BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2023 në Kuvendin e Shqipërisë

Data e publikimit: 18.07.2024

 

E nderuar zonja Kryetare e Kuvendit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Me lejoni ta filloj këtë prezantim të Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2023, duke ju ri-konfirmuar respektin e lartë që, unë dhe institucioni që drejtoj, kemi për Kuvendin e Shqipërisë dhe procesin e llogaridhënies dhe të dialogut me të.

Si gjithnjë, ky prezantim synon t’i paraqesë Kuvendit një pasqyrë të plotë e besnike të opinionit tonë mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare gjatë vitit të shkuar, të prezantojë masat e marra nga Banka e Shqipërisë në përmbushje të misionit dhe detyrave të saj ligjore, si dhe të bëjë një vlerësim të efektit të tyre.

498 DSC 8326 1

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,

Viti 2023 ishte një vit konsolidimi i trendeve pozitive të zhvillimit të ekonomisë shqiptare, si në drejtim të rritjes ashtu edhe në drejtim të përmirësimit të ekuilibrave kryesorë ekonomikë dhe financiarë të vendit.

Pavarësisht një mjedisi të huaj të vështirë e sfidues, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend vijoi të rritet, duke gjeneruar më shumë të ardhura për bizneset dhe familjet shqiptare. Sipas të dhënave të INSTAT-it, ky tregues u rrit me 3.5% gjatë vitit të shkuar. Paralelisht me të, punësimi u rrit me 2.2%, paga mesatare në sektorin privat u rrit me 13%, ndërsa norma e papunësisë zbriti në minimumin e ri historik prej 10.7%. Rritja ekonomike u mbështet nga zgjerimi i konsumit familjar, i investimeve private, si dhe i eksportit të shërbimeve të turizmit, ndërkohë që politika fiskale ruajti një kah konsolidues. Në aspektin makroekonomik, rritja ekonomike pasqyroi bilancet e shëndosha financiare të sektorit privat, përmirësimin gradual të besimit të bizneseve dhe familjeve, zgjerimin e kredisë bankare, inflacionin në rënie, tregun e fortë të punës, si dhe rritjen e shpejtë të të ardhurave nga turizmi.

498DSC 8376

Rritja e kërkesës për mallra e shërbime nuk dëmtoi trendin rënës të inflacionit. Përkundrazi, ky tregues shënoi rënie graduale gjatë vitit 2023, nga niveli 7.4% në fillim të vitit, në nivelin 4% në fund të tij. Kjo ecuri u ndikua nga rënia e inflacionit në tregjet e huaja, nga forcimi i kursit të këmbimit, si dhe nga normalizimi i qëndrimit të politikës sonë monetare. Rënia e inflacionit dhe afrimi progresiv i tij drejt objektivit ndihmoi ruajtjen e vlerës së të ardhurave dhe të kursimeve të familjeve, mbështeti funksionimin normal të tregjeve financiare, si dhe ndihmoi forcimin e stabilitetit makroekonomik të vendit.

Paralelisht me të, viti 2023 shënoi përmirësime edhe në ekuilibrat e tjerë të brendshëm e të jashtëm të ekonomisë sonë. Ndër ta, gjej me vend të veçoj:

