BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në takimin e organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave

Data e publikimit: 12.02.2020

 

Të nderuar,

Takimet dhe tryezat me përfaqësues të industrisë bankare janë jo vetëm kënaqësi, por dhe një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar dhe harmonizuar përpjekjet tona në funksion të thellimit dhe zgjerimit të qëndrueshëm të tregut financiar, si një nga shtyllat bazë të ekonomisë dhe motor i zhvillimit e i rritjes së mirëqenies së publikut. 

Do të dëshiroja që me pak fjalë të përcjell disa nga momentet kyç të vitit 2019, ku sistemi bankar e ai financiar në tërësi kanë dhënë kontributin e tyre, përfshirë dhe disa orientime kryesore për vitin 2020.

DSC 4552 498

 

Më lejoni të ndalem fillimisht në situatën e përgjithshme ekonomike të vendit.

Ngjarja me ndikimin më të lartë që shënjoi vitin 2019, në të gjithë sektorët ekonomikë dhe shoqërorë, ishte padyshim tërmeti shkatërrues i datës 26 nëntor. Një goditje e papritur që solli dëme ekonomike e psikologjike në zonat e goditura, por edhe më gjerë. Nga ana tjetër, ky ishte një test i fortë dhe i kaluar me sukses nga të gjitha bankat, përsa i përket ruajtjes së vazhdimësisë së funksioneve kritike të tregut financiar.

Në një fatkeqësi të tillë, ishte shumë e rëndësishme që njerëzit të perceptonin sigurinë, të paktën nga ana financiare, për fondet e depozituara pranë bankave dhe të kishin akses të vazhdueshëm për të përmbushur nevojat bazë.

Më tej, të gjitha bankat jo vetëm kontribuan bujarisht për përballimin e pasojave të tërmetit, por janë gjendur në krah të klientëve të tyre për të lehtësuar peshën e fatkeqësisë dhe për të ofruar zgjidhje të përshtatshme, duke siguruar vijimësinë e aktiviteteve dhe bizneseve të tyre.

DSC 4659 498

Përtej kësaj ngjarjeje, ecuria e përgjithshme e ekonomisë shqiptare, gjatë vitit 2019, duhet vlerësuar si pozitive. Ritmi i rritjes ka vijuar pozitiv, punësimi është rritur, ekuilibrat e brendshëm dhe të jashtëm të vendit janë forcuar, ndërkohë që treguesit kryesorë të shëndetit të sektorit bankar paraqiten në përmirësim.

Të gjitha këto sa rendita, janë arsye të mjaftueshme për të qenë optimist mbi perspektivën e rritjes ekonomike në periudhën afatmesme. Ndër të tjera, Shqipëria ndodhet edhe përpara një momenti madhor në rrugën e saj të zhvillimit e integrimit: çeljen e pritur të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këto negociata duhen parë domosdoshmërish si një ankorë e rëndësishme zhvillimi dhe si një garanci shtesë për investitorët vendas e të huaj.

Siç u shpreha dhe më lart, viti 2019 konfirmoi qëndrueshmërinë e sektorit bankar shqiptar.

Të gjitha ndryshimet strukturore që u iniciuan gjatë vitit 2018, u finalizuan me sukses gjatë vitit 2019, duke sjellë konsolidimin e dëshiruar të sistemit bankar. Gjatë këtij viti, veprimtaria e sektorit shënoi rritje në terma të vëllimit të aktiveve, depozitave e letrave me vlerë. Ndërkohë, cilësia e portofolit të kredive ka një përmirësim me rreth 3 pikë përqindje gjatë vitit 2019 (nga 11.1% në 8.36%). Kjo ka ardhur si rezultat i veprimeve energjike të pjesës më të madhe të bankave në drejtim të trajtimit të portofolit të kredive me probleme, duke ofruar zgjidhje si brenda sistemit bankar (shlyerje, riposedim, ristrukturim, falje borxhi), ashtu edhe jashtë tij (shitje të portofoleve).

