BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në Takimin e 39të të Klubit të Guvernatorëve të bankave qendrore të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe të Ballkanit

Data e publikimit: 15.05.2018

 

I nderuar z. Kryetar!

Të nderuar zonja e zotërinj!

Kam kënaqësinë të jem midis kolegësh në këtë Takim të 39të të Klubit të Guvernatorëve, dhe të diskutojmë për sfidat e përbashkëta ekonomike dhe parashikimet për zhvillimet në të ardhmen. Jam i nderuar për mundësinë që të ndaj me pjesëmarrësit pikëpamjet dhe përvojat tona, të paraqes një vlerësim për progresin e arritur dhe një reflektim të përparësive të politikave tona dhe opsioneve të politikave tona.

Tema e këtij paneli, qëndrueshmëria e rimëkëmbjes ekonomike globale, po bëhet një temë gjithmonë e më e rëndësishme ndër politikëbërësit. Që kur nisi kriza financiare, fokusi ynë është përqendruar te trajtimi i goditjeve pasuese të krizës dhe te nxitja e një rimëkëmbjeje të shpejtë. Pas një rrugëtimi të gjatë e të mundimshëm, ritmet e rritjes së ekonomisë botërore po gjallërohen. Normat globale të rritjes po përshpejtohen dhe vendet e punës të humbura gjatë krizave janë rikuperuar pothuajse plotësisht. Gjithashtu, ndjesia ekonomike është e lartë, globalizimi dhe integrimi po i zbusin presionet inflacionit, ndërsa rritja e moderuar në investime për biznesin jep një siguri shtesë për rritjen. Parashikimet më të fundit e konfirmojnë këtë tablo zhvillimesh. Ato tregojnë se rimëkëmbja është e vazhdueshme, e sinkronizuar dhe me bazë të gjerë.

Skenari bazë është pozitiv, për të paktën në horizontin afatshkurtër deri në afatmesëm. Megjithatë, si politikëbërës, ne duhet të përpiqemi të shohim përtej horizontit përkatës. Në momentin që ne e kthejmë vëmendjen në këtë aspekt, mund të identifikojmë disa faktorë rreziku që kanë potencialin të ndikojnë mbi rritjen globale.

Pa dashur të jem shterues në këtë pikë, rreziqet që do të doja të ndaja me ju, janë si më poshtë:

  1. Divergjencat lidhur me tregtinë e lirë dhe globale
  2. Reforma të pamjaftueshme strukturore
  3. Luhatjet në tregjet financiare
  4. Pasiguritë politike.

Më lejoni që të shtjelloj më tej secilën prej tyre.

Tregtia globale

Tregtia globale, integrimi financiar dhe lëvizja e lirë e mallrave, e kapitalit dhe e njerëzve janë elemente kyçe për suksesin ekonomik në periudhën e pasluftës, sukses që nuk ishte përjetuar më parë. Nga këndvështrimi global, tregjet e hapura lejojnë një shpërndarje më eficiente të burimeve dhe ofrojnë mundësi më të mira punësimi. Kjo merr rëndësi tejet të madhe për Shqipërinë dhe rajonin tonë, rajonin e EJL-së, çka përfaqëson një sërë ekonomish të vogla e të hapura, në proces konvergjimi me BE-në.

Prandaj, tensionet  dhe politikat e mundshme proteksioniste të kohëve të fundit nuk janë aq inkurajuese. Ndonëse përgjithësisht besohet se lufta tregtare do të shmanget, pasiguritë mbeten ende të larta. Unë besoj se është detyra jonë të punojmë për ruajtjen - dhe mundësisht forcimin - e frymës së tregtisë së lirë.

Reformat strukturore

Krizat e kaluara kanë nxjerrë në pah një gamë të gjerë problemesh strukturore dhe kanë siguruar stimulin e nevojshëm politik për reforma të vendosura strukturore. Në ekonomitë e përparuara, vëmendja është përqendruar më shumë te rregullimi i sistemit financiar dhe te qëndrueshmëria e financave publike.