  • së pari, përmirësimin e pozicionit të huaj të vendit, të pasqyruar në një rënie të shpejtë të deficitit të llogarisë korrente. Ky deficit zbriti në nivelin 0.9% të PBB-së gjatë vitit 2023, duke shënuar një minimum historik të periudhës post-tranzicion. Po ashtu, borxhi i huaj zbriti poshtë nivelit 50% të PBB-së, ndërsa niveli i rezervave valutore të Bankës së Shqipërisë regjistroi rritje, duke përmirësuar aftësinë tonë për t’iu përgjigjur goditjeve të brendshme dhe të huaja. Këto përmirësime u diktuan nga rritja me 1.7 miliardë euro e eksporteve shqiptare gjatë vitit të shkuar, si dhe nga rritja e mëtejshme e investimeve të huaja direkte, të cilat arritën një rekord të ri historik prej 1.1 miliardë eurosh;
  • së dyti, përmirësimin e pozicioni fiskal të vendit, të pasqyruar në reduktimin në nivelet minimale të më shumë se një dekade të deficitit buxhetor dhe të borxhit publik, respektivisht në 1.4% dhe 58.9% të PBB-së. Reduktimi i borxhit publik rrit hapësirat fiskale për reagim ndaj goditjeve potenciale në të ardhmen, si dhe ul primet e rrezikut dhe kostot e financimit të të gjithë operatorëve të ekonomisë;
  • dhe së treti, qëndrueshmërinë e sektorit bankar, të pasqyruar në përmirësimin e treguesve të kapitalizimit, të përfitueshmërisë, si dhe të cilësisë së portofolit të kredive, me treguesin e kredive me probleme në nivelin 4.8%. Këto trende pozitive i mundësojnë sektorit bankar të furnizojë – me eficiencë dhe në vazhdimësi – ekonominë me fonde financiare dhe instrumente pagese e kursimesh.

Në një perspektivë më të gjatë kohore, ekonomia shqiptare ka shfaqur një shkallë të admirueshme rezistence e fleksibiliteti përballë sfidave madhore të viteve të fundit. Ndër të tjera, ky fakt gjeti pasqyrim në përmirësimin e renditjes së rrezikut të borxhit publik të vendit nga agjencitë e huaja të vlerësimit, tashmë në BB-, sipas agjencisë “Standard & Poors”, si dhe në rritjen e interesit për të investuar në Shqipëri, si në ekonominë reale dhe në tregun financiar.

498 DSC 8439

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,

Momenti pozitiv i zhvillimit të vendit i dedikohet – para së gjithash – rezistencës, fleksibilitetit dhe dinamizmit të sektorit privat. Megjithatë, ky moment pozitiv zhvillimi pasqyron edhe politikën tonë të kujdesshme monetare, masat tona mbikëqyrëse, rregullatore e makroprudenciale, si dhe punën e vazhdueshme për zhvillimin dhe modernizimin e sistemit të pagesave. Më konkretisht, normalizimi i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare mundësoi fillimisht kontrollin dhe më tej reduktimin e vazhdueshëm të inflacionit, me kosto minimale mbi aktivitetin ekonomik dhe stabilitetin financiar të vendit. Gjithashtu, masat tona rigoroze mikro dhe makro-prudenciale forcuan qëndrueshmërinë e sistemit bankar, ndërsa përafrimi i vazhdueshëm i rregulloreve tona me standardet e Bashkimit Evropian ka sjellë një konvergjencë të konsiderueshme rregullatore, duke reduktuar primet e rrezikut financiar në vend. Së fundi, zhvillimi i vazhdueshëm i infrastrukturës dhe bazës rregullatore të sistemeve të pagesave, ka rritur pjesëmarrjen financiare dhe ka ndihmuar rritjen e eficiencës dhe të formalizimit të sektorit privat.

Në vijim do të ndalem më konkretisht në drejtimet kryesore të punës sonë gjatë vitit të shkuar, duke evidentuar masat e marra dhe rezultatet e arritura.

Politika monetare dhe stabiliteti i çmimeve

Politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka vijuar të jetë e orientuar nga përmbushja e objektivit tonë ligjor: arritjes dhe ruajtjes së stabilitetit të çmimeve. Në këtë kontekst, dëshiroj të theksoj se nivelet ende të larta dhe mbi objektiv të inflacionit diktuan vijimin e një politike monetare normalizuese gjatë vitit 2023.

