – prandaj le t’i shfrytëzojmë sa më mirë ato!

Pa humbur kohë, dëshiroj t’ju ftoj të ndjekim me vëmendje tre sesionet  në vijim, gjatë të cilave panelistët do të ndajnë me ne përvojat e tyre tepër të vyera sa i përket marrëdhënies moderne mes muzeve dhe edukimit.

Më lejoni t’i jap fjalën të ftuarit tonë të nderit, Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, i cili përmes kumtesës së tij do të na njohë me edukimin përmes kulturës në institucionin muzeor më të madh në Shqipëri, në Muzeun Historik Kombëtar.

Faleminderit!