Nga këndvështrimi i një vendi në zhvillim, si Shqipëria dhe shumë vende të rajonit të EJL-së, sfida ka qenë e trefishtë:

  • Nevoja për të rishikuar modelet tona të rritjes ekonomike, duke përmirësuar konkurrueshmërinë me jashtë dhe duke rritur fleksibilitetin e brendshëm;
  • Nevoja për të rindërtuar hapësira për rezerva fiskale, nëpërmjet konsolidimit fiskal; dhe,
  • Nevoja për të rritur kursimet vendase dhe për të tërhequr më shumë IHD, veçanërisht duke pasur parasysh një qëndrim më ngurrues ndaj marrjes së rrezikut nga ana e investitorëve privatë dhe institucional në botë.

Këto sfida kërkojnë veprim të vendosur dhe angazhim të fortë politik. Me venitjen e kujtimeve të krizës, druaj se vullneti politik për reforma strukturore mund të zbehet. Qëllimi i integrimit në BE mund të jetë një shtysë në këtë drejtim, por nuk mund të zëvendësojë autorësinë  kombëtare për reforma.

Luhatjet në tregjet financiare

Pas disa vitesh të një mjedisi me interesa të ulëta dhe në kërkim për norma të larta kthimi, agjentët financiarë kanë akumuluar ekspozime të mëdha në sistemin financiar global. Rreziku këtu rrjedh nga fakti se normalizimi i pritur i politikës monetare në - të paktën - disa prej ekonomive të mëdha mund të tronditë tregjet financiare globale. Pak kohë më parë, kjo u evidentua në tregjet e kapitalit, me dukurinë e ashtuquajtur ‘taper tantrum’. Rritja e lartë në normat e kthimit të obligacioneve të SHBA-së në mesin e vitit 2013 shkaktoi një rritje pothuajse të njëjtë në normat e interesit në shumë ekonomi të huaja, duke i ulur çmimet e aseteve me rrezik në nivel global, dhe duke dhënë vetëm një pasqyrë paraprake të kufizuar të rreziqeve të mundshme që mund të lindin nga një veprim i politikës në kohë të papërshtatshme ose në mënyrë jo mjaft të qartë. Prandaj, komunikimi i elementeve kyçe në lidhje me një ndryshim të strategjisë në kohën e duhur dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse, do ta forconte më shumë mundësinë për një proces të butë normalizimi në ekonomitë në zhvillim. Kjo do të zbuste, për rrjedhojë, çdo rrezik për efekte zinxhir të padëshiruara e të mundshme në vende të tjera dhe do nxiste një ekonomi globale më të fortë dhe më të qëndrueshme.

Rreziqet gjeopolitike

Kjo është një temë për të cilën ne - për nga profesioni që kemi - jemi ndoshta më pak të kualifikuar për të diskutuar. Për këtë arsye, do t’i kufizoj komentet e mia vetëm duke vënë në dukje se rigjallërimi i tensioneve politike vetëm sa do të sillte një rritje të lartë të çmimeve, dhe do të pengonte fluksin normal të mallrave dhe të kapitalit. Lidhja midis rreziqeve gjeopolitike dhe mundësive për rritje mund të jenë edhe më të forta për ekonomitë e vendeve në zhvillim dhe mund t’i bëjë ato edhe më të ekspozuara ndaj rreziqeve në territore të largëta gjeografike. Vendet në zhvillim janë të cenueshme ndaj pengesave në flukset tregtare me të cilat progresi i tyre ekonomik është i lidhur ngushtë. Gjithashtu, rreziqet e shtuara për shkak të tensioneve politike mund të sjellin pasoja mbi përparimin e bërë deri tani në lidhje me integrimin financiar dhe teknologjik, faktorë me rëndësi jetike për progresin e çdo vendi drejt një ekonomie me të ardhura të larta.

***

Të nderuar kolegë,

Si bankierë qendrorë, ne jemi ose përgjegjës të drejtpërdrejtë, ose aktorë të rëndësishëm për zbutjen e këtyre rreziqeve. Megjithatë, cilët do të ishin disa udhëzues të efektshëm për informimin e reagimit tonë të politikave? Më lejoni ta mbyll fjalën time me disa pikëpamje në lidhje me këto çështje.

