BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Artikull në CNNMoney me një prononcim të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani

Data e publikimit: 27.08.2013

 

Fed-i paralajmërohet për rreziqet globale të reduktimit të politikave stimuluese

Nga Annalyn Kurtz  @AnnalynKurtz 24 gusht 2013, 17:14

Jackson Hole, Wyo. (CNNMoney)

Teksa Rezerva Federale përgatitet që gradualisht të reduktojë programin e saj të stimulimit, mjaft druajnë se ky ndryshim në kahun e politikave mund të çojë në rrëzimin e njëpasnjëshëm të ekonomive me treg në zhvillim.

Por pyetja që shtrohet është: A duhet të shqetësohet Fed-i për këtë?

Ky ishte fokusi i debatit në tryezën që mblodhi bankierë dhe ekonomistë në Jackson Hole, Wyo., ditën e shtunë.

Teksa Fed-i përpiqej të shpëtonte ekonominë amerikane gjatë katër viteve të fundit përmes uljes së interesave në nivele minimale historike dhe investimeve të mëdha në obligacione, vlera e dollarit amerikan pësoi rënie, duke i shtyrë investitorët drejt tregjeve me rrezik më të lartë dhe me kthim më të madh.

Gjatë këtyre viteve, ekonomitë me treg në zhvillim si India, Brazili, Indonezia dhe vendet e Evropës Juglindore kanë përfituar nga flukset e mëdha hyrëse të kredive në dollarë.

Kina, Koreja dhe Tajlanda përjetuan rritje të çmimeve të pasurive të paluajtshme, ndërkohë që Kina, Meksika dhe Rusia u karakterizuan nga rritje të çmimeve të aksioneve. Po kështu, në shtete si Brazili, Kina, Koreja dhe Turqia, huamarrësve iu akordua më tepër kredi.

Por tani, teksa Fed-i përgatitet të ngadalësojë dhe më pas të përfundojë politikat  stimuluese, dollari amerikan po fiton terren kundrejt monedhave të tjera, si për shembull kundrejt realit brazilian dhe rupit indian. Ndërkohë, investitorët po tërheqin paratë e tyre nga këto vende, duke shkaktuar panik.

"Nga këndvështrimi i Fed-it, komunikimi lidhur me reduktimin e politikave stimuluese është i rëndësishëm jo vetëm për popullin amerikan, por dhe për audiencën e huaj ," u shpreh Glenn Hubbard, dekan i Graduate School of Business i Universitetit të Kolumbias dhe ish-këshilltar i Presidentit George W. Bush. "Mjaft prej reagimeve në ekonomitë me treg në zhvillim lidhen me atë që nënkupton Fed-i."

Ja se si mund të evoluojë një krizë: Me rënien e vlerës së monedhave të ekonomive me treg në zhvillim, shfaqet frika se huamarrësit në këto vende mund të mos jenë në gjendje të shlyejnë kreditë e tyre në dollarë amerikanë. Nëse kjo ndodh në mënyrë masive, bankat vendase mund të hasin vështirësi, madje edhe mund të falimentojnë.

Ndërkohë, fakti se vlera e monedhave të tyre po pëson rënie nuk nënkupton që dhe çmimet do të bien. Në vendet që importojnë ushqime dhe naftë nga jashtë – shpesh me çmime të shprehura  në dollarë amerikanë – nevojat bazë për nivelin mesatar të popullsisë do të shtrenjtohen.

“Kjo është receta për trazira gjeopolitike,” shprehet Philippa Malmgren, Presidente e Principals Asset Management dhe ish-këshilltare ekonomike e Presidentit George W. Bush.

"Për ironi, ata karakterizohen nga një inflacion më i lartë dhe ky është një problem serioz," u shpreh ajo. "Në ekonomitë me treg në zhvillim, njerëzit shpenzojnë 40% deri në 70% të të ardhurave të tyre vetëm për ushqim dhe energji. Një  amerikan mund të ankohet për rritjen e çmimeve të ushqimeve, por për shumicën e tyre kjo mbetet e pakonsiderueshme, ndërkohë që për ekonomitë me treg në zhvillim, kjo është një çështje për jetë a vdekje."