Infrastruktura financiare e sektorit bankar u fuqizua më tej gjatë vitit 2019. Banka e Shqipërisë dhe Komiteti Kombëtar i Sistemit të Pagesave kanë vënë në zbatim strategjinë kombëtare për fuqizimin e tregut të pagesave me vlerë të vogël dhe rritjen e shkallës së përfshirjes financiare të popullatës. Rezultatet e para janë premtuese dhe ato do të pasohen nga hapa të tjerë të Bankës së Shqipërisë dhe të sektorit për të mundësuar arritjen e objektivit sasior për dyfishimin e popullsisë që zotëron një llogari bankare, deri në vitin 2022.

Përfshirja financiare e popullatës përbën një nga prioritetet e rëndësishme të momentit. Gjatë vitit 2019, Banka e Shqipërisë dhe sektori bankar i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë përfshirjes dhe edukimit financiar të popullatës. Tashmë është vërtetuar se rritja e përfshirjes financiare të popullatës ndikon në rritjen e mirëqenies së saj në mënyrë të harmonizuar. Për këtë qëllim, ndërmjet të tjerash kemi ideuar dhe vënë në zbatim një sërë projektesh edukuese të përshtatura për segmente të ndryshme të popullatës. Edukimi financiar, botimet specifike të natyrës informuese mbi produktet dhe shërbimet bankare, së bashku me zhvillimet në infrastrukturën dhe në shërbimet e pagesave, janë hapa konkretë për një mundësi më shumë për akses financiar nga çdo segment i popullatës.

***

Të nderuar përfaqësues të sektorit bankar,

Tek fatkeqësia natyrore nuk duhet të shohim vetëm disfatën, por edhe mundësitë për rimëkëmbje. Tashmë qeveria ka publikuar zonat ku do të rindërtohet pas tërmetit, dhe përveç fondeve të alokuara nga buxheti i shtetit për këtë qëllim, priten edhe burime të tjera nga konferenca e donatorëve. Në këtë mjedis ku shfaqen oportunitete financimi nga qeveria, donatorët, por edhe interes i lartë nga individët për të investuar në ristrukturimin e pronave të tyre dhe për t’i bërë ato më të sigurta, bankat nuk mund të qëndrojnë pasive, por duhet ta fuqizojnë rolin e tyre si ndërmjetës dhe ta dimensionojnë aktivitetin kredidhënës në një nivel të ri.

Më lejoni të prek disa çështje kryesore, të cilat meritojnë vëmendje, por edhe adresim të kujdesshëm, për të siguruar shtylla të qëndrueshme mbi të cilat të vijojë të ndërtohet një aktivitet bankar në tërësi, e në veçanti një aktivitet kreditues, i shëndetshëm, konkurrues dhe që siguron të ardhura të qëndrueshme.

Së pari, reduktimi i portofolit të kredive me probleme nuk na garanton se ato nuk do të shfaqen përsëri, nëse nuk pranojmë dhe adresojmë problemet dhe gabimet që u bënë gjatë krijimit të tyre. Dhe adresimi fillon nga përmirësimi i qeverisjes. Ngritja dhe fuqizimi i linjave të kontrollit, tërheqja dhe trajnimi i stafit të mjaftueshëm dhe të kualifikuar, por mbi të gjitha, mbikëqyrja efektive nga organet më të larta drejtuese, për të ruajtur balancën e duhur mes oreksit për rrezik dhe objektivave të biznesit janë vetëm disa nga hapat që duhen hedhur në këtë drejtim. Banka e Shqipërisë, në kuadër të përafrimit të legjislacionit me BE-në, ka shtuar kërkesat rregullatore për të siguruar rritjen e nivelit cilësor të qeverisjes, por përtej përmbushjes formale të kërkesave rregullative, është e domosdoshme që këto parime të përqafohen dhe të jenë pjesë e kulturës së të gjithë organizatës. Dhe ky është një investim afatgjatë, por që sjell rezultate të qëndrueshme pozitive.