Do ta nis nga kjo e fundit, pra zbutja e luhatjeve në tregun financiar. Nga këndvështrimi global, besoj se një komunikim i duhur dhe shkëmbimi i informacionit do të jetë thelbësor. Në një botë të integruar financiarisht, asnjë vend nuk është një ishull i vetmuar. Normalizimi i politikës monetare në vendet e zhvilluara mund të shkaktojë pasoja të paqëllimta në ekonomitë në zhvillim, por që nga ana  tjetër mund t’i rikthejë ato në vetë ekonomitë e zhvilluara.

Nga këndvështrimi i vendeve në zhvillim, si Shqipëria, ne duhet të punojmë më tej për uljen e nivelit të kredive me probleme, përmirësimin e mbikëqyrjes së segmenteve jobankare në sistemin tonë financiar, si dhe për rritjen e qëndrueshmërisë së institucioneve financiare dhe tregjeve financiare në vend.

Lidhur me nevojën për përditësimin e modeleve të rritjes ekonomike në vendet tona, besoj se kjo detyrë kaq madhore do të kërkojë një fokusim më të madh te industritë konkurruese për eksportet, dhe një shtysë të përgjithshme për rritjen e produktivitetit dhe fleksibilitetit. Ashtu siç  thotë edhe shprehja, çdo udhëtim i gjatë nis me një hap të parë. Në rastin tonë, mendoj se rritja e investimit në kapitalin njerëzor dhe nxitja e reformave të tregut duhet të jenë hapi i parë kyç, në drejtimin e duhur.

Lidhur me nevojën për forcimin e mekanizmave fiskale, besoj se duhet të këmbëngulim për ankorimin e konsolidimit fiskal në rregulla fiskale të qarta dhe transparente. Rregullat fiskale duhet të jenë sa elastike - për të lejuar një masë të caktuar stimuli kundërciklik – aq edhe solide - për të shmangur devijime të përsëritura fiskale.

Lidhur me tërheqjen e IHD-ve dhe ruajtjen e flukseve hyrëse financiare, ne duhet ta përmirësojmë më tej mjedisin e biznesit në vend dhe të zgjerojmë integrimin rajonal. Këto objektiva nuk janë të lehta për t’u arritur; prandaj, është e nevojshme të kalojmë përtej qëndrimeve të politikave afatshkurtra dhe vendimmarrjes diskrete. Me qëllim arritjen e qëndrueshmërisë ekonomike dhe politike si dhe të një strukture ekonomike që mbështet investimet e huaja dhe vendase, politikat publike duhet të hartohen me kujdes dhe me zgjuarsi, duke mbajtur parasysh objektiva afatgjatë. Zgjerimi i kapitalit njerëzor, rritja e cilësisë së infrastrukturës dhe e kuadrit ligjor, si dhe një burokraci më eficiente mund të sjellin një përmirësim domethënës për mjedisin e biznesit dhe kapacitetin tërheqës të tregut, me qëllim që t’u ofrojë investitorëve mundësi të shkëlqyera.

Në përfundim, lidhur me nevojën për ruajtjen e tregtisë globale, duhet të shpjegojmë më mirë dhe të bashkëveprojmë më shumë për të ndikuar në favor të prirjeve historike të mirë-përcaktuara për hapjen e tregtisë dhe integrimin global. Këto të fundit kanë treguar se janë me rëndësi tejet të madhe për ndërlidhjen globale, afrimin e territoreve të largëta dhe lehtësimin e zhvillimit teknologjik, ku përfitimet u përcillen në mënyrë të barabartë si vendeve të zhvilluara edhe atyre më pak të zhvilluara. Ne nuk duhet të lejojmë të ndodhin zhvillime në kah të kundërt dhe duhet të jemi të përgatitur që të shprehim në mënyrë të qartë dhe të vendosur arritjet që bota ka dëshmuar gjatë gjithë kësaj epoke të tregtisë së intensifikuar dhe të integrimit global. 

***

Të nderuar zonja e zotërinj!

Korrigjimi i problemeve të së shkuarës dhe vendosja e ekonomisë globale në rrugën e rritjes së qëndrueshme është një përgjegjësi e përbashkët. Të gjithë bashkë ndajmë përfitimet e rritjes globale dhe po së bashku duhet të ndajmë përgjegjësinë për të siguruar qëndrueshmërinë e saj.