Dy materialet e diskutimit të prezantuara në Jackson Hole iu bënë thirrje bankierëve qendrorë që të mendojnë për pasojat e politikave të tyre të brendshme në nivel ndërkombëtar. Christine Lagarde, Drejtore Ekzekutive e Fondit Monetar Ndërkombëtar, gjithashtu mbajti një fjalim, ku bëri thirrje për më shumë bashkëpunim ndërkombëtar.

"Asnjë vend nuk është ishull," u shpreh ajo. "Në botën e sotme të ndërlidhur, efektet e ndërsjella nga politikat e brendshme ... mund të të kthejnë aty ku ato nisën. Është në interesin tuaj që t’i konsideroni efektet nga një këndvështrim më i gjerë. Është në interesin e të gjithëve ne."

Koordinimi i politikave monetare nuk është i pazakontë për ekonomitë më të vogla dhe me treg në zhvillim. Vendet e rajonit të Ballkanit, Detit të Zi dhe Azisë Qendrore, për shembull, kanë krijuar një klub të bankierëve qendrorë, ku diskutojnë si t’i harmonizojnë politikat e  tyre.

Disa nga vendet anëtare të këtij klubi janë Turqia, Rusia, Republika Çeke, Rumania, Shqipëria, Kazakistani, etj.

"Ne i kemi koordinuar politikat, si përpara ashtu dhe gjatë krizës, dhe mendoj se ka ardhur koha që t’i koordinojmë politikat edhe pas Lehtësimit Sasior 3”, u shpreh Ardian Fullani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë.

Por për Shtetet e Bashkuara, një koordinim i tillë vështirë të jetë politikisht i pranueshëm. Pas krizës financiare, Rezerva Federale iu ofroi 14 vendeve marrëveshje swap në dollarë amerikanë. Bashkëpunimi midis bankave qendrore globale ishte "në tërësi, tejet i suksesshëm" në uljen e tensioneve, por në të njëjtën kohë ai gjeti mosaprovimin e Kongresit dhe të publikut të gjerë, u shpreh Jean‐Pierre Landau, ish-Drejtor Ekzekutiv i FMN-së dhe Bankës Botërore, në materialin e tij të diskutimit të prezantuar në Jackson Hole.

Diskutimi mbetet i debatueshëm, pasi në mënyrë të drejtpërdrejtë ai bie ndesh  me ligjin amerikan. Kongresi ka mandatuar Rezervën Federale për hartimin e politikave që maksimizojnë punësimin e amerikanëve dhe mbajnë çmimet në nivele të qëndrueshme. Ligji amerikan nuk shpreh asgjë për, le të themi, çmimet e ushqimeve apo për pagat në Indi.

"Me ligj, Fed-i fokusohet në çështjet e brendshme dhe kjo përplasje ka ekzistuar gjithmonë," u shpreh Alan Blinder, ekonomist pranë Universitetit Princeton dhe ish-Zëvendës Kryetar i Bordit të Rezervës Federale. "Çdo gjë që na shtyn drejt bashkëpunimit ndërkombëtar mund të bjerë ndesh me Aktin e Rezervës Federale."

Nëse ka një mesazh kryesor që deI nga simpoziumi Jackson Hole i këtij viti, ai është thirrja e re për sjelljen e politikave monetare në linjë me ekonominë globale. Në fakt, titulli i diskutimeve është "Dimensionet Globale të Politikës Monetare Jotradicionale."

"Pjesa më e madhe e bankierëve qendrore besojnë se politika monetare është thjesht një fenomen i brendshëm dhe se ata duhet të marrin në konsideratë vetëm të dhënat nga brenda vendit," u shpreh Malmgren. "Pyetja është: A nuk është ky një nocion i vjetër e i dalë mode në një ekonomi tejet të globalizuar?" 

http://money.cnn.com/2013/08/24/news/economy/fed-global-risks/index.html