Megjithatë, ne jemi përpjekur të ndjekim një politikë monetare sa më fleksibël, duke synuar të mos dëmtojmë trendet pozitive të zhvillimit të vendit, si dhe duke u kujdesur ta harmonizojmë atë me zhvillimet financiare dhe kahun e politikës fiskale. Sa më sipër, dëshiroj të bëj dy konstatime të rëndësishme.

  • Së pari, ritmi i normalizimit të qëndrimit të politikës monetare u ngadalësua gjatë vitit 2023.

Gjatë këtij viti, ne kryem vetëm dy rritje të normës bazë, me një efekt kumulativ prej 0.5 pikësh përqindjeje.

Ky ngadalësim pasqyroi forcimin e kursit të këmbimit dhe kahun konsolidues të politikës fiskale. Më konkretisht, mbiçmimi i shpejtë i Lekut ndihmoi në zbutjen e presioneve të huaja, ndërsa konsolidimi fiskal ndihmoi në frenimin e presioneve të brendshme inflacioniste.

Në veçanti, forcimi i Lekut ka qenë dhe vijon të jetë një nga zhvillimet më të spikatura ekonomike të kësaj periudhe. Duke pasur një ndikim tërësor pozitiv në ekonomi, ai kontribuoi në kontrollin e inflacionit, duke rritur fuqinë blerëse të familjeve shqiptare, si dhe mundësoi një normalizim më gradual të qëndrimit të politikës sonë monetare, duke mbajtur të ulëta kostot e financimit të bizneseve. Rrjedhimisht, Shqipëria pati njëkohësisht një nga normat më të larta të rritjes ekonomike, normën më të ulët të inflacionit dhe rritjen më të ngadaltë të kostove të financimit, ndër vendet e rajonit.

  • Së dyti, rritja e normës bazë solli një rritje të përgjithshme të nivelit të normave të interesit në vend, por kushtet e përgjithshme të financimit mbetën stimuluese.

Në përgjigje të tyre, si dhe të përqasjes pozitive të bankave, portofoli i kredisë për sektorin privat shënoi një rritje të shpejtë e të qëndrueshme gjatë vitit 2023, duke arritur së fundmi nivelin 14%. Rritja e kreditimit kishte disa tipare pozitive: kredia e re kishte një bazë të gjerë sektoriale; ajo ishte e përqendruar në monedhën tonë kombëtar, pati një orientim në rritje drejt financimit të investimeve, si dhe nuk dëmtoi cilësinë e përgjithshme të portofolit. Të tre këto tipare kanë vijuar dhe janë forcuar më tej gjatë vitit 2024.

Falë këtij reagimi, inflacioni dhe pritjet për të qëndrojnë tashmë pranë objektivit tonë prej 3%, ndërkohë që parashikimet për të ardhmen janë pozitive.

Mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar

Rritja e normave të interesit dhe e pasigurive gjatë dy viteve të fundit, në vend dhe në botë, kanë krijuar një ambient sfidues për aktivitetin bankar dhe për stabilitetin financiar. Megjithatë, si sektori bankar dhe stabiliteti financiar i vendit paraqiten solidë. Në veçanti, sektori bankar shqiptar e mbylli vitin 2023 me një rezultat financiar pozitiv, me një nivel të lartë likuiditeti dhe kapitalizimi, si dhe me një përmirësim të mëtejshëm të cilësisë së kredisë. Analizat tona tregojnë se rreziqet sistemike të tij mbeten të kontrolluara.

Në veçanti, sektori financiar shqiptar shënoi dy arritje të rëndësishme gjatë vitit të shkuar:

  • së pari, dalja e Shqipërisë nga lista e juridiksioneve nën monitorim të shtuar të FATF-së (Financial Action Task Force), sa i takon zhvillimit të infrastrukturës për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftën ndaj terrorizmit - e njohur ndryshe si “lista gri” - përbën pikën kulmore të reformave të ndërmarra për përmbushjen e kritereve të nevojshme nga institucionet vendase, përfshirë edhe Bankën e Shqipërisë. Dalja nga “lista gri” e FATF-së është një arritje e rëndësishme për vendin, ekonominë dhe reputacionin e Shqipërisë, pasi ajo përbën një votëbesim nga komuniteti ndërkombëtar për përkushtimin e vendit në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
  • së dyti, me daljen nga “lista gri”, Banka e Shqipërisë ka nisur procedurat për marrjen e statusit të ekuivalencës së kuadrit tonë mbikëqyrës e rregullator me standardet e Bashkimit Evropian. Vlerësimet tona paraprake sugjerojnë një nivel konvergjence përafërsisht prej 90% me këto standarde. Për këtë arsye, ne kemi paraqitur kërkesën zyrtare pranë Autoritetit Bankar Evropian (EBA) dhe jemi në pritje të fillimit të diskutimeve mbi procesin e vlerësimit të ekuivalencës të Shqipërisë, i cili do të mundësojë rritjen e nivelit të kreditimit në ekonomi nga bankat tregtare evropiane që operojnë në Shqipëri.

Rezistenca, qëndrueshmëria dhe fleksibiliteti i sistemit financiar përkundrejt sfidave të fundit, pasqyron si mbikëqyrjen e kujdesshme dhe eficiente, ashtu dhe reformat strukturore të marra nga Banka e Shqipërisë. Në veçanti, investimi i vazhduar që kemi bërë ndër vite ka forcuar rezistencën e sektorit bankar ndaj goditjeve dhe i ka mundësuar atij të vijojë të plotësojë kërkesat për fonde të ekonomisë.

Edhe gjatë vitit 2023, ne kemi vijuar punën tonë në drejtimet e mëposhtme:

  • së pari, Banka e Shqipërisë ka përmirësuar kuadrin e saj mbikëqyrës e rregullator, me synim përafrimin e tij me acquis të BE-së dhe parimet e Komitetit të Bazelit;
  • së dyti, miratimi i ligjit “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike” nga Kuvendi i Shqipërisë, i hartuar nga Banka e Shqipërisë me asistencën e Bankës Botërore, si dhe rregullorja e Bankës së Shqipërisë “Për krahasueshmërinë e tarifave të lidhura me llogaritë e pagesave dhe për shërbimin e transferimit të llogarive të pagesave”, i ofrojnë konsumatorit mundësinë për të pasur akses në shërbimet bazë bankare, pa u diskriminuar nga statusi i punësimit apo nga gjendja financiare;
  • së treti, Banka e Shqipërisë hartoi draftin e dokumentit mbi raportimin financiar të sektorit bankar, si hap i parë i zbatimit të standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar dhe të kontabilitetit;
  • së katërti, në bashkëpunim me Bankën Botërore, ne hartuam dhe miratuam Strategjinë për Administrimin dhe Mbikëqyrjen e Rreziqeve Financiare të lidhura me Klimën në Sektorin Financiar;
  • së pesti, Banka e Shqipërisë vijoi të monitorojë aktivitetin e sektorit bankar, nëpërmjet inspektimeve në vend dhe analizave në distancë. Fokusi i ekzaminimeve ka qenë monitorimi i plotësimit të kërkesave rregullatore për kapital, vlerësimit të sistemeve dhe të kulturës së qeverisjes, vlerësimi i administrimit të rreziqeve të kredisë dhe të tregut, të rreziqeve operacionale, të teknologjisë së informacionit, të likuiditetit, si dhe vlerësimit të transparencës me klientët; dhe
  • së fundi, institucioni ynë ka vijuar fuqizimin e mëtejshëm të aftësisë për ndërhyrje të jashtëzakonshme.

Krahas rolit të saj primar në ruajtjen e stabilitetit monetar e financiar të vendit, Banka e Shqipërisë kryen dhe një sërë veprimtarish të tjera, me rëndësi thelbësore për nxitjen e zhvillimit dhe rritjen e mirëqenies së shoqërisë, disa prej të cilave më lejoni t’i përmend shkurtimisht më poshtë.

Banka e Shqipërisë siguroi funksionimin normal të sistemeve të pagesave. Në veçanti, sistemi më i ri i shlyerjes të pagesave në Euro brenda vendit, që nga fillim i operimit në janar të vitit 2022  u kurseu familjeve dhe biznesit shqiptar 50 milionë euro në formën e tarifave dhe komisioneve më të ulëta të pagesave, dhe vetëm në 2023 ky kursim ishte 37 milionë euro. Zhvillimi i infrastrukturës së pagesave ka mbështetur zgjerimin e përdorimit të pagesave elektronike dhe rritjen e përfshirjes financiare të popullsisë. Përdorimi i pagesave elektronike arriti në nivelin 21 pagesa për frymë, duke regjistruar një rritje prej 25.5% të pagesave me karta, me para elektronike dhe home banking.

Gjatë vitit 2023, ne nisëm punën për anëtarësim e Shqipërisë në Tregun Unik të Pagesave në Euro (SEPA), si pjesë integrale e Planit të Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, të hartuar nga Komisioni Evropian. Ky proces kulmoi në vitin 2024, me aplikimin zyrtar pranë autoriteteve evropiane për të qenë pjesë e këtij sistemi. Paralelisht me të, ne kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm për zhvillimin e sistemeve të reja të pagesave, siç është ai për pagesat e shpejta (instant payment) që mundëson shlyerjen elektronike të pagesave me vlerë të vogël, në mënyrë të sigurt, në çdo moment të ditës dhe në një kohë pothuajse të menjëhershme. Për zhvillimin dhe implementimin e një sistemi të tillë sipas modelit të sistemit të pagesave të shpejta TIPS në Eurozonë, kemi mbështetjen aktive të Bankës së Italisë.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka përmbushur detyrimet institucionale që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, Raportet e Progresit të Komisionit Evropian, nënkomitetet e përbashkëta BE-Shqipëri, si dhe Plani Kombëtar për Integrimin Evropian. Banka e Shqipërisë ka kontribuuar aktivisht në takimet bilaterale për kapitujt relevantë të Acquis-it, midis delegacioneve shqiptare dhe përfaqësuesve të Komisionit Evropian. Gjithashtu, ne kemi vazhduar të drejtojmë hartimin e kapitujve 4 dhe 17, përkatësisht për “Lëvizjen e lirë të kapitalit” dhe “Politikën ekonomike dhe monetare”.

Paralelisht me këto aktivitete, ne kemi administruar me përgjegjësi rezervën valutore, kemi punuar për zhvillimin e përmirësimin e mëtejshëm të statistikave, kemi plotësuar nevojat e ekonomisë me para fizike, si dhe kemi punuar për përmirësimin e mëtejshëm të komunikimit dhe të edukimit financiar të publikut, ku gjej me vend të veçoj miratimin e Strategjisë së Bankës së Shqipërisë për Edukimin dhe Përfshirjen Financiare, në fillim të vitit 2024, si dokumenti i parë institucional që promovon edukimin financiar në vend.

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Aktiviteti i Bankës së Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet i orientuar në tre shtylla kryesore:

  • në forcimin e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit, si një parakusht i rëndësishëm për rritjen e qëndrueshme e afatgjatë, si dhe për përmirësimin e mirëqenies shoqërore;
  • në përmbushjen e të gjitha angazhimeve tona institucionale, duke synuar të jemi një promotor zhvillimi i industrisë financiare dhe një partner i besueshëm institucional në shtyrjen përpara të axhendës së reformave strukturore; si dhe,
  • në respektimin e të gjitha rekomandimeve të lëna nga Kuvendi i Shqipërisë.

Më lejoni ta mbyll këtë prezantim, duke ju siguruar se këto parime do të vijojnë të udhëheqin punën tonë edhe gjatë vitit 2024.

Ju falënderoj për vëmendjen!