Së dyti, duke adoptuar një qeverisje më të mirë, e njëjta pritshmëri duhet të transmetohet edhe tek klientët tuaj. Parimi për të mos pranuar të dhëna informale të biznesit në vlerësimin e aftësisë së tij paguese, ka dhënë padyshim rezultate pozitive në parandalimin e krijimit të kredive të reja me probleme, por çështja e informalitetit në ekonomi ende mbetet e prekshme. Më tepër mund të bëhet nga bankat edhe në këtë drejtim, duke ofruar për klientët tuaj dhe duke i nxitur ata të përdorin produkte ekzistuese apo të personalizuara, që sigurojnë një qarkullim të lartë të fondeve brenda sistemit, rrisin ndërlidhjen mes bizneseve dhe klientëve, si dhe lehtësojnë krijimin e një profili më të plotë financiar dhe një vlerësimi më të saktë të aftësisë paguese.

Së treti, me gjithë arritjet e deritanishme, ende ka një sasi relativisht të lartë të aktiveve “të palëvizshme” që zënë vend në bilancin e bankave. Në total, pronat e fituara nga proceset ligjore janë një potencial i lartë që pret të monetarizohet, por që mund ta humbë shumë shpejt vlerën e tij, duke u kthyer në një kosto të panevojshme, e cila dëmton reputacionin dhe konkurrueshmërinë e bankave. Për një treg relativisht të vogël si Shqipëria është provuar se kostot e klientëve me probleme i mban i gjithë sistemi dhe strategjitë individualiste nuk kanë rezultuar efektive. Për të ofruar ristrukturime efektive për klientët në vështirësi, është i domosdoshëm një bashkëpunim i ndershëm mes bankave, i cili siguron jo vetëm një vlerësim më të drejtë të aftësisë paguese të klientit, por optimizon edhe kohën dhe koston e vlerësimit për të dhe për bankën. Banka e Shqipërisë, ashtu si në të kaluarën, do të vijojë të mbështesë në mënyrë energjike projekte të tilla bashkëpunimi, duke garantuar paanësinë, por një vullnet i mirë nuk duhet të mungojë nga asnjë prej bankave.

Së fundi, në epokën e zhvillimeve të vrullshme teknologjike, mbijetesa e biznesit bankar do të ishte e pamundur pa investuar në drejtim të teknologjisë në kohën e duhur. Të gjitha bankat janë plotësisht të ndërgjegjësuara në këtë drejtim, por zhvillimet përkatëse në secilën prej tyre kanë ecur me ritme të ndryshme. Me shkëmbimet dhe lidhjet e forta me fqinjët tanë evropianë, por dhe aspiratën e palëkundur që të jemi pjesë e BE-së, shtyrja në kohë e investimeve të nevojshme në këtë drejtim vetëm do ta dëmtonte konkurrueshmërinë. Vetëm investimet në teknologji, pa mbështetjen në burime të brendshme njerëzore, mund t’i ekspozojnë bankat ndaj rreziqeve të larta operacionale dhe pasojave të pariparueshme. Në kushtet kur Shqipëria po vuan largimin e të rinjve të arsimuar, ju ftoj t’i shikoni investimet në fushën e teknologjisë jo vetëm në funksion të automatizimit të proceseve, por edhe si një mundësi për të mos lejuar varfërimin e tregut e punës, duke krijuar kushtet për të mbajtur një forcë pune të kualifikuar në këtë treg, e cila është gjithashtu pjesë e klientelës elitare të tregut bankar.  

Duke e mbyllur fjalën time, më lejoni t’ju garantoj se kemi vëmendjen dhe mbështetjen maksimale për të gjitha propozimet tuaja, jo vetëm si autoritet rregullator, por në radhë të parë si një partner luajal, mbështetës dhe serioz, në funksion të qëllimit të përbashkët, për një treg të zhvilluar që ofron mundësi tërheqëse për investitorët, për stabilitet financiar dhe një konkurrencë të drejtë që respekton të drejtat e konsumatorit.    

Vendimmarrja jonë do të jetë transparente dhe të gjitha nismat tona do të udhëhiqen nga fryma e bashkëpunimit me sektorin, për të synuar eficiencë sa më të lartë.

Ju falënderoj për vëmendjen!