BANKA E SHQIPËRISË

Banka e Shqipërisë dhe integrimi evropian

Data e publikimit: 06.12.2001

 

Të nderuar Guvernatorë dhe pjesëmarrës në këtë tryezë,

Shqipëria, ashtu si dhe vendet e tjera të rajonit, ndan të njëjtin objektiv, integrimin europian. Ndërsa ky mund të konsiderohet si një objektiv strategjik, ndoshta afatgjatë, është e domosdoshme që të përpunohen dhe të ndiqen objektiva më afatmesëm gjatë kësaj faze tranzitore. Në dekadën që lamë pas, Shqipëria dhe Ballkani në tërësi, në njëfarë mënyre, u bënë pjesë e Europës nëpërmjet emigracionit.

Axhenda e reformave u dominua nga problemet e tranzicionit ekonomik, të vështira për t'u zgjidhur dhe mjaft komplekse në optimizimin e vendimmarrjeve. Objektivat tona të integrimit, të cilat duket se do të dominojnë në axhendën e veprimeve në dekadën në vazhdim, duhet të synojnë në europianizimin e shoqërisë në rajonin tonë. Në këto procese, ekzistojnë hapësira që çdo anëtar i shoqërisë, çdo institucion apo organizim shoqëror, të ketë thënien dhe kontributin e tij.

Dëshiroj të ndalem në vijim, në rolin që do të luajë Banka e Shqipërisë në procesin e integrimit europian të vendit. Duke zhvilluar këtë koncept së pari brenda vetes, modeli institucional që Banka e Shqipërisë ka zgjedhur të zhvillojë, është ai i Bankës Qendrore Europiane. Ky angazhim është shprehur në dokumentin "Strategjia e zhvillimit afatmesëm të Bankës së Shqipërisë" të miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës, që në vitin 1999.

Ne jemi të ndërgjegjshëm, që arritja e një kompatibiliteti në praktikat dhe standardet e bankës sonë qendrore me ato europiane, do të kërkojë kohën e nevojshme. Ato do të zhvillohen dhe përsosen paralelisht me zhvillimin ekonomik të vendit dhe shkallën e demokratizimit të të gjithë shoqërisë shqiptare. Në etapat e para të tranzicionit, politikat monetare dhe valutore kufizoheshin nga mungesa e tregjeve financiare, e instrumenteve indirekte të politikës monetare, një bankë qendrore e sapokrijuar dhe pa eksperienca, deficite të mëdha buxhetore dhe nevoja për një përshtatje të shpejtë të çmimeve relative. Megjithëse marrëdhëniet e Bankës së Shqipërisë me buxhetin e shtetit, për shembull, nuk janë në nivelin e tyre të gjysmës së parë të viteve '90, ku deficiti financohej kryesisht me kredi direkte, ato janë ende larg praktikave të Bankës Qendrore Europiane.

Ne akoma financojmë drejtpërdrejt një pjesë të deficitit buxhetor. Praktika të tilla, të përcaktuara në ligjin "Për Bankën e Shqipërisë", dëshmojnë se edhe vetë legjislacioni për bankën qendrore, ka nevojë që gradualisht të harmonizohet me legjislacionin për sistemin e bankave qendrore europiane. Nga ana tjetër, zhvillimi i pavarësisë institucionale të Bankës së Shqipërisë, kërkon veç të tjerash, ekzistencën e një publiku mbështetës dhe të një tregu financiar, që përçon me korrektësi dhe shpejtësi sinjalet e politikave monetare në ekonomi. Unë konstatoj me kënaqësi, që Banka e Shqipërisë, nëpërmjet dhënies së opinioneve të saj të pavarura, për gjendjen e zhvillimit të ekonomisë apo për çështje të tjera të rëndësishme të ekonomisë së vendit, ka filluar të tërheqë vëmendjen e publikut. Adresimi i këtyre çështjeve, ashtu si dhe përsosjet e brendshme strukturore dhe zhvillimi i kapaciteteve analitike brenda institucionit tonë, përbëjnë boshtin e dokumentit të Strategjisë që sapo përmenda më lart.

Proceset transformuese ekonomike të derisotme, kanë kontribuar në thellimin e konvergjencës drejt strukturave ekonomike e tregtare me ato të Bashkimit Europian. Shkëmbimet ekonomike, në mbi 80 për qind të tyre, sot zhvillohen me vendet anëtare të mbi 80 për qind të tyre, sot zhvillohen me vendet anëtare të Bashkimit